Fair-play, Shqipëria, e 49-a, humb 18 pozicione
Leonard Karaj
Shqipëria renditet e 49-ta në Evropë përsa i përket klasifikimit fair-play, nga 53 federata të UEFA-s, pjesëmarrëse duke lënë pas vetëm vende si San Marino, Litenshtejni, Luksemburgu dhe Andora.Renditja fair-play e organizuar nga UEFA konsiston në respektimin e përpiktë të rregullores gjatë një ndeshje futbolli në Kupat e Evropës karshi kundërshtarit, tifozëve dhe arbitrave. Në bazë të sjelljes së skuadrave bëhet edhe vlerësimi, i cili lejon në fund që tri vendet e para në këtë renditje të mund të marrin pjesë me një skuadër më shumë në Europa League. Madje, edhe duke nisur startin e ndeshjeve jo nga turi pre-eliminator por nga raundi i parë eliminator sikur ekipi të kishte fituar Kupën e vendit të tij. Natyrisht që në këtë rast nuk ka sesi të përfitojë Shqipëria, e cila ka bërë shumë hapa prapa në krahasim me vitin e kaluar. Klasifikimi i vjetshëm e poziciononte vendin tonë në vendin e 31-të, plot 18 pozicione më mirë duke lënë pas shtete si: Hungaria, Bjellorusi, Rumania, Bosnja, Greqia, Turqia, Kroacia, Bullgaria, Maqedonia, etj.
Kriteret
Si kriter bazë për renditjen fair-play nga specialistët e UEFA-s merren kartonët e verdhë dhe të kuq që një skuadër merr gjatë ndeshjeve në Kupat e Evropës. Natyrisht sa më shumë kartonë të marrësh aq më negativ do të jetë klasifikimi, i cili merr për bazë ndeshjet që luhen në harkun kohor 1 maj - 30 prill. Përpjestimi i kartonëve bëhet në bazë të mesatares së ndeshjeve që luajnë skuadrat e një shteti në kompeticionet evropiane. Skuadrat shqiptare kanë luajtur vetëm 24 ndeshje për këtë vit në Evropë, shifër kjo shumë e vogël në krahasim me 108 të ekipeve angleze (të cilat do vazhdojnë ende të luajnë) por gjithsesi kanë treguar jo vetëm ashpërsinë e tyre në fushën e lojës por edhe mos-respektimin e rregullave të lojës përkundrejt vendimeve të arbitrave, kundërshtarit por edhe tifozëve. Kjo gjë ka sjellë edhe degradimin deri në vendet e fundit të renditjes.
Suedia
Momentalisht (konkurrimi vazhdon ende) suedezët kryesojnë ndjeshëm renditjen fair-play të UEFA-s. Në 65 ndeshje që kanë zhvilluar skuadrat e këtij vendi në Evropë kanë mundur të akumulojnë plot 8263 pikë, 106 më shumë se fqinjët danezë, të cilat kanë zhvilluar deri tani 64 ndeshje. Por këta të fundit mund edhe ta rregullojnë renditjen e tyre (ndonëse duket e vështirë) përderisa kanë ende në lojë FC Kopenhagen, skuadër e cila luan në Europa League. Në vend të tretë është Anglia me 1 pikë më pak se Danimarka. Britanikët kanë shumë herë më shumë shanse jo vetëm për të kaluar në vendin e dytë (gjithmonë nëse do të jenë korrektë në ndeshjet e tyre) por edhe për të tentuar kreun e klasifikimit. Vitin e kaluar fitues doli Norvegjia, e cila këtë herë renditet vetëm e 6-ta me 8117 pikë në 62 ndeshje.
Renditja fair-play
Nr. Shteti Pikë ND
1. Suedia 8.263 65
2. Danimarka 8.169 64
3. Anglia 8.168 108
4. Finlanda 8.159 53
5. Irlanda 8.158 47
6. Norvegjia 8.117 62
7. Skocia 8.112 54
8. Gjermania 8.107 106
9. Spanja 8.074 101
......
15. Franca 8.034 92
16. Moldavia 8.002 47
17. Holanda 7.975 89
18. Zvicra 7.974 67
19. Estonia 7.972 41
20. Ir. Veriut 7.961 27
.......
31. Ishjut Faroe 7.855 31
32. Bjellorusi 7.853 55
33. Kazakistani 7.798 38
34. Azerbajxhani 7.790 39
35. Letonia 7.785 51
.......
41. Izraeli 7.690 59
42. Gjeorgjia 7.676 44
43. Malta 7.639 29
44. Greqia 7.610 66
45. Armenia 7.588 37
46. Mal i Zi 7.505 28
47. Bosnja 7.484 44
48. Maqedonia 7.449 32
49. Shqipëria 7.589 24
50. San Marino 7.535 15
51. Litenshtejn 7.374 12
52. Luksemburg 7.340 19
53. Andora 7.337 20