E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debat për dëmshpërblimin e të përndjekurve



Përcaktimi i periudhës së saktë se kur ka filluar dhe mbaruar komunizmi në Shqipëri ka hapur debate dje në Komisionin e Ekonomisë. Gjatë diskutimit të projektligjit për krijimin e Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit, deputetja Albana Vokshi, u shpreh kundër studimit të përcaktuar në periudhën nga 28 nëntori 1944, deri më 8 dhjetor të 1990, duke propozuar që studimi të shtrihet edhe para 1944 dhe pas 1990, derisa instituti ta shohë të arsyeshme. Pikë tjetër diskutimesh, për të cilën pati opinione të ndryshme, ishte edhe ajo që ka të bëjë me faktin që nëse Instituti do të studiojë krimet e komunizmit në një hark kohor më të gjatë se ligji për kompensimin e ish-të përndjekurve, atëherë me shumë mundësi do të ketë pretendime për kompensim. Sipas dy deputetëve, Edmond Spaho dhe Shefedin Shehu, nëse përcaktohet si krim komunizmi, atëherë duhet edhe të kompensohet sepse në këtë rast mund të ketë çështje që i drejtohen Gjykatës. “Unë e kuptoj që është ligji për kompensimin e të përndjekurve që ka detyruar vendosjen e një kufiri për ato që do të quhen krime, në mënyrë që kësaj periudhe t’i referohen edhe strukturat shtetërore. Por ky projektligj, si për çudi krime komuniste quan edhe ato që janë gjatë luftës, çka ligji i të persekutuarve i përjashton”, u shpreh Spaho. Sipas tij, në një moment tjetër nëse nga instituti ka përcaktime për krime komunizmi, gjatë periudhës së luftës do të ketë edhe kërkesa për të hyrë në listën e të persekutuarve. Ndërkohë që duke mbetur te pjesa e përplasjes së periudhës së studimit nga Instituti me periudhën e atyre që kompensohen në ligjin e të ish-të përndjekurve, deputeti Shefedin Shehu shtoi se ky i fundit përcakton se nuk përfitojnë kompensim ata që janë vrarë gjatë luftës. Pas kalimit nen për nen dhe propozimit që tashmë projektligjet të vijnë në komision edhe me koston e saktë të tyre Komisioni i Ekonomisë dha “ok”. n.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›