Silvestri: Këngëtarët shqiptarë, pjesë e tregut muzikor
alma mile
Me partiturë në dorë, ai ndjek çdo tingull që del nga kordat zanore të këngëtarëve. Ka ardhur në Tiranë për të parë vetëm një shfaqje të operës së Puçinit, “Manon Lescaut”, e cila mbrëmjen e së shtunës pati ngjitjen e fundit në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Pas një eksperience si këngëtar, prej 10 vitesh Franco Silvestri drejton “Lirica International Opera management”. Detyra e tij është të zbulojë talente në skenat operistike në të gjithë botën dhe më pas t’i lëshojë në tregun ndërkombëtar muzikor. Prej disa kohësh, interesi i tij është shtrirë edhe kah Teatrit shqiptar të Operës. Vjen herë pas here për të parë ndonjë produksion shqiptar, e për të gjetur elementë interesantë. Dikur ka ndihmuar sopranon Ermonela Jaho të ecë përpara dhe sot ajo është një yll i skenave botërore. Të njëjtën gjë po bën edhe me tenorin Armaldo Kllogjeri e sopranon Eva Golemi. Kësaj here, i bëri përshtypje baritoni Armaldo Likaj, i cili në 2-3 vitet e fundit është angazhuar shpesh në skenën e TKOB. Silvestri tregon se çfarë e tërheq në teatrin shqiptar dhe si e sheh të ardhmen e tij.
çfarë e sjell në Tiranë një menaxher të huaj arti?
Po bëhen disa vite që institucionet muzikore italiane kanë interes për Teatrin Kombëtar të Operës së Tiranës. Më përpara, Tirana ishte e njohur vetëm për Shkollën e Harqeve, ndërsa tani ajo është e afirmuar edhe falë këngëtarëve të rëndësishëm shqiptarë që kanë “lindur” në TKOB. Sot bëhet dhe një institucion prodhues veprash, që ka të gjitha kreditet në rregull për t’u bërë një teatër i madh evropian.
Erdhët për të parë shfaqjen e “Manon Lescaut”, ç’përshtypje ju la kjo vënie shqiptare?
Premiera e operës “Manon Lescaut” që munda të ndjek së fundi, është një ndër veprat më të vështira të repertorit puçinian. Realizimi i saj i bën nder çdo teatri në botë. Të shumtë ishin kualitetet që evidentoheshin në të. Orkestra në veçanti, ka dëshmuar të jetë një instrument i ëmbël, drejtuar nga një dirigjent i zoti. Do të jepja vlerësime stimuluese edhe për punën e vështirë që ka bërë kori me këtë partiturë të veçantë. I është dashur të punojë mbi një partiturë me shumë shkëputje, pa pjesë korale të mëdha, të rezervuara enkas për korin dhe pa motive muzikore të njohura nga publiku i madh. Spektakli në tërësi dhe një herë dëshmoi rëndësinë që mund të ketë ajo, që sot konsiderohet paraprakisht “Teatri i Ideve”, për t’i ngelur besnik i alternativës puçiniane, edhe pse nuk zotëron ngarkime skenografike të mundësive të Zefirelit. Spektakli tingëllonte kryesisht madhështor me një regji të kopsitur mirë, por asnjëherë të ekzagjeruar.
Si ju dukën këngëtarët?
Tani dihet që opera “Manon Lescaut” nuk mund të ishte realizuar së pari pa dy protagonistët kryesorë. Eva Golemi në rolin e Manon Lescaut, që i jep titullin veprës, është gjithmonë e adaptueshme, me një vokalitet të rregullt dhe të rëndësishëm operistik. E shoh të bëjë gjithnjë e më shumë, duke mos u braktisur nga muzika dhe pa ngelur e përqendruar shumë mbi aspektet e vështirësive të mëdha e të dukshme teknike të rolit. E njëjta gjë vlen edhe për tenorin Lorenco Decaro që debutoi rolin e Des Grieux. Fillimisht ndjehej të kishte pak druajtje, por që është i destinuar për një karrierë të rëndësishme. Por edhe në vizitat e mëparshme kam pasur mundësi të shoh të tjerë këngëtarë mjaft të mirë. Do të vlerësoja sopranon Mariana Leka për skalitjen e figurave të saj, Sidrit Bejlerin për pjekurinë artistike nga roli në rol, etj. Për vëmendjen e madhe që ndjehet në Operën e Tiranës dhe që institucionet analoge muzikore të vendeve fqinje si Italia, Austria, Greqia, kanë ndaj këtij teatri, besoj se sot është i rëndësishëm një kontribut më i madh nga ana e institucioneve përkatëse, që kanë në dorë ecurinë dhe zhvillimin e tij. është pozitiv fakti që, sa herë që vi, shoh se bëhet diçka për këtë.
Misioni juaj është të gjurmojë talente të reja, e t’i hedhë në tregun botëror, kësaj here, pikasët ndonjë element interesant?
Kësaj here më tërhoqi vëmendjen baritoni Armando Likaj, i cili interpretonte rolin e vëllait Lescaut. është një nga zërat më premtues, i cili jam i bindur që shumë shpejtë do të ketë role kryesore operistike. Do të kisha dashur t’i ofroja një mundësi më shumë, ashtu si edhe këngëtarëve të tjerë të Teatrit të Operës së Tiranës, si tenori Armaldo Kllogjeri, i cili tashmë është pjesë e rrjetit të “Lirica International” dhe ka mundur të interpretojë në skena të rëndësishme italiane, si në Veronë, Bolonjë, Leçe, etj., por që ka nevojë për një zgjerim të repertorit të tij edhe me vepra franceze, gjermane, etj, apo sopranoja Eva Golemi.
Si e shihni të ardhmen e Teatrit shqiptar të Operës?
Sot Teatri i Operës së Tiranës, i cili drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm, maestro Zhani Ciko, i përket pa dyshim të ardhmes. Shoh të “sforcohet” për t’u afirmuar ndërkombëtarisht, si në kohën kur maestro drejtonte orkestrën e harqeve. Këtë të ardhme duhet dhe mund ta bëjnë së pari: këngëtarët, kori, orkestra, teknikët etj., por edhe institucionet dhe mbështetësit e Teatrit të Operës së Tiranës, që po bëhet një kartëvizitë shumë e rëndësishme për gjithë Shqipërinë në përpjekjet e ligjshme të saj për t’u integruar sa më parë në Evropë. Ju siguroj se miq të vërtetë, (unë nuk jam një rast i veçantë), janë po kaq të interesuar, dashamirës dhe të sigurt në të ardhmen e këtij institucioni.