E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk ka kompromis,Këshilli i Evropës dhe Svoboda i PE: PS të hyjë në Parlament



BLEDAR HOTI

Zgjidhja e menjëhershme e krizës politike është hyrja e PS në Parlament dhe ngritja e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit. Kështu deklaroi Presidenti i Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, Mevlut çavosoglu në konferencën e djeshme për shtyp, pas mbylljes së misionit dy ditor. Në deklaratën për shtyp, Presidenti i KiE ka dhënë tre pika për zgjidhjen e kësaj krize politike. “Delegacioni përgëzoi Presidentin dhe e inkurajon atë për të vazhduar përpjekjet e tij. Delegacioni arriti në përfundimin se zgjidhja e krizës aktuale politike mund të bazohet në parimet e mëposhtme: -Krijimi pa vonesa të mëtejshme i një komisioni parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të qershorit 2009, i kryesuar nga përfaqësues të opozitës dhe në të cilën opozita do të ketë një shumicë efektive; Ky komitet i hetimit do të përgatisë amendamentet në Kodin Zgjedhor në përputhje me rekomandimet e misionit vëzhgues ndërkombëtar dhe të Rezolutës 1709; - Opozitës t’i jepet një ndarje e drejtë në kryesitë e komisioneve parlamentare. Për sa i përket komisionit hetimor e termave të referencës, delegacioni i PACE vë në dukje se të dyja palët pajtohen se kjo duhet të trajtohet brenda kuadrit kushtetues të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në deklaratën përfundimtare. Pyetjes së bërë se si do të realizohej hetimi i zgjedhjeve, kur nuk është përcaktuar hapja e kutive të votimit, çavosoglu shprehu qëndrimin e KiE se pse nuk është sanksionuar një gjë e tillë. “Ne nuk e përmendëm hapjen e kutive apo rinumërimin e kutive. Pse? Sepse po presim disa përparime në këtë drejtim. Dhe ndaj në deklaratën tonë nuk bëmë asnjë propozim në lidhje me Komisionin e Venecias apo hapave të tjerë. Por nëse kjo mosmarrëveshje vazhdon apo ka interpretime të ndryshme të kësaj, sigurisht që ne do të japim opinionin tonë për këtë në të ardhmen. Por për momentin ne po presim përparime pozitive për këtë”, u shpreh presidenti i Asamblesë, Mevlut çavusoglu. Presidenti e ka theksuar se opozita duhet të futet menjëherë në Parlament. “Që tani. Menjëherë do të thotë menjëherë. Shumë e qartë. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve. Dhe ky delegacion, komiteti presidencial, përshirë bashkëraportuesit, nuk është në anën e askujt. Ajo që na lipset, është një zgjidhje, progres, fundi i krizës, fundi i bojkotit. Dhe gjithashtu si Asamble Parlamentare ne po presim disa përparime në lidhje me Kodin Zgjedhor dhe disa amendamente te Kushtetutës, çka gjendet edhe në Rezolutën tone. Që të behet kjo, kjo krizë duhet te marrë fund. Ndaj ne po u kërkojmë të dy palëve që të arrijnë në një zgjidhje. Jo një partie apo një grupi, opozitës apo Qeverisë, se ne nuk mund te vihemi në atë pozicion. Ne i jemi mirënjohës presidentit Topi për rolin e tij si ndërmjetës midis partive politike për gjetjen e zgjidhjes. Sigurisht ne jemi këtu për t’i mbështetur”, theksoi çavosglu. Ai theksoi se “në rast se ka mosmarrëveshje, ajo duhet të trajtohet brenda kuadrit kushtetues. Vendi ka një Gjykatë Kushtetuese, ka një Kushtetute dhe ka edhe mekanizma të tjerë këshillimore si për shembull Komisioni i Venecias. Nëse lind nevoja në të ardhmen, sigurisht që mund të përdoren këto mekanizma”. “Ajo që nxisim është që opozita duhet të kthehet në Parlament. Dhe ajo nuk duhet të kthehet në Parlament vetëm për një kohë të shkurtër apo për një ditë, por ne e nxisim atë që të qëndrojë dhe të marrë pjesë në punimet e Parlamentit”, theksoi çavosoglu. Presidenti i Asamblesë së KiE nuk ka preferuar që të përgjigjet nëse misioni i tij dështoi në arritjen e një konsensusi mes PS-së dhe PD-së, duke lënë të nënkuptojë që organizmi që ai drejtoj së bashku me dy raporterët.

deklarata

Liderët e “PACE” u kërkojnë partive shqiptare të përfundojnë krizën aktuale politike
Në fund të vizitës së tyre në Shqipëri, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), Mevlüt Kavusoglu, udhëheqësit e pesë grupeve të Kuvendit politik dhe bashkë-raportuesit e monitorimit për Shqipërinë, iu bënë thirrje dje partive shqiptare për t’i dhënë fund krizës aktuale politike në vend në mënyrë që të vazhdojnë me reformat e nevojshme jetike.
Ata besojnë se mungesa e dialogut parlamentar dëmton funksionimin demokratik të institucioneve të shtetit. Ata vërejnë se si Partia Demokratike dhe Partia Socialiste e kanë mirëpritur Rezolutën 1709 të PACE mbi funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri, e miratuar në seancën plenare në janar, si përgjigje ndaj së cilës Presidenti Topi organizoi një tryezë të rrumbullakët me krerët politikë shqiptarë më 13 shkurt 2010. Delegacioni përgëzoi Presidentin dhe e inkurajon atë për të vazhduar përpjekjet e tij.
Delegacioni arriti në përfundimin se zgjidhja e krizës aktuale politike mund të bazohet në parimet e mëposhtme:
- Krijimi pa vonesa të mëtejshme i një komisioni parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të qershorit 2009, i kryesuar nga përfaqësues të opozitës dhe në të cilën opozita do të ketë një shumicë efektive;
- Ky komitet i hetimit do të përgatisë amendamentet në Kodin Zgjedhor në përputhje me rekomandimet e misionit vëzhgues ndërkombëtar dhe të Rezolutës 1709;
- Opozitës t’i jepet një ndarje e drejtë në kryesitë e komisioneve parlamentare.
Për sa i përket komisionit hetimor e termave të referencës, delegacioni i PACE vë në dukje se të dyja palët pajtohen se kjo duhet të trajtohet brenda kuadrit kushtetues të Republikës së Shqipërisë.
Delegacioni konsideron se kjo është e mjaftueshme për të mundësuar pjesëmarrjen e përhershme të opozitës në punën e Parlamentit. Delegacioni u kërkon atyre që ta bëjnë këtë pa vonesa të mëtejshme.
Gjatë vizitës së tyre, delegacioni u takua me Presidentin e Republikës, Kryetaren e Parlamentit, Kryeministrin, krerët e partive politike dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.
Vizita ishte një përgjigje ndaj kërkesës së bërë nga Asambleja në Rezolutën 1709 të saj, për “të mbështetur procesin e zgjidhjes së situatës aktuale politike dhe për të ndihmuar Presidentin Topi në rolin e tij të ndërmjetësimit dhe përpjekjet e tij për të rivendosur dialogun politik”.

Asambleja
Delegacioni, i KiE prenotoi hotelin për 4 ditë

Pas përfundimit të konferencës për shtyp, i gjithë delegacioni i Asamblesë së Këshillit të Evropës i është drejtuar sportelit të “Rognerit” për të mbyllur llogaritë dhe prenotimin përpara kohe të dhomave. Sipas burimeve pranë KiE-s prenotimi i hotelit ishte bërë për katër ditë, edhe pse misioni ishte parashikuar për dy ditë gjithsej. Mbyllje e negociatave pa ndonjë sukses, duket se ka ndikuar në largimin e rrufeshëm të delegacionit të posaçëm të Asamblesë së KiE prej 7 vetash, që kryesohej nga ana e presidentit çavosglu.

Uidhers, Bosch dhe Montobio ndjekin nga afër konferencën
Qëndrimi i Asamblesë së KiE për situatën politike ka tërhequr vëmendjen jo vetëm opinionit publik shqiptar, por edhe të përfaqësuesve të trupit diplomatik. Ambasadorët e SHBA-së, Spanjës, Britanisë së Madhe dhe OSBE-së kanë qenë në hollin e hotel “Rogner” për t’u njohur paraprakisht me konkluzionet e Asamblesë së KiE si dhe me rekomandimet për zgjidhen e krizës politike. Pak minuta përpara nisjes së konferencës për shtyp, ambasadorët Uidhers, Montobio dhe Bosch kanë lënë hotel “Rogner”. Ndërsa britanikja Fiona McIlwham e ka ndjekur vetë konferencën për shtyp dhe nuk ka ngurruar të mbajë shënime, duke u kthyer në rolin e një gazetareje. Më pas diplomatja britanike, pas përfundimit të konferencës, ka pirë një kafe me raporterin britanik Wilshire.

Svoboda: PS të hyjë në Kuvend

Aristir Lumezi

“Socialistët të hyjnë në Parlament dhe të kërkojnë transparencën e zgjedhjeve”. Situata politike në Shqipëri solli në Tiranë nënkryetarin e grupit të deputetëve socialistë të Parlamentit Evropian, Hannes Svoboda, i cili zhvilloi një takim në selinë rozë me kreun e PS dhe deputetë të saj. Pas takimit të zhvilluar në zyrën e Edi Ramës dhe të pranishëm ishin një numër i madh deputetësh e sekretarësh, si Gramoz Ruçi, Ermelinda Meksi, Valentina Leskaj, Arta Dade, Blendi Klosi, Besnik Bare, Fatmir Xhafaj, Namik Dokle, Ethem Ruka, Taulant Balla dhe Arben Ahmetaj,
Svoboda dhe Rama dolën në një konferencë për shtyp për gazetarët. Nënkryetari i grupit parlamentar të socialistëve evropianë në PE, i bëri thirrje socialistëve shqiptarë të hyjnë në Parlament dhe aty të kërkojnë hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Një prej zgjidhjeve është që PS të kthehet në Parlament dhe të propozojë kërkesën e saj për transparence. Dhe me pas, çështja të çohet në Komisionin e Venecias dhe të kërkohet hapja e kutive. Në këtë komision çështja do të diskutohet me urgjencë që të mos zgjasë muaj e muaj pa fund”, theksoi Svoboda. sipas tij, “PS, pavarësisht ankesave për padrejtësi, pranoi rezultatin e zgjedhjeve dhe është e logjikshme që kjo parti të kthehet në Parlament. Por PS nuk mund ta ndalë luftën për transparencë. Mesa kam folur me anëtarët e delegacionit Këshillit të Evropës, ata e mbështesin këtë betejë për transparence”, u shpreh Svoboda. Nënkryetari i Grupit socialist të Parlamentit Evropian, e konsideroi hyrjen e deputetëve socialistë në Parlament, si një lëshim të PS për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës, dhe i kërkoi Qeverisë që edhe ajo të bëhet bashkëpunuese. “Pres që Qeveria të jetë bashkëpunuese sepse edhe ata janë të interesuar për legjitimitetin. Kompromisi është kompromis dhe ai nuk mund të jetë vetëm nga Partia Socialiste. Ka 15 vjet që ne zhvillojmë takime dhe shikojmë se kundërshtimi i zgjedhjeve është i vazhdueshëm dhe kjo nuk duhet të ndodhë më”, deklaroi Svoboda.
Rama
Kryetari socialist Edi Rama tha dje paradite gjatë një konference për shtyp, menjëherë pas deklaratave të kryetarit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, se socialistët nuk do të negociojnë me transparencën e zgjedhjeve. “Ne nuk e negociojmë transparencën, por për transparencën jemi të gatshëm që të dëgjojmë çdo ide, çdo sugjerim dhe propozim aq më tepër kur këto propozime vijnë nga miq dhe partnerë të çmuar që janë rreshtuar krah për krah me ne, duke kërkuar transparencën e plotë duke nisur me hapjen e kutive”, u shpreh Rama. Kryetari socialist tha dje se nuk do të ndërpresë bojkotin, nëse pengohet në mënyrë antikushtetuese për të hetuar zgjedhjet.
“Pa hapje të kutive nuk ka zgjidhje të krizës dhe as rifillim të jetës parlamentare normale. Ne e tregojmë me fakte, e tregon edhe koha, se dimë ta lexojmë Kushtetutën tonë dhe nuk mund të lëshojmë të drejtën themelore kushtetuese që na garanton edhe transparenca e zgjedhjeve, për shkak se zoti Berisha nuk e pranon këtë, me argumente të paqena. Këtë të drejtë do ta kërkojmë me të gjitha rrugët demokratike, si e vetmja mënyrë për të zgjidhur krizën politike në Shqipëri, sepse nuk është një krizë juridike procedurale”, u shpreh Rama. Ai i bëri thirrje Kryeministrit Berisha se nuk është në këtë betejë për ndonjë Pazar. “I them publikisht Sali Berishës se kjo betejë nuk është për një pazar, por për një parim”, u shpreh Rama.

Kryeministri përshëndet deklaratën e delegacionit të KiE
Berisha: Ftoj Ramën ta ngremë komisionin hetimor për zgjedhjet

Kryeministri Sali Berisha dha dje garanci për të ngritur komisionin hetimor parlamentar ashtu siç përcaktohet në deklaratën e delegacionit të KiE-së. “Dua të garantoj Presidentin, Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, se koalicioni qeveritar është dakord pikë për pikë me këtë deklaratë dhe ka bindjen se kjo deklaratë është një kontribut thelbësor në normalizimin e situatës aktuale të krijuar nga bojkoti i opozitës. I bëj thirrje kryetarit të Partisë Socialiste, i cili pati rastin gjatë këtyre ditëve të shohë vullnetin tim të qartë, të palëkundur, për kompromise, koncesionet e nevojshme, në mënyrë që opozita të zërë vendet në Parlament”, u shpreh Berisha në një konferencë për shtyp, pak momente pas konferencës për shtyp së KiE, ku delegacioni ndërkombëtar i bëri thirrje politikës shqiptare të rigjejë dialogun dhe t’i japë fund krizës politike, që sipas tyre po stopon punën e institucioneve shtetërore. Për kreun e Qeverisë dhe të maxhorancës parlamentare nuk mungon vullneti për të ngritur komisionin hetimor të përbashkët. “Unë e garantoj se që në mbledhjen e parë të Kuvendit, ne jemi të gatshëm, që në prani të deputetëve socialistë, së bashku me ta, të ndërtojmë komisionin, jemi të gatshëm t’u japim shumicën dhe kryesinë e komisionit. Pra unë them se në parimet e vendosura, qëndron edhe çelësi i të gjithë zgjidhjes së problemit”, u shpreh Berisha.
Lidhur më deklaratën e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KiE), Berisha e vlerësoi maksimalisht impenjimin e tyre në zgjidhje të situatës politike në vend.
Berisha tha se shpreson dhe kundërshtari politik t’i përgjigjet me të njëjtën frymë deklaratës së KiE. “Shpresoj që Rama t’i përgjigjet me të njëjtën frymë kësaj deklarate”, u shpreh Berisha. sipas Kryeministrit Berisha, edhe kryetari i opozitës Edi Rama duhet t’i përgjigjet me veprime konkrete të gjitha rekomandimeve të deklaratës së ndërkombëtarëve. “Unë jam i gatshëm që t’i përgjigjem me veprimet konkrete dhe pritet që edhe zoti Rama t’i përgjigjet me veprime konkrete. Unë pres, sigurisht dhe kjo është shumë e qartë këtu në deklaratë, ku thuhet, ‘u kërkon atyre pa vonim të mëtejshëm të jenë në Parlament’. Eshtë kristal e qartë”, u shpreh ai. I pyetur nga gazetarët në konferencën e djeshme për shtyp rreth mundësisë së deputetëve socialistë për të hyrë menjëherë në Kuvend dhe për të lënë bojkotin, Kryeministri u shpreh se do të mirëpriste këtë veprim që në seancën e parë parlamentare. “Nuk më takon mua të bëj profetin, ju e keni vënë re, unë po merrem me deklaratën. Uroj edhe një herë që edhe zoti Rama të shprehë të njëjtin vullnet siç e shpreha unë për këtë deklaratë dhe bashkërisht të fillojmë jo më datën 4, por që pasnesër jetësimin, materializimin e saj, në interesin më të mirë. Unë kam besim, kam shpresë se ky është një dokument që meriton mbështetje të plotë”, u shpreh Berisha. E hëna e kësaj jave ishte mjaft e ngjeshur në takime me përfaqësuesit e politikës shqiptare dhe delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Tiranë. Edhe pse delegacioni evropian takoi në Presidencë, pasditen e të hënës Ramën dhe Berishën për gjetjen e një zgjidhje të krizës, zgjidhja nuk u gjet por, palët treguan pas deklaratës përfundimtare të delegacionit të KiE-së se shprehin vullnet për gjetjen e një zgjidhjeje.

“Pa u kthyer PS në Parlament nuk shkohet asgjëkund”

Ilir Nishku/BBC

Parlamentarët e Këshillit të Evropës janë optimistë në zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri dhe thonë se hapi i parë duhet të jetë kthimi i Parlamentit në funksion të plotë. Bashkëraporteri për Shqipërinë, deputeti konservator britanik David Wilshire tha në një intervistë për BBC-në, se ai ende priste të kishte vështirësi në zgjidhjen e krizës, por se ata ishin të gatshëm të ndihmonin në kapërcimin e problemeve. Wilshire shprehet se garancia për zgjidhjen e krizës do të vinte nëse partitë politike në Shqipëri do të kishin besim te njëra-tjera. "Shpresoj që tani opozita do të shkojë në Parlament, gjë që do të ishte hapi i parë dhe do të shënonte njëfarë përparimi. Opozita do të përpiqej të diskutonte atje me Qeverinë shqetësimet e veta", shprehet Wilshire. Sipas tij problemet mes partive duhet të zgjidhen hap pas hapi. "Nëse ndihmuam për kthimin e opozitës në Parlament dhe shënuam përparim, atëherë nëse dalin probleme të tjera, ne do të shohim se si mund të ndihmojmë t'i zgjidhim edhe ata, e kështu me radhë. Pra, një përparim hap pas hapi, jo një zgjidhje e plotë brenda një minute", theksoi raporteri i KiE.
A jeni optimist se do të ketë një zgjidhje të krizës së shpejti?
Kam një optimizëm të arsyeshëm se ne do t'i shohim ata që të ndërmarrin hapin e parë, apo ndoshta dy-tre hapat e parë, drejt një zgjidhjeje të plotë, por nuk pres një zgjidhje të plotë që nesër në mëngjes.
Në Shqipëri komentohen shumë ato që ndërkombëtarët u thonë politikanëve shqiptarë lidhur me këtë çështje. çfarë u thatë ju partive qeverisëse dhe të opozitës?
Ne u kemi thënë atyre të njëjtën gjë. Në fillim ne i kemi dëgjuar ata, kemi dëgjuar shqetësimet e tyre dhe vështirësitë e tyre. Ne i thamë të gjithëve, në të gjitha takimet, se arsyeja pse ne jemi këtu është që t'i ndihmojmë ata që të kthehen në një Parlament me funksionim të plotë.
A mendoni ju se me propozimet që keni bërë juve partitë do të mund të kapërcejnë mosmarrëveshjet e tyre? Le t'ju kujtoj se partia e opozitës thotë se ajo mund të kthehet në Parlament, por se ata duan një hetim të plotë të zgjedhjeve...
Le të shohim se çfarë do të ndodhë. Hapi i parë duhet të jetë që opozita të kthehet në Parlament dhe deri sa të ndodhë kjo nuk shkohet gjëkundi. Dhe ne presim hapin e parë që opozita të kthehet në Parlament. Nuk kam shumë dyshim se pas kësaj do të ketë vështirësi. Mendoj që ju do ta shihni se do të flisni me mua dhe kolegët e mi në Tiranë përsëri para se të kalojë shumë kohë.
A e konsideroni ju veten si garantues të mundshëm të një zgjidhjeje të krizës?
Jo. Të jashtmit mund të ndihmojnë që të ketë lëvizje. Për ndryshimet, marrëveshjen dhe zbatimin e saj, garancitë duhet të vijnë nga brenda Shqipërisë, duke krijuar besim midis partive politike. Nëse kjo nuk ndodh, ne nga jashtë nuk mund të bëjmë gjë, por ne jemi të gatshëm që të ofrojmë ndihmë çdo herë.
Opozita shpreh dyshimin se nëse ajo shkon në Parlament, mund të mos marrë atë që kërkon. A ju ka kërkuar opozita që ta garantoni se Qeveria do t'u përmbahet premtimeve?
Opozita nuk na kërkoi të garantonim asgjë. Askush nuk na kërkoi të jepnim garanci për asgjë. Kjo, sepse po të më ishte kërkuar nëse mund të garantoja diçka, përgjigja ime e thjeshtë do të kishte qenë "jo, nuk mundem!". Unë jam një i huaj në vendin e dikujt tjetër. Të vetmit që mund të japin garanci janë shqiptarët. Ne jemi këtu për të ofruar mbështetje, inkurajim e ndihmë, por zgjidhja gjendet brenda vendit dhe jo nga të huajt që vijnë këtu për t'u treguar njerëzve se çfarë duhet të bëjnë.
A jeni të inkurajuar nga sa keni dëgjuar gjatë ditëve të fundit nga politikanët shqiptarë?
Mendoj se po. Nëse do të kisha ardhur këtu me mendimin për të gjetur një zgjidhje të plotë brenda një vizite, atëherë do të isha zhgënjyer. Por unë nuk u nisa për në Shqipëri me atë mendim. Unë erdha këtu për të parë nëse ne mund të ndihmonim që partitë politike shqiptare do të hidhnin hapin e parë drejt një zgjidhjeje të plotë. Dhe shpresoj se, sikur këtë bisedë ta zhvillonim pas një jave, unë do të kisha qenë në gjendja t'ju tregoja për hapat e hedhur. Por sigurisht, që për gjetjen e një zgjidhjeje të plotë do të duhet kohë e gjatë.
Duke pasur parasysh kërkesat e opozitës dhe premtimet e Qeverisë, cila mendoni se do të jetë zgjidhja e krizës? A do të hyjë opozita në Parlament dhe Parlamenti do të kryejë një hetim për zgjedhjet?
Ndonjëherë më pëlqen të besoj në zgjuarsinë time, por nuk jam aq i zgjuar sa të parashikoj të ardhmen. Nuk e di se kur do të kemi një përgjigje. Ne duhet të hedhim disa hapa, por fatkeqësisht forma e zgjidhjes nuk është në dorën time. Dua t'ju them se shpresoj që zgjidhja e plotë, e çfarëdo forme të jetë, të çojë drejt funksionimit të mirë të demokracisë në Shqipëri.
Pra, ajo që ju po inkurajoni është që opozita të hyjë në Parlament dhe atje të diskutojë për shqetësimet që ka?
Po. Shpresoj që tani opozita do të shkojë në Parlament, gjë që do të ishte hapi i parë dhe do të shënonte njëfarë përparimi. Opozita do të përpiqej të diskutonte atje me Qeverinë shqetësimet e veta. Nuk do të isha çuditur sikur ata ta kishin të vështirë e madje edhe të pamundur për të arritur një marrëveshje, por në atë moment ne do të ofronim të shkonim përsëri në Shqipëri për t'i ndihmuar në zgjidhjen e problemit tjetër. Nëse ndihmuam për kthimin e opozitës në Parlament dhe shënuam përparim, atëherë nëse dalin probleme të tjera, ne do të shohim se si mund të ndihmojmë t'i zgjidhim edhe ata, e kështu me radhë. Pra, një përparim hap pas hapi, jo një zgjidhje e plotë brenda një minute.

Ministrat e BE: Kriza të zgjidhet para opinionit të KE për Shqipërinë
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian presin që situata politike në vend të përmirësohet përpara hartimit të opinionit nga komisioni mbi statusin kandidat të Shqipërisë. "Para se gjithash, të gjithë ne shpresojmë që situata politike në Shqipëri të kthehet në vendin e duhur, që opozita te hyje në Parlament. E kuptoj që Presidenti po drejton bisedimet për gjetjen e një zgjidhjeje dhe shpresojmë që ai ta gjejë zgjidhjen, sepse kjo do të ishte në të mirë të vetë Shqipërisë në radhë të parë, për sa i takon statusit kandidat. Ne shpresojmë që të punojmë së shpejti mbi këtë aplikim në Këshillin e Ministrave të Jashtëm. Shqipëria tani po përgatitet ndaj pyetësorit. Pas kësaj çështja i kthehet Komisionit, i cili merr ca kohë për përgatitjen e opinionit. Gjatë kësaj kohe të gjitha problemet në Shqipëri shpresoj të jenë zgjidhur", deklaroi për "Top Channel", Ministri i Jashtëm slloven Samuel Zbogar. Ministri portugez për çështje evropiane, Pedro Lourtie deklaroi se "stabiliteti politik është i rëndësishëm dhe po ashtu dhe konsolidimi i institucioneve demokratike. Ekziston një proces, i cili duhet ndjekur e kritere që duhen përmbushur, ndaj negociatat do të ndiqen deri ne fund". Ndërsa Ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt pohoi: "Kjo është çështje e brendshme e Shqipërisë, por na vjen keq dhe i kërkojmë opozitës të kthehet në Kuvend dhe që për këtë të ketë një dialog që ta zgjidhë këtë çështje në veçanti. E sigurisht që shpresoj që situata aktuale të zgjidhet shumë më përpara opinionit të Komisionit për Shqipërinë". Ministri i Jashtëm i Finlandës, Alexander Stubb theksoi për Top Channel se: "është shumë e vështirë që të gjykosh për këtë, pasi të gjitha vendet e Ballkanit kanë një proces politik e disa prej vendeve janë më shumë problematike sesa të tjerët, kështu që duhet parë efekti përfundimtar". Për sa i takon liberalizimit të vizave nuk ka një date të qarte se kur do të hyjë në fuqi heqja e këtij regjimi me shqiptaret dhe boshnjakët. Sllovenia shpreson që të paktën politikisht të jepet një mesazh pozitiv në qershor për dy vendet e prapambetura, por gjithçka varet nga vlerësimi i Komisionit për plotësimin e kritereve të kërkuara. "Ne po punojmë që të ndodhë gjatë qershorit, ndaj shpresojmë shumë që të bëhet nga qershori. Mendoj është shumë e rëndësishme që ne të përcjellim këtë mesazh ndaj qytetarëve të Shqipërisë dhe Bosnjës gjatë presidencës spanjolle", deklaroi Zgobar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›