E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Hetim korrupsionit, pavarësisht imunitetit”



Fatos Mahmutaj

“Qeveria duhet të amendojë Kodin e Procedurës Penale në mënyrë që t’i japë mundësi zyrës së prokurorit të fillojë hetimet e zyrtarëve të lartë, përfshi ministra dhe gjykatës, pa pasur nevojë që fillimisht të hiqet imuniteti i tyre”. Rekomandimi vjen nga Philip Alston, Raportuesi i Posaçëm të Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, për Ekzekutimet Jashtëgjyqësore ose Arbitrare, i cili përfundoi dje në vendin tonë misionin 8 ditor, të nisur më datë 15 shkurt. Sipas tij, çështja e heqjes së imunitetit duhet të trajtohet vetëm në rast se Prokuroria ka të dhëna të mjaftueshme për të ngritur akuza. Duke e komentuar këtë, gjatë prezantimit të deklaratës për shtyp Alston pohoi se: “Nëse një gjyqtari apo funksionari tjetër të Drejtësisë i thuhej: ‘Unë do të heq imunetitin dhe do të hetoj nëse ti do vjedhësh’, atëherë është e sigurt që ai nuk do bëjë më korrupsion, kështu që është mirë të punosh gjykatës në Shqipëri”. Më tej ai pohoi se qeveria shqiptare duhet të zhvillojë kapacitete dhe ekspertizë në radhët e statisticienëve dhe analistëve të INSTAT-it dhe në ministritë përkatëse që të mbledhin të dhëna, që kanë të bëjnë me Drejtësinë Penale në përputhje me standardet e pranuara ndërkombëtare, për të siguruar mundësinë e të gjithë aktorëve që të ndërmarrin vendime të shëndosha lidhur me politikat. Po kështu Alston i ka rekomanduar qeverisë shqiptare se duhet të hartojë kritere dhe procedura që sigurojnë profesionalizëm të lartë, pavarësi dhe integritet të gjykatësve, sidomos në lidhje me Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Ndërsa duke folur për çështjen “Gërdeci”, Alston tha se Prokurori i Përgjithshëm duhet të garantojë se ngjarjet që çuan në shpërthimin e Gërdecit do të hetohen plotësisht, të gjitha palët përgjegjëse do të gjykohen, dhe, aty ku është e nevojshme, të bëhen kërkesa për heqjen e imuniteteve. “Do të doja të theksoja rëndësinë e hetimeve për Gërdecin. çdo shoqëri duhet të hetojë në mënyrë efektive akuzat që u bëhen politikanëve që janë ende në pushtet. është shumë e rëndësishme për Shqipërinë që të demonstrojë se mund të merret me këtë çështje dhe jo thjesht ta politizojë dhe të dështojë në marrjen e masave efektive” komentoi Alston duke shtuar se nuk duhet të pengohet një hetim efektiv. “E kuptoj kompleksitetin e krijuar nga vendimi i gjykatës, kuptoj situatën e vështirë, ku Prokuroria ndodhet duke u përpjekur të ecë përpara. Do të doja të thosha, të ecet përpara në mënyrë efektive në heqjen e imunitetit të çdo anëtari të Parlamentit, dhe kjo duhet bërë, nuk duhet të pengohet një hetim efektiv. Por nuk më takon mua t’i them sistemit gjyqësor apo qeverisë shqiptare se si të veprojë me këtë çështje tani e tutje”, komentoi Alston. Po kështu gjatë konferencës së djeshme, i dërguari i posaçëm i OKB-së i kushtoi rëndësi të veçantë fenomenit të gjakmarrjes, nga pasojat e të cilit shoqëria shqiptare vuan prej rreth 20 vitesh. Duke vlerësuar edhe progresin e bërë në këtë drejtim, Alston pohoi se dëshira e kuptueshme e Qeverisë për ta konsideruar gjakmarrjen si një artifakt krejtësisht historik, nuk duhet ta pengojë atë në shqyrtimin e ndërmarrjes së disa masave. Më në fund Alston komentoi edhe dhunën në familjet shqiptare. Referuar raportit të marsit 2009, të INSTAT, Alston tha se 31% e grave shqiptare kanë përjetuar dhunë në familje. “Sipas të dhënave zyrtare, 15 gra janë vrarë si rezultat i dhunës në familje gjatë dy viteve të fundit. Këto shifra ka mundësi të jenë më të ulëta se realiteti, për shkak të kufizimeve të statistikave të Qeverisë lidhur me shkakun e vdekjes, raportimit të kufizuar nga ana e anëtarëve të familjes të shkaqeve “private” të dhunës dhe vdekjes, dhe mundësisë për mos njoftimin e shtetit lidhur me vdekjet, sidomos në zonat rurale ose ngulimet informale”, përfundoi Alston.

rekomandimet

Gjakmarrja
- Ngritja e Sekretariatit për Komitetin e Koordinimit të Gjakmarrjes.
- INSTAT të ndërmarrë një anketim dhe analizë statistikore, lidhur me gjakmarrjen dhe mbizotërimin e manifestimin e saj në shoqërinë shqiptare.
- Nxitja e kërkimeve ndërdisiplinore, përfshi shkaqet dhe mjetet për t’i dhënë fund vrasjeve dhe ngujimit. Kjo ndoshta mund t’i besohet një instituti të ri kombëtar të Kriminologjisë.
- Konsultimi me studiuesit më në zë dhe drejtuesit e grupeve fetare për të përcaktuar se cila është rruga më e mirë për Qeverinë që të mund të: (a) kryejë ndërgjegjësim për t’i dhënë fund ngujimit të familjeve nga gjakmarrja; (b)të ndërmjetësojë forma më efikase të pajtimit nga liderët e komunitetit që kanë peshë; dhe të (c) garantojë se ndërmjetësit nuk kanë konflikt potencial interesi të çfarëdo lloji me këtë çështje.
- Garantimi se arsimimi përfshin një theks të veçantë tek të drejtat individuale të njeriut dhe në mënyrë specifike zhvlerëson mesazhin e kundërt që jepet nga pjesët përkatëse të kanunit.

Dhuna në familje
-Qeveria të ndjekë çështjen e garancisë se programit dhe strehëzat do të marrin financim prej saj. Programet do të kenë nevojë të vazhdojnë të mbështeten dhe zhvillohen në afat të gjatë kohor, në mënyrë që të zhduken pikëpamjet patriarkale që çojnë në dhunë, dhe për të rritur mundësinë e viktimave për të pasur akses në drejtësi.

Gërdeci
-Prokurori i Përgjithshëm duhet të garantojë se ngjarjet që çuan në shpërthimin e Gërdecit do të hetohen plotësisht, të gjitha palët përgjegjëse do të gjykohen, dhe, aty ku është e nevojshme, të bëhen kërkesa për heqjen e imuniteteve.

Krimet e komunizmit
- Ngritja e një komisioni kombëtar për kryerjen e një hetimi të pavarur, sistematik dhe të qëndrueshëm të shkeljeve të komunizmit. Qeveria duhet të sigurojë që institutit t’i jepet akses i plotë në çdo burim të mundshëm informacioni lidhur me këtë periudhë dhe që të jetë në gjendje të përdorë pushtetin e vet për t’i paraqitur raste specifike Prokurorisë për shqyrtim.

reformat kundër korrupsionit
-Qeveria duhet të hartojë kritere dhe procedura që sigurojnë profesionalizëm të lartë, pavarësi dhe integritet të gjykatësve, sidomos në lidhje me Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.
-Qeveria duhet të mendojë Kodin e Procedurës Penale në mënyrë që t’i japë mundësi zyrës së prokurorit të fillojë hetimet e zyrtarëve të lartë, përfshi ministra dhe gjykatës, pa pasur nevojë që fillimisht të hiqet imuniteti i tyre.
-çështja e heqjes së imunitetit duhet të trajtohet vetëm në rast se Prokuroria ka të dhëna të mjaftueshme për të ngritur akuza.

“Njohja e Kanunit një shkak për refuzimin e tij”

Philip Alston, reporteri i posaçëm i OKB në Shqipëri gjatë ditës së djeshme vuri theks të veçantë në forcimin e ligjeve dhe ndëshkimin e ashpër të krimeve të ndodhura në bazë të kanunit. Sipas tij një nga mënyrat efikase të luftës kundër gjakmarrjes mund të ishte edukimi dhe arsimimi i komunitetit me rregullat e kanunit. “Kjo përfshin jo vetëm edukimin e qytetarëve me sistemin formal të drejtësisë por edhe kundërshtimin e nocioneve të vjetruara, sipas së cilave ndëshkimi kolektiv është i pranueshëm. Garantimi se arsimimi i të gjitha niveleve përfshin një theks të veçantë tek të drejtat individuale të njeriut dhe në mënyrë specifike zhvlerëson mesazhin e kundërt që jepet nga pjesët përkatëse të kanunit”, argumentoi Alston. Gjatë fjalës së vet ai theksoi se roli i qeverisë në pajtimin e familjeve në gjak, ishte shumë i vogël, saqë deri tani u është lënë në dorë thuajse plotësisht vetë familjeve dhe shoqërisë civile. “Një numër bashkëbiseduesish më informoi se ata i ishin drejtuar Qeverisë për ndihmë për t’i dhënë fund ngujimit të tyre nëpërmjet pajtimit, porse Shteti kishte bërë pak në këtë drejtim”, tha Alston. f.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›