E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate në KLD për “mbrojtjen” e Kolegjit Zgjedhor

Debatet nisën pas letrës që 8 anëtarët e Kolegjit i kishin drejtuar KLD-së ndaj akuzave të Partisë Socialiste, e cila i akuzonte për marrje ryshfeti në lidhje me vendimet e marra për Tiranën. Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, tha se anëtarët e Kolegjit janë zgjedhur me konsensus nga politika.

“Zgjedhjet lokale nuk administrohen nga pushteti gjyqësor, por administrohen politikisht nga institucionet e ngritura nga partitë politike, në rastin konkret nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili është institucion i ngritur politikisht me konsensusin e maxhorancës dhe opozitës. Kolegji Zgjedhor, po ashtu është zgjedhur me short, por me konsensusin e dy partive kryesore", tha Spahiu.

Zv/ministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi, e pranishme në mbledhje, kërkoi mbështetjen e trupës së Kolegjit Zgjedhor nga sulmet e Partisë Socialiste. “Është rasti që së pari të mbështesim fort kërkesën e Kolegjit Zgjedhor”, tha Kasmi. Ajo kërkoi nga KLD-ja që të garantojë mbrojtjen e ushtrimit të qetë të detyrës funksionale të trupës së kolegjit, ashtu sikurse ligji e kërkon.

Duke atakuar KLD-në si institucion politik, zv.ministrja Kasmi u shpreh se, “është vendi që ne të kërkojmë distancimin nga diskutimet politike dhe të kërkojmë garantimin dhe sigurinë e Kolegjit Zgjedhor, mos cenimin e dinjitetit të anëtarëve të Kolegjit, pasi ata janë në ushtrim të detyrës së tyre".

 "Akoma nuk kemi dëgjuar nga Këshilli që distancohet nga fyerjet publike ndaj Kolegjit Zgjedhor. KLD,  ka disa vite që është kthyer në politike. Publikisht kërkoj dhënien e dorëheqjes të të gjithë personave që kanë sjellë politikën brenda KLD-së", tha Kasmi. Ndërkohë, anëtarja e KLD-së, Lefterie Lleshi, kërkoi reagimin e menjëhershëm të KLD-së ndaj akuzave në adresë të Kolegjit Zgjedhor, duke kërkuar këtu ndërhyrjen edhe të presidentit të Republikës, Bamir Topi. /Start/

                                                                                             2011-07-19 14:15
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›