E Diel, 1 Nëntor 2026

Matja e re e ekonomisë evropiane dhe asaj shqiptareNga Avenir Lleshanaku Evropa me iniciativën e presidentit francez, Sarkozy, dhe një grupi pune të angazhuar nga vetë ai po bëhet gati për të pranuar propozime për një sistem të ri për vlerësimin e rr

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Matja e re e ekonomisë evropiane dhe asaj shqiptareNga Avenir Lleshanaku

Evropa me iniciativën e presidentit francez, Sarkozy, dhe një grupi pune të angazhuar nga vetë ai po bëhet gati për të pranuar propozime për një sistem të ri për vlerësimin e rritjes së ekonomisë së një vendi. Me këto propozime rritja ekonomike pritet të marrë një vlerësim më të gjerë duke futur edhe elemente të tjera në lidhje me shoqërinë e një vendi.

Ky grup pune kritikon pëlqimin për treguesit, me të cilët llogaritet matja ekonomike sot - Prodhimi i Brendshëm Bruto ose siç e shprehim ndonjëherë ndryshe GDP. Edhe në samitin e G-20 në Pitsburg u fol për konceptin e ri të rritjes e progresit, ku u ftuan vendet më të industrializuara të botës të ndryshojnë statistikat e tyre bazuar në këtë koncept. Në këtë grup pune marrin pjesë ekonomistë të shquar si p.sh., mbajtësit e çmimit Nobel, Joseph Stiglitz dhe Amalya Sen.

Porosia e presidentit francez dy vjet më parë drejtuar këtij grupi pune ka qenë se grupi duhet të hartojë një metodë statistikore, me të cilën në të ardhmen rritja ekonomike e një vendi të mund të matet në mënyrë më të plotë se deri tani. Sarkozy është mjaft i bindur se Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) nuk mund të jetë më një kriter për rritjen ekonomike. Ai shprehet se njerëzve për vite me radhë u është thënë se standardi i jetesës së tyre do të përmirësohet, ndërkohë që jeta po bëhej gjithnjë e më e vështirë dhe se ne duhet ta kuptojmë zhgënjimin e atij që gjatë krizës financiare humbi shtëpinë, punën apo edhe një pjesë të pensionit, megjithëse nuk kishte asnjë faj në kaosin e krijuar.

Këtë e konfirmon edhe profesor Jean-Paul Fitoussi, i cili tregon vështirësitë që ndeshin ekonomistët si ai gjatë aplikimit të PBB si kriter i matjes së rritjes ekonomike. “Kur shifrat na thonë se punët na shkojnë mirë, ndërkohë që njerëzit kanë përshtypjen se po iu rrëshqet toka nën këmbë, atëherë, ose treguesi është llogaritur gabim, ose po përdorim treguesin e gabuar”, - thotë profesor Fitoussi.

Sidomos në raste kur PBB tregon rritje edhe kur ekzistojnë probleme. P.sh., është e vërtetë që bllokimi i trafikut në Tiranë e rrit PBB, edhe kriminaliteti dhe paratë e pista e rrisin PBB, dhe korrupsioni e rrit PBB. Por, a janë këto ngjarje pozitive dhe a ndikojnë këto në mirëqenien e një shoqërie? Kurrsesi jo.

Disa studiues ekonomistë kanë propozuar një sërë kriteresh për matjen e pasurisë dhe mirëqenies së një shoqërie. Mbajtësi i çmimit Nobel për ekonominë, Joseph Stiglitz, shpjegon se nuk ekziston vetëm një indikator për të paraqitur diçka kaq komplekse sa shoqëria jonë dhe pikërisht sepse përzgjedhja e treguesve luan një rol kaq të rëndësishëm në vendime ai mendon se duhet të zhvillohet një debat i hapur publik për përzgjedhjen e kritereve matës.

Presidenti Sarkozy tregon mësimin e parë që nxjerr nga raporti i eksperteve: “Nuk ka qytetar mesatar, dhe shtimi i pabarazive e vërteton këtë. Kush zgjedh të flasë gjithnjë vetëm për mesataren, i shmanget debatit për padrejtësitë”. Kjo është arsyeja që Sarkozy ka për qëllim të zbatojë menjëherë në Francë 12 propozimet e studiuesve. Në të ardhmen të gjitha të dhënat ekonomike do të vlerësohen edhe nën aspektin ambientalist. Kriteri kryesor për vlerësimin e pasurisë së një vendi, nuk do të jetë më PBB, mallrat dhe shërbimet e prodhuara, por të ardhurat e familjeve, gjendja e autostradave, e qyteteve apo e furnizimit me energji. Edukimi i popullsisë do të jetë gjithashtu kriter, por, para së gjithash, masa e kënaqësisë së njerëzve. Por propozimet e dhëna deri tani kanë më shumë formën e pyetjeve sesa të formulave konkrete dhe do duhet që autoriteti i statistikave të punojë për zbatimin në praktikë.

Pra, me pak fjalë, Evropa kërkon t’i vërë theksin, jo vetëm rritjes sasiore të ekonomisë, por edhe asaj cilësore, dhe për të matur këtë cilësi kërkon të fusë kritere të reja në matjen e rritjes së ekonomisë duke vënë në plan të parë masën e kënaqësisë së njerëzve. Ajo nuk do të shikojë më vetëm shifrat, por edhe do të dëgjojë njerëzit, të pyesë për ndjenjat, emocionet, gëzimet dhe vuajtjet e tyre.

Por, ç’do të ndodhë me rritjen tonë dhe me politikanët tanë që janë aq të dashuruar pas shifrave 6, 9, 10, apo 12% rritje, nëse aplikohen normat e reja të matjes? A e dinë ata se sa mund të jetë rritja ekonomike e vendit tonë duke marrë në konsideratë sistemin e drejtësisë që bashkë me problemin e pronave është kthyer në një gangrenë të pashërueshme, apo sistemin shëndetësor publik të mjeruar, sistemin arsimor kuturu dhe të pakontrollueshëm, sistemin ujësjellës-kanalizime të amortizuar, qarkullimin rrugor të pambuluar dhe qarkullimin hekurudhor të rrënuar, ndotjen me zor të ambientit, korrupsionin e pashkulshëm, informalitetin e formalizuar, plagën e vjetër shoqërore për mosdënimin dhe mosdemaskimin e krimeve të komunizmit dhe bashkëpunëtorëve të tyre, nivelin e varfërisë etj?

Unë jam i bindur që një ditë Brukseli do t`ia përplasë në surrat qeverisë sonë dhe do t’i thotë që rritja jote ekonomike nuk është aq sa doni ju, pseudo-politikanët e Shqipërisë, por aq sa është në të vërtetë duke marrë në konsideratë edhe kriteret e lartpërmendura. Dhe kam frikë se me këtë matje të re shifra jonë e famshme e rritjes ekonomike do të zbresë shumë poshtë. Por është më mirë kështu, pasi qeveritë që venë e vijnë do të detyrohen të pranojnë dhe të thonë të vërtetën tonë, sepse ka 65 vjet (46 vjet në komunizëm dhe 19 vjet në - të ashtuquajturën - demokraci), që nuk i thonë të vërtetën as popullit që e mandaton dhe as Evropës, pavarësisht se kjo e fundit e mëson nga rrugë të tjera.

gazetastart.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›