Debate në KQZ për kodet dhe vulat, Basha kryeson me 76 vota
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbylli procesin e numërimit në tre KZAZ, ku kandidati demokrat Lulzim Basha kryeson me 76 vota ndaj rivalit Edi Rama. Vetëm gjatë ditës së djeshme, KQZ përfundoi numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara për dy KZAZ, ato me numër 46 dhe 47, në zbatim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Për KZAZ-në nr.46 të njësisë nr.2 u numëruan 201 kuti, brenda të cilave u gjetën 33 vota të hedhura në kutinë e gabuar për kandidatët e Bashkisë. Nga këto, 21 vota shkuan në favor të kandidatit demokrat Lulzim Basha, ndërsa 12 të tjerat në favor të Edi Ramës. Numërimi i pasdites ezauroi kutitë e KZAZ-së nr.47, ose njësisë nr.3 të kryeqytetit. Nga kjo qendër, KQZ-ja kishte hapur në procesin e parë 11 kuti, ndërsa dje u hapën 117 kutitë e mbetura, nga të cilat vetëm 19 kuti sollën ndryshim rezultati për kandidatët e Tiranës. Në total rezultuan 36 vota të hedhura gabim për kandidatin e PS-së, Edi Rama dhe 20 vota të hedhura gabim për kandidatin demokrat Lulzim Basha. I gjithë procesi i numërimit në KQZ është zhvilluar mes përplasjesh dhe debatesh, të cilat kanë qenë më të ashpra gjatë paradites, kur numëroheshin votat e njësisë 2. Përfaqësuesit e PS-së kërkuan hetim të thelluar për tre raste të mospërputhjes së kodeve të kutive të votimit dhe në një rast, për gjetjen e fletëve të votimit që rezultonin me vulë nga qendra të tjera. Në lidhje me kodet, verifikimet e PS-së zbuluan se nuk rakordonte ai që quhet kodi i pestë. Ky kod është çelësi i sigurisë që montohet në folenë në mes të kutisë, atje ku zgjedhësit hedhin votën e tyre. Katër kodet e tjera janë lidhjet në katër anët e kapakut të kutisë. Pavarësisht kontestimeve të socialistëve, përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, u shpreh se bëhet fjalë për gabime dhe firo normale të numëruesve në KZAZ, gjatë procesit të lodhshëm të administrimit dhe numërimit. “Numëruesit kanë punë vetëm me katër kodet anësore. Me kodin e pestë, që ndodhet në mes të kutisë, kanë punë komisionerët e qendrave të votimit, pra ata që administrojnë procesin, që nga ora 8:00 e ditës së votimit deri në momentin e mbylljes së kutive. Duke qenë se numëruesit në KZAZ nuk kanë punë me këtë kod, ka ndodhur që kanë shënuar vetëm katër të tjerët. Kjo është diçka që ka ndodhur rëndom dhe më parë, është një lapsus njerëzor i disa përfaqësuesve partiakë që kanë bërë numërimin”, -u shpreh Kosovrasti. Paraditja e djeshme në KQZ rezervoi edhe një të papritur. Përfaqësuesi i PS-së kontestoi tri vota të hedhura gabim, vula e të cilave nuk përputhej me vulën e asaj qendre votimi. Në këtë moment, kreu i KQZ-së, Arben Ristani kërkoi dorëzimin e këtyre tri votave në tryezën e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe votat rezultuan në favor të kreut të PS-së, Edi Rama. Pasdite nuk u shënuan debate nga ana e përfaqësuesve të PS-së me kreun e KQZ-së, Ristani, duke sjellë edhe mbylljen e procesit të numërimit në 3 KZAZ-të e Tiranës.
Zarfet e votave, pa
shënime të komisionerëve
Gjatë procesit të djeshëm në KQZ ka pasur kontestime edhe për zarfet e votave të kontestuara dhe të pavlefshme. Gjatë hapjes së tyre, për të gjetur votat e hedhur gabim ka pasur raste kur në këto zarfe nuk kishte shënime komisionerësh. Gjatë ditës së djeshme ka pasur 4 raste të tilla, ku zarfet e votave të kontestuara ishin pa shënimet përkatëse.
KQZ numëron
318 kuti në 1 ditë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hapi dhe numëroi 318 kuti gjatë gjithë ditës së djeshme, në një proces që shënoi mjaft replika dhe debate. Në kutitë e hapura, grupet e numëruesve gjetën 89 vota të hedhura në kutitë e gabuara, nga të cilat 41 shkuan në favor të Lulzim Bashës dhe 48 të tjera në favor të kandidatit socialist, Edi Rama.