E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reporteri i OKB: Hetim të plotë krimeve të komunizmit



Fatos Mahmutaj

Krimet e komunizmit ishin një nga pikat kryesore të reporterit të OKB, Philip Alston, gjatë misionit të tij në Shqipëri. Duke pohuar se një javë para nisjes së misionit të tij në Shqipëri, një varr masiv i periudhës komuniste me 19 trupa u zbulua në afërsi të fshatit të Linzës, Alston tha se: “Zbulimi përbën një kujtesë të fortë se, njëzetë vjet pas rënies së komunizmit, Shqipëria nuk është marrë në mënyrë të plotë me vrasjet dhe shkeljet e tjera të të drejtave të njeriut të kryera gjatë atyre viteve”. Sipas tij është pranuar gjerësisht se mijëra shqiptarë janë torturuar, ekzekutuar dhe zhdukur nga shteti, por shumë nga familjet e viktimave nuk kanë arritur të mësojnë fatin e të dashurve të tyre, dhe detajet e shkeljeve të regjimit nuk janë nxjerrë në dritë. Nisur nga këto reporteri i OKB rekomandoi dje se Qeveria Shqiptare duhet të konsiderojë ngritjen e një komisioni kombëtar për kryerjen e një hetimi të pavarur, sistematik dhe të qëndrueshëm të shkeljeve të periudhës komuniste. “Deri në atë moment, Qeveria duhet të sigurojë që institutit të propozuar për studimin e shkeljeve të kohës së komunizmit t’i jepet akses i plotë në çdo burim të mundshëm informacioni lidhur me këtë periudhë dhe që të jetë në gjendje të përdorë pushtetin e vet për t’i paraqitur raste specifike prokurorisë për shqyrtim”, tha ai. Duke e argumentuar këtë gjë i dërguari i Ban Ki Moon, shtoi se pa arritjen e një pasqyrimi të plotë, Qeveria nuk do t’i ketë përmbushur detyrimet e saj ligjore ndërkombëtare për hetimin, gjykimin dhe dënimin e shkeljeve. Kjo edhe mund ta lërë vendin peng të së kaluarës së vet ku shkeljet e të drejtave nga ish-zyrtarët nuk pranohet hapur dhe nuk zgjidhen nëpërmjet mekanizmave juridike. Kur shkeljet janë në shkallë të gjerë dhe ende të ngarkuara politikisht, siç është rasti i Shqipërisë, drejtësia mund të zgjidhet më së miri nëpërmjet një komisioni kombëtar i cili mund të kryejë një hetim të pavarur, sistematik dhe të qëndrueshëm të shkeljeve të periudhës komuniste. “Në vend të kësaj, Qeveria ka zgjedhur kohët e fundit ngritjen e një instituti për studimin e shkeljeve të periudhës komuniste, si dhe një grup pune për zbulimin e varreve masive të asaj periudhe historike. U sigurova nga Kryeministri se instituti do të ketë akses të plotë në dosjet e shërbimit sekret dhe të gjitha dosjet e tjera qeveritare të asaj kohe”, përfundoi Alston.

OKB: Brenda 3 muajve raporti për të drejtat e Njeriut

Raportuesi i posaçëm i OKB-së z. Philip Alston vlerësoi dje gjatë një takimi me zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta vendimin e Qeverisë për krijimin e Institutit të krimeve të komunizmit. Përfaqësuesi i OKB-së informoi kreun e diplomacisë shqiptare për vizitën në Shqipëri. “Z. Alston shprehu vlerësimin e tij për iniciativën e Qeverisë shqiptare për krijimin e Institutit për krimet e komunizmit dhe ngritjen e Task-Force për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të viktimave të komunizmit. Në fund të takimit, z. Alston e informoi z. Meta se brenda 3 muajve në vazhdim ai do t’i paraqesë një raport Qeverisë shqiptare lidhur me situatën e të Drejtave të Njeriut në vendin tonë”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Jashtme. Meta i theksoi Alstonit se Qeveria shqiptare po punon në mënyrë intensive për përmirësimin e legjislacionit që mbulon këto fusha, më qëllim përafrimin e tij me legjislacionin e BE-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›