Shqiptarët votojnë PASOK-unNga Lorenc Vangjeli, “Mapo”Duke u gdhirë e shtuna, polici shqiptar i shërbimit në doganën e Kapshticës, mbërthyer deri në fyt me uniformë, është shumë kureshtar të dijë se për cilin do të votonin pasagjerët e BENZ-it AMG me
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Shqiptarët votojnë PASOK-unNga Lorenc Vangjeli, “Mapo”Duke u gdhirë e shtuna, polici shqiptar i shërbimit në doganën e Kapshticës, mbërthyer deri në fyt me uniformë, është shumë kureshtar të dijë se për cilin do të votonin pasagjerët e BENZ-it AMG me xhama të zinj. Për të zgjedhjet në Greqi ishin fare të thjeshta: grekët duhet të votonin për Sali Berishën që në Greqi quhej Karamanlis apo për Edi Ramën, që në greqisht quhej Papandreu. Një shaka e pafajshme me të, e kishte bërë të besonte se në makinë ndodheshin katër vetë nga ata 24 mijë shqiptarë të regjistruar me të drejtë vote në zgjedhjet e 4 tetorit. Ishte gjynah t´i shpjegohej që ajo çfarë i ishte thënë më parë ishte shaka dhe jo e tallur, sidomos mbas një zilie pothuaj të hapur që ai nuk e fshinte, kur mendonte se katër pasagjerët e BENZ-it kishin rregulluar kartat dhe ishin bërë evropianë nga Greqia. “Tri herë kam qenë dhe unë andej, por nuk më eci. Tani jam rregulluar këtu në doganë, ku, dhe nëse nuk rrjedh, pikon të paktën”, - na tha ai duke parë me të njëjtin admirim hekurat vetëtitës që kishin prodhuar inxhinierët gjermanë, tashmë në shërbim të shqiptarëve që ende kanë kultin e BENZ-it, mundësisht edhe me cilindratë të madhe. Trau i doganës greke hapet pak më me respekt.
Pak kilometra larg kufirit, një postbllok ushtarak në një udhëkryq me një lapidar që kujton viktima të Luftës së Dytë Botërore, rikontrollon sërish pasaportat. Edhe viktimat e përkujtuara në lapidar janë vrarë nga gjermanët, por jo për këtë arsye, ushtarët, me mirësjellje, bëjnë një tjetër koment dashamirës për makinën. “Sa litra harxhon?”- pyesin. “Për atë mos pyet, duhet të kesh një autobot nga prapa. Kjo makinë u duhej shitur arabëve dhe jo në Shqipëri”, - u përgjigjen. Qeshin ushtarët. Qeshin dhe dy nga pasagjerët korçarë që flasin greqisht, sepse bëjnë biznes me grekët. Bashkëbisedimi i përkthyer në shqip, nuk bën të qeshin dy pasagjerët e tjerë. Por të katërt bashkë kishin një shqetësim normal: a mund të arrihej në karburantin Shell nja 50 kilometra më tutje për t´u furnizuar? Megjithatë, në kohën kur dukej se llapma e rezervës së makinës do të digjej, stacioni i furnizimit u arrit.
Deri aty nuk kishte asnjë shenjë se vendi do të gdhihej ditën tjetër në ditën e votimit. Asnjë poster, asnjë flamur partiak, asnjë simbol që të të kujtonte, fjala vjen, rrugën e Kamzës në Tiranë, që për zgjedhjet e 28 qershorit e këtej ishte bërë e gjitha blu. Me më shumë postera të Berishës së buzëqeshur që premtonte të ardhmen sesa pemë dhe shtylla rrugës. Grekët hiç asgjë të këtij lloji. “Ata e kanë pranuar që janë në krizë ekonomike dhe cilado nga partitë që do të hidhte pará të dukshme në fushatë, me siguri do të krijonte efektin e kundërt te zgjedhësit”, - na shpjegojnë. I të njëjtit mendim ishte dhe Plaku, siç e quanin korçarët pronarin e stacionit të furnizimit. “Ju jeni mirë, ju nuk keni krizë, zoti ju ruajt dhe nesër, se ne kemi mbaruar me të gjitha”, - thoshte Plaku. Nuk u kuptua se nga e kishte këtë bindje, por natyrisht, nëse do të dinte sesá para ishin hedhur në Kamzë nga PD për betejën figurative ai do të kishte absolutisht të drejtë. Tangërlliku i drejtpërdrejtë shqiptar e bëri drejtuesin e makinës të kërkonte të paguante me një kartëmonedhë prej 500 eurosh, thjesht për ta bërë Plakun që të rikujtonte sërish krizën në vendin e tij. “Nuk kam ta thyej. Është ende herët dhe nuk kam bërë fare xhiro”, - i dha ai një përmasë edhe më të thellë tangërllikut shqiptar që vinte nga një vend që nuk e njeh krizën ekonomike, sipas statistikave shqiptare. Nja 50 vjet më parë, Nikita Hrushovi i sovjetikëve kishte hedhur një parullë shumë popullore në atdheun e sovjetëve: “Të arrijmë dhe të tejkalojmë SHBA!” Doktor Berisha në Tiranë para e pas zgjedhjeve ka premtuar që për katër vjet Shqipëria do të arrijë dhe tejkalojë edhe gjashtë vende të BE për të ardhurat për frymë. “Sikur t´ia kalojmë dhe Greqisë, ndoshta Doktori e ka pasur fjalën edhe për Greqinë”, - u tha gjysmë me seriozitet, kur u nisëm sërish për udhë. Gjysmën tjetër të seriozitetit e kishim të pamundur t´ia ofronim deklaratës euforike të Doktorit shqiptar.
Drejt Selanikut
Nga karburanti i Plakut, hyhet direkt në autostradë. Me katër korsi dhe diku në afërsi të Selanikut, edhe me një duzinë me tunele. Më i gjati, 2.2 kilometra. Gjithsej 7.7 kilometra tunel i hapur në shkëmb. Të ndriçuar, të lartë, me aspirim, njëlloj si tunelet që mund të shihen rëndom në Zvicër. Autostrada kalon e gjitha në maja malesh, por çmimi i saj është shumë herë më i ulët se sa ka kushtuar deri tani segmenti Rrëshen-Kalimash. Kostoja e çdo kilometri, përfshirë edhe tunelet, në total shkonte te gjashtë-shtatë milionë eurot. Shteti shqiptar llogaritet të paguajë gati 15 milionë euro për kilometër. Nuk ka dyshim, që nisur dhe nga ky fakt, Greqia është shumë më e “varfër” se Shqipëria. Një “varfëri” që bëhet gjithashtu e dukshme, sepse në asnjë rast të vetëm përgjatë rrugës nuk ndesheshin shenja të fushatës elektorale që kishte hyrë në epilogun e saj. “Aferim atdheut!”- thamë të gjithë në makinë, gjysmë në shqip, gjysmë në turqisht nga inati i grekëve.
Ndalojmë në njërën nga kodrat e Selanikut. Një rrugë e gjerë, por me sens unik, na fton të ndalojmë në një servis makinash. Vaska, një korçar i thinjur e simpatik, është ustai dhe pronari i servisit. Plot 12 vjet më parë në të njëjtin servis ai kishte nisur të punonte për herë të parë si emigrant në Greqi te një “afendiko” zemërbardhë, por pesë vjet më parë i bleu servisin “afendikoit”. Jo fort shtrenjtë, në fakt, siç thotë dhe vetë, i pagoi atij në dorë paratë që kishte marrë borxh nga vesi i kumarit duke i hequr lakun nga fyti në ditë të vështirë. Pastaj nuk e kishte hedhur në rrugë, e kishte punësuar “ish-afendikoin” në ish-pronën e tij. Kur i kërkojmë ta takojmë grekun, na thotë me keqardhje se ishte detyruar ta pushonte nga puna disa muaj më parë bashkë me tre ndihmës të tjerë. “Ka rënë puna, ka rënë shumë. Më përpara greku vinte dhe ta linte makinën në dorë. Të thoshte gjeji defektet dhe rregulloja të gjitha. Tani vjen dhe pyet se cilat janë defektet që e lënë në rrugë, kurse për të tjerat pyet se sa kohë mund ta shtyjë pa futur dorë”, - thotë Vaska, që duket se është i pakënaqur. “Edhe për të paguar shërbimin, e paguajnë me këste tani. E kemi ndjerë të gjithë krizën dhe meazallah se do njeri ta nxjerrë “evronë” nga dora”, - thotë ai dhe tregon një bllok të trashë. Njëlloj si në dyqanet shqiptare, ku merren ushqime veresie, në bllok janë shënuar gjithë emrat e borxhlinjve. Pak minuta më pas, përpara servisit ndalon një makinë policie. Ne shqiptarët ndjehemi instinktivisht në siklet, por shpejt mësojmë se sikleti ishte i policëve grekë. Iu ishte prishur radioja e makinës dhe nuk mund të lidheshin me qendrën e tyre. Vaska lë bisedën dhe hipën në makinë. Për pak minuta gjithçka ishte në rregull dhe nuk pranon të paguhet nga policët. “Është falas”, - iu thotë në greqisht dhe na përkthen në shqip se çfarë u thotë dy djemve të rinj me uniformë. Ndërkohë, i biri i tij, që punon së bashku me të, flet gjatë dhe si me nervozizëm me njërin nga policët. Mendojmë për shkak të gjashtë a shtatë makinave që prisnin të hynin në servis, por që ishin parkuar dyshe përpara servisit, por nuk ishte kjo gjë. Një nga policët kishte kërkuar, nëse mund t´i rregullonin makinën e tij, një Opel Kadet që nuk ndizej. “Nuk kishte sherr, mo jo, shpjegon Fori, por këtu në Greqi, edhe kur pi kafe me miqtë, duket sikur ka plasur sherri. Si ne janë, nuk janë ndryshe”, - thotë ai. E shoqja e tij, Ana, një tjetër korçare simpatike, nënë e dy vajzave të vogla, është e vetmja në familjen e tyre që do të votojë të dielën. Ende nuk e ka vendosur për kë do të votojë. Por Fori insiston. Në vilën e tyre trekatëshe në një lagje rezidenciale në Selanik, ai i thotë së shoqes se duhet ta hedhë votën për Papandreun. E miraton dhe e ëma. Mimi, një ish-mësuese letërsie, që qëndron në shtëpi dhe merret me mbesat e saj dhe që mban ndezur gjithë ditën në sallon dy televizorë: njëri që transmeton pamjet e DigitAlb-it dhe tjetri që shëtit në të gjitha stacionet greke. Është absolutisht personi më i mirinformuar për gjithçka ndodh në segmentin Tiranë-Athinë në atë banesë të zhurmshme, por të ngrohtë dhe plot mirësi. “Është i mbyllur ky muhabet. Papandreu fiton. Sondazhet i japin gjashtë pikë më shumë. Edhe shqiptarët, sipas një sondazhi që ka bërë një gazetë lokale këtu, janë pothuaj 70 për qind me të”, - thotë Mimi që beson se të gjithë grekët e kanë ndjerë fort krizën, që në fakt është ende larg lagjes rrëzëllitëse ku ndodhet vila e familjes së saj. Posterat e partive greke në garë janë ende shumë të paktë. Bluja e Karamanlisit haset shumë më shpesh në stacionet e autobusëve, kurse jeshilja e Papandreut i ngjitet në të rrallë shtyllave të ndriçimit. Edhe më rrallë dallohen simbolet e dy partive të tjera, LAOS e KKE. Por të gjithë posterat janë të prodhuar në letër të një cilësie të dobët. I kishin humbur ngjyrat. Në Shqipëri ende jo. Bluja vetëtitëse e posterave të partisë së zotit Berisha është vetëtitëse në çdo cep të Shqipërisë, përfshi edhe Kamzën.
Drejt ishullit të shenjtë
Në hartë dukej si pako gjë. Plani ishte që nga Selaniku të udhëtonim drejt Athinës dhe që aty, nga porti Rafino të merrej trageti për në Tinos, ishulli ku ndodhej kisha e Virgjëreshës Mari. Ne ishim shoqërues të çiftit të shqiptarëve që e kishin ndarë mendjen të luteshin aty: udhëtimin e tyre shpirtëror e ndanin me ne të tjerët që po bënim turistin nga një vend të asociiuar me Evropën, por ende jo-evropian. Por ajo që në hartë ishte pak, në rrugë, pavarësisht se autostradë, ishte një ankth i vërtetë. Nisja u la sërish në mesnatë. Biletat e tragetit u rezervuan me telefon dhe nuk mbetej gjë tjetër veç të rimbushej sërish plot me benzinë serbatori i BENZ-it të pangopur. Ishte projektuar dhe prodhuar për qytetarë nga vende që nuk njohin krizë. Sipas statistikave zyrtare, natyrisht, ai duhet t´u shërbente shqiptarëve, që nuk e njohin krizën. Por pikërisht ky fakt e bëri makinën mollë sherri me policinë greke. Madje jo vetëm me policinë rrugore, sepse në një dalje autostrade, mbasi ishin paguar dy euro e gjysmë taksë, tri polici të ndryshme bënë shenjën e “Stop”-it. Dalloheshin nga uniformat e ndryshme. Ishin krejt të ngeshëm, por njëri nga ta ishte mjaft nervoz. Dhe nervozi nuk e zgjati shumë. Për një dokument të vetëm të rregullt të makinës dhe që u gjet me vonesë dhe iu dha me vonesë në dorë, firmosi pa iu dridhur dora një gjobë marramendëse prej 1050 eurosh. Kur pa dokumentin e munguar fillimisht, tha se e kishte të pamundur ta kthente mbrapsht gjobën. Çuditërisht polici tjetër me uniformë ndryshe ndërhyri në favorin tonë: “Ti je racist, një greku nuk do të guxoje kurrë t´ia vije këtë gjobë, por prit edhe pak, sot fiton Papandreu dhe këto punë mbyllen.” Pastaj sherri u transferua mes tyre, sipas modelit shqiptaro-grek të sherrit për politikë, domethënë me të bërtitura. Për ne që nuk kuptonim asgjë, nuk kishte kohë dhe nerva të përkthente njeri. E bënë, mbasi nisëm udhëtimin dhe mësuam se gjoba kishte zbritur në 450 euro, nga të cilat 400 nuk do të paguheshin, nëse brenda 10 ditësh do të dorëzohej në polici dokumenti që u gjet me vonesë. Edhe mbas shpjegimesh të gjata, megjithatë, nuk arritëm të kuptonin se çfarë përfaqësonte ai bishti prej 50 eurosh i gjobës. Një tjetër shpjegim na u duk më bindës; polici aleat i udhëtarëve, kur kishte dëgjuar se katër pasagjerët po shkonin në kishën e Virgjëreshës Mari për një pelegrinazh religjioz-turistik, ishte bërë kundërshtar i kolegut të tij, i cili bënte tifo për Demokracinë e re të Karamanlisit. Pastaj kuptuam se një pjesë të madhe të sherrit e kishte bërë pikërisht për shkak të BENZ-it; ai vetë kishte thënë tri herë se ngiste një Hundai të vogël që mund të hynte në bagazhin e makinës së madhe të katër udhëtarëve shqiptarëve.
Shqiptarët në ishullin e shenjtë
Nga Rafino, porti në periferi të Athinës, në drejtim të ishullit Tinos, kishte disa variante për të udhëtuar: me traget të ngadaltë që kushtonte pak dhe me traget të shpejtë që kushtonte shtrenjtë. Plot 80 euro për person dhe kishe biletën në dorë, në të cilën ishte shkruar dhe se brenda çmimit përfshihej vetëm udhëtimi dhe asgjë tjetër. “Tre vjet më parë ishte 35 euro, pastaj e bënë 50 dhe tani 80 euro”, - ankohet dhe njëkohësisht na sqaron një grek që priste të merrte biletën e tij. E shoqja thotë se po të rritej dhe më shumë çmimi, ia vlente të niseshin me not. “Atë do të bëjmë, por sot duhet të nisemi patjetër”, - përgjigjet ai, por ne rishtas nuk kuptojmë gjë. Na thonë që çifti po shkonte të lutej në Kishë mbas divorcit të vajzës së tyre. Mbasi kishin martuar vajzën ata kishin shitur shtëpinë për të marrë një më të vogël dhe nëse ajo iu rikthehej në derë, kishin probleme serioze me strehimin, na thonë.
Pothuaj dy orë më pas, trageti i shpejtë kishte ndaluar në portin e vogël të ishullit. Kisha e Shën Mërisë dukej nga larg, e gjitha e ndërtuar me mermer të bardhë mbi kodrën dominuese të ishullit. Përreth saj, shtëpitë e vogla të bardha të banorëve të ishullit ngjanin edhe më të vogla. Me rreth pesë mijë banorë jashtë sezonit veror, ishulli sidomos në ditët e festave fetare, pothuaj 100-fishohej si numër. Dukej e pabesueshme se ku mund të qëndronin gjithë ata njerëz, në një kohë që nuk duhej shumë mund që të bindeshe, që po të hidhje një gur nga porti, ai me siguri do të binte në ujë, në anën tjetër të ishullit. Deri në kishë duhet të përshkruaje gati një kilometër rrugë me kalldrëm të lëmuar dhe mjaft të tatëpjetë. Duhej të kishe gjunjë dhe frymëmarrje të fortë për të mbërritur në majë, por kishte dhe shumë më tepër se kaq; disa nga besimtarët, sipas zakonit e ngjisnin gjithë atë kalvar duke u zvarritur në gjunjë. Ishte një pamje e pabesueshme dhe bëhej edhe më shumë e tillë, kur një vajzë fare e re, te të 20-at, ishte mes njerëzve të gjunjëzuar. “Forca e besimit”, - i dhamë karar në momentin e parë dhe i dhamë udhë fantazisë për të gjetur se çfarë e detyronte vajzën t´i nënshtrohej atij lloji alpinizmi ekstrem. Ramë dakord unanimisht se lutej për të ndryshuar - ndoshta - formën e njërit prej gjinjve të saj. Në mënyrën më të çuditshme të mundshme ai dallonte nga tjetri që ishte normal dhe i rrumbullakosur. Gjiri i saj i majtë kishte formën e një tulle katrore. Kur zbriti bashkë me ne, mbasi kishte kryer ritin e gjatë të lutjes, gjiri i saj i majtë kishte të njëjtën formë, por ndoshta ishte ende shpejt për të pritur ndryshimin.
Në të dyja anët e rrugës të gjitha dyqanet shisnin vetëm sende që kishin lidhje me kishën, qirinj, ikona, kalendarë, figurina shenjtësh, temjan e dhjetëra gjëra të tjera që ne, të lindur e të rritur me detyrim si ateistë, nuk ua dinim as emrin. Ashtu siç kuptuam fare pak nga ceremoniali i meshës së të dielës, e natyrisht, asnjë fjalë nga fjalimi plot patos prej aktori të dorës së parë të teatrit, nga një prift krejt i thinjur e trupmadh. Shqiptaren e parë e gjetëm pikërisht në një nga dyqanet anës rrugës. Na tha se punonte këtu vetëm gjatë sezonit të verës dhe pastaj kthehej në Athinë, ku jetonte me të shoqin. Më parë, në Pogradec, ai quhej Mustafa, kurse në ishull, ishte pagëzuar me emrin Jorgo. “Si Papandreu. PASOK-u do të fitojë. Do t´i japë një dorë dhe Edi Ramës në Shqipëri pastaj”, - qeshi ajo. Edhe po të mos fliste shqip, do të dallohej që ishte “dora jonë” nga mungesa e trishtuar e shumicës së dhëmbëve. Po i njëjti detaj përpara gjuhës së folur, na bëri që më pas të takonim tre bashkatdhetarët tanë. Pyetjes se me çfarë merreshin në ishull, iu përgjigjën në të njëjtën mënyrë: “Ja ashtu, hiç, kot!” Por vetëm gjysmë ore më vonë, njëri nga ata, që quhej Durim, nisi të bënte filozofin duke shpjeguar ndryshimin dhe nuancat e fjalës vjedhje: “Vjedhje është të hysh në shtëpinë e tjetrit, t´i marrësh nanji gjo. Por, kur hyn në shtet dhe vjedh nanji bankë a dyqon, nuk është mo vjedhje”. Nuk kishim shumë durim të dëgjonim Durimin që habitej me ne se si nuk arrinim ta kuptonim një gjë të tillë që ishte aq e qartë. Ai vetë nuk i kishte kartat. Vëllai i tij, po. Ai kishte shkuar nga Përmeti në Greqi që në vitin 1991, duke braktisur shërbimin ushtarak. Ishte martuar me një greke dhe kishte marrë dhe pasaportën. Shpjegimi i tij për votën që do të hidhte ishte mjaft i thjeshtë. “Mjaft mo me Karamanlisin. Ai i boni lekët e veta, Papandreu ka gjashtë vjet në opozitë, vëlla, ndaj duhet t´i fitojë zgjedhjet”, - thoshte ai me dialektin e vendlindjes së tij, Tiranës, por me një theks të fortë grek. Edhe ai ankohej për çmimet e rritura dhe kujtonte shpesh kohën e artë të dhrahmisë sa pa dalë euroja. “Keq shumë jemi”, - thoshte.
Nga mesdita e deri në orën e nisjes së tragetit të shpejtë në orën 17.27 - kështu ishte shënuar në biletë dhe fiks në këtë orë trageti u ankorua në port - pritja t´i bënte nervat kaçurrel. Dreka në një lokal dhe pastaj kafe dhe sërish kafe në dy lokale të tjera ishin të pamjaftueshme për t´i gjetur vetes ndonjë gjë tjetër për të bërë, përveçse të vazhdoje të mërziteshe. Kthimi në një det të trazuar dhe me një vallëzim të pandryshueshëm mbi dallge, megjithatë, ngjante si shpëtim. Kur rimorëm makinën në Rafino, ishte ngrysur. Radioja e saj na konfirmoi lajmin që na e dhanë në parking: Ka fituar Papandreu! Megjithëse me pasaportë nga vendi që nuk e ka njohur ende krizën ekonomike dhe që për katër vjet do të kalojë edhe gjashtë vende të BE për të ardhurat për frymë të popullsisë, siç thotë Doktori në Tiranë, nuk mundëm të mos ndjeheshim xhelozë për grekët. Në më pak se tri orë nga mbyllja e votimit të së dielës në Greqi, ishte marrë vesh rezultati i zgjedhjeve. Në Tiranë na u desh të prisnim muajin. Ishte mesnatë, kur Karamanlis i telefonoi Papandreut për ta uruar për fitoren, ndërsa ne po i ngjiteshim të tatëpjetave të thikta të Grevenasë në drejtim të Kapshticës. BENZ-ikishte marrë sërish racionin e tij të benzinës, kurse ne nuk na shuhej ndjenja e xhelozisë. Një telefon me Tiranën na konfirmoi se edhe Edi Rama kishte uruar Papandreun për fitoren e tij. Disa deputetë socialistë, mes tyre edhe Gramoz Ruçi kishin qenë në Athinë prej ditësh gjithashtu për të ndihmuar në fushatën e PASOK-ut. Brenda në makinë nuk shteroi sherri i modelit shqiptaro-grek - të bërtiturat - për një mosmarrëveshje serioze. Si titullohej kënga e vjetër shqiptare me qiraxhi. Nuk binim dakord, nëse titulli i saj ishte “Qiraxhiu i Grebenasë” apo “Qiraxhiu i Grevenasë”. Sido që të ishte titulli, po të kishte bërë dikur me mushka atë rrugë që po na merrte frymën në bordin e BENZ-it, qiraxhiu me siguri do të kishte vuajtur shumë nga lodhja. Por ne patëm dhe diçka më shumë se ai: pikërisht kur mbërritëm në majë të Grevenasë, aty ku tabelat rrugore që paralajmëronin shfaqje kafshësh shtëpiake në fillim, pastaj drerësh më lart, aty pra, në majë, pamë tabelën që paralajmëronte dalje në rrugë të.... arinjve. Fatmirësisht arinj nuk pamë. Por qiraxhiu nuk do të kishte mundur të shihte dhe atë që ishte pothuaj e pabesueshme. Që e pamë vetëm për një çast, por të bindur se nuk ishte një iluzion që kishte gënjyer katër palë sy shqiptarësh të lodhur. Një tabelë e shkruar me dorë, me bojë të kuqe mbante mbishkrimin: “Restaurant. Kemi paçe dhe pilaf”! Më pas nuk kishte më histori. Kur hymë në Korçë në orën 04.00 të mëngjesit, qyteti kishte më shumë se gjashtë orë që kishte rënë në gjumë.