E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjata: Ankesë në Kushtetuese? Nuk ndryshon asnjë rezultat

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata, thekson se Gjykata Kushtetuese nuk i hyn themelit të çështjes. I vetmi rekomandim që ajo mund të japë, sipas Gjatës, është përmirësimi i Kodit Zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme

TIRANË Cilado qoftë rruga ligjore, që do të ndjekë Partia Socialiste për Bashkinë e Tiranës, rezultati për kryeqytetin nuk do të ndryshojë nga ai që do të shpallë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ish-Kryetari i KQZ-së, Çlirim Gjata, lë pak shpresa për opozitën në rast se kjo e fundit përdor si gur të fundit, ankimimin në Gjykatën Kushtetuese, një rrugë kjo e kërkuar më së shumti nga drejtuesit e partive të vogla të opozitës. “Gjykata Kushtetuese nuk është shkallë gjykimi. Nuk i hyn problemit se kush ka të drejtë, domethënë sa fletë u gjetën në një kuti, apo në një tjetër. Nuk i hyn themelit të çështjes. Pra, shqyrton vetëm kushtetuetshmërinë. A ka qenë procesi i rregullt, konform gjithë procedurave që parashikon Kodi Zgjedhor, apo jo? Nuk ndryshon rezultatet. Nuk pengon shpalljen e rezultatit. Procesi mbyllet, shpallet rezultati, del fituesi, fillon punën dhe më pas kur të shpallet vendimi, si të thuash, shohim e bëjmë”, - tha Gjata. Në një prononcim për mediat, Gjata shpjegon se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë fuqi prapavepruese. “Nuk merret me këto histori, por thotë vetëm gjërat që vijnë në kundërshtim me Kushtetutën. Mend për tjetër herë”, - shtoi ai. Eksperti ligjor thekson gjithashtu se i vetmi ndikim i Kushtetueses do të jetë rekomandimi që kjo gjykatë mund të bëjë për të përmirësuar Kodin Zgjedhor, por gjithnjë duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme. Gjata sjell në vëmendje gjithashtu edhe kohën e gjatë që zë një shqyrtim ankese në Gjykatën Kushtetuese. “Sikur sot të fillojë Gjykata Kushtetuese, do minimumi 6 muaj, por kësaj çështjeje nuk i dihet se kur do t’i vijë radha. Nëse ajo nesër konstaton pakushtuetshmërinë, mund të shërbejë për të rregulluar ligjin”, - tha ai. Kërkesën për mundësinë e ankimimit në Kushtetuese e ka parashtruar pak kohë më parë edhe ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kujtim Puto. Në një deklarim për mediat të pak kohëve më parë, Puto theksonte se ankesat për shqyrtimin e procesit zgjedhor në Tiranë mund të përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese, për t’u shqyrtuar si një organ me kompetent.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›