E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debat në një vend me gjithë elementët e shtetit, përveç simboleveNga Xhemal AhmetiDitët e fundit u zhvillua, në ALSAT, një debat ndërmjet përfaqësuesve të pushtetit dhe opozitës. Aty u paraqitën edhe ca historianë, të cilët dhanë votën e tyre se çfar

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Debat në një vend me gjithë elementët e shtetit, përveç simboleveNga Xhemal Ahmeti

Ditët e fundit u zhvillua, në ALSAT, një debat ndërmjet përfaqësuesve të pushtetit dhe opozitës. Aty u paraqitën edhe ca historianë, të cilët dhanë votën e tyre se çfarë duhet bërë me simbolet e Maqedonisë. Atmosfera e studios: Moderatori Zeqiri nuk dallonte asfare nga modelet që shfaqen në televizionet turke për të reklamuar nëntesha dhe këpucë. Zonja që përfaqësonte BDI ishte pozicionuar si ato kukullat Barbi dhe përsëriste refrenet që ia kishte futur në xhep Daja dhe Ali Ahmeti, para se t’ia mësynte Shkupit. Përfaqësuesi i VMRO po ashtu - kukull për në vitrinat e Ramstorit. Buçkovski, Flora Kadriu dhe moderatori Bobi Hristov kishin qëndrime të qarta, mirëpo ato qëndrime nuk mbërritën te shikuesi për shkak të këngës. Emisioni, imazhi real i një vendi që i ka të gjitha institucionet e nevojshme që i duhen një shteti, por që simbolet ende nuk i ka definuar si duhet. Një shtet që ende nuk e di se luanët, shqiponjat apo bretkosat janë simboli më i përshtatshëm kombëtar a historik.

Jashtë studios PDSH jep e merr me traktate, analiza dhe elaborate për të shpëtuar Maqedoninë nga varri që janë duke ia hapur VMRO dhe BDI. VMRO, me të cilën PDSH ka qeverisur disa vjet dhe BDI, të cilën e përbëjnë bashkëkombësit e Thaçit dhe Xhaferit. Nëse kthejmë kokën disa vjet pas, atëherë shohim se loja mbetet gjithmonë e njëjtë, veç protagonistët i ndërrojnë rolet.

Teatër me aktorë mjaftë të dobët, por megjithatë teatër.

Problemi konkret

Rasti me Enciklopedinë tregoi edhe njëherë se, sa herë që ta nxjerrin kokën shqiponjat, luanët dhe simbolet e tjera etnike, Ballkanin e përlajnë krizat, kërcënimet, protestat dhe lufta nuk e trishton më askënd. Jo për arsye se simbolet kanë ndonjë fuqi magjike, luftënxitëse e djallëzore, por se interpretuesit e tyre dhe ata që identifikohen me to kanë një raport të sëmurë me to, një lidhje shpirtërore gati religjioze, në emër të së cilës çarten dhe janë të gatshëm pa pritur e kujtuar të shndërrohen në vampirë, të derdhin gjak, të çmenden deri në atë stadin e njohur e përfundimtar: vetëzhbërjes!

Dakord. Enciklopedia famëkeqe ofendoi rëndë shqiptarët dhe si e tillë duhej eliminuar. Kështu edhe u bë. Tash, pasi “përfundoi muhabeti” i Enciklopedisë, u hap debati rreth simboleve shtetërore të Maqedonisë. Si duhet të jenë ato?

Flora Kadriu formuloi përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje më së miri. “Simbolet, - tha ajo, - duhet për prezantojnë Maqedoninë multietnike, multikulturore dhe multifetare”. Pikë. Këtij formulimi nuk ka se çka t’i shtohet. Po si duhet të jenë ato që të plotësojnë gjithë këto kërkesa, ku vijnë dhjetëra simbole në konsiderim?

Duke i përjashtuar të gjitha?

Në emision u përmend disa herë Kosova dhe simbolet e saj. Në një uniformë ushtarake të një oficereje të bukur u fokusua luani që mbante ajo në kraharor. Në këtë kontekst ama nuk u përmend diçka shumë kapitale - këtë duhet ta thellonin moderatorët e përgjumshëm - se Kosova ka vetëm hartën gjeografike në simbolet e saj shtetërore. Himni i saj nuk ka tekst, por vetëm melodi. Pse? Janë Thaçi dhe Sejdiu më pak patriotë se Gruevski, Bushkovski e Co? Jo, të gjithë ballkanas janë. Në rastin e Kosovës “sugjeronin” ndërkombëtarët se çfarë simbolesh identitare duhet të kishte shteti i ardhshëm. Simbole që nuk do t’i preknin a ofendonin pjesëtarët e kombësive dhe religjioneve tjera. Dhe kosovarët në këtë drejtim u treguan më shumë se sa vetëm të pjekur e racionalë. Ata nuk shkaktuan as krizë e as kërcënime. Ata pranuan dhe filluan të krenohen me simbolet e shtetit të ri. Ndërkombëtarët e detyruan Kosovën që të pranojë ato simbole, sepse ata e dinë se në Ballkanin tonë histori-errët edhe simbolet, heraldikat, leckat formëflamuri vrasin. Historia e re na e dëshmon këtë.

Nëse Kosova me 10% pjesëtarë jo të etnisë shqiptare duhet ta pranojë një kusht të tillë, pse Maqedonia nuk është e gatshme me 35% pjesëtarë etnish nga më të ndryshmet: shqiptarë, arumunë, romë, turq, serbë, myslimanë, grekë etj?!

Nuk dua të besoj se elita politike dhe ajo intelektuale në Maqedoni është po aq qesharake si ai emisioni i Mohamed Zeqirit dhe të mos dijë se simbolet neutrale - pa ngarkesa etnike e historike - janë një hap i rëndësishëm për të siguruar një paqe më konstruktive dhe pa pasur frikë, sa herë që ta çojnë kokën shqipet e t’i nxjerrin dhëmbët luanët.

Mësoni nga rasti i Kosovës

Vetëm Maqedonia multietnike, multikulturore - ashtu siç edhe është - ka perspektivë të mirë. Kështu thonë në Bruksel e Uashington. Kështu duhet të thonë edhe gjithë ata që janë të lodhur nga historia grindavece e gadishullit.

Autori është kryeredaktor i “Faktit ditor” dhe historian i Kohës së Re në Universitetin e Freiburgut në Zvicër

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›