E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Tradhtia është kthyer në sistem brenda PS”

Deputeti dhe anëtari i kryesisë, Erion Braçe, i ka propozuar Asamblesë së PS-së të shtunën, pothuaj, një road-map për dy vitet e tjera deri më 2013. Spikat në projektin e Braçes theksimi i nevojës për katër reforma të mëdha që PS duhet të bëjë së bashku me demokratët në Kuvend, që nga ajo kushtetuese e deri te ndarja e re administrative. Por pjesa më e thekshme është ajo që prek PS, ku Braçe propozon një program të ri, reformë të rregullave brenda PS dhe hapjen e selisë rozë për cilindo që ka besim në të dhe mbi të gjitha bërjen e një analize të çdo qelize të PS për 8 majin.

Nga Erion BRAÇE

Partia Socialiste i fitoi zgjedhjet e 8 majit! Por ka mjaftuar vetëm një betejë tipike e Sali Berishës, ajo ndaj rezultatit të gjithëparë e fitues të Tiranës, që PS të humbë avantazhin e aksionit politik. Berisha ka bërë gabimin e fundit të jetës, por PS nuk po e ndëshkon! PS nuk mundi të parashikonte e as të ndalte krimin pas zgjedhjeve, konsumuar në një akt final si ndryshim i rezultatit në tavolinë, prej një grushti keqbërësish. PS ka ndalur, përfshirë në një betejë juridike që nuk ka duk, për shkak të ambientit të korruptuar ku po zhvillohet, brenda sistemit të kalbur politik. Prej kësaj pike nuk po mund të luftojë, edhe pse bëhet fjalë për kauzën e njohur, “votën e lirë”. Tashmë në kushte krejt të reja, kur PS ka fituar bindshëm besimin e shqiptarëve në zgjedhjet e 8 majit, Sali Berisha ka arritur të fshehë tensionin social që desh shpërtheu mu në rrugë, madje t’i heqë nervin e betejës PS. PS ka fituar bindshëm, por po sillet si humbëse. Berisha po na merr zvarrë në një betejë të qëllimtë, për të na ndalur të administrojmë fitoren, madje pa na lënë të gëzojmë për të. PS është fituese, por e mëdyshur.

Dy mandate që duhen administruar

Më 8 Maj, PS mori nga populli dy mandate të qarta. 1.Mandat politik- PS u votua si partia më e madhe në vend, me numrin më të madh të votave dhe të zgjedhurve në nivelin e këshillave vendore. 2.Mandat qeverisës- PS u votua si alternativa që do të qeverisë 2/3 e qytetarëve në këtë vend. Të dy mandatet duhen administruar. Me autoritetin e të zgjedhurit nga populli; me përgjegjësinë politike të alternativës; me modestinë e fituesit të “kontratës së besimit”. Kjo e bën PS të përgjegjshme për besimin e marrë. Një PS e tillë e mund të keqen sociale të gjithshpërndarë, të keqen “Berisha”!. Një PS alternativë i bën njerëzit të zgjedhin të ardhmen për të mundur të keqen. Një PS modeste përcakton punën si detyrim ndaj votuesit, duke mbajtur larg të zgjedhurit nga tundimi i interesave personale.

Problemi i madh i demokracisë

Ne arritëm që në zgjedhjet e 8 majit, të ndalim përsëritjen e një vjedhjeje masive, të njëjtë me vjedhjen në zgjedhjet politike të vitit 2009. Por jo deri në fund. Ajo që u duk qartë, krijoi precedentin e paqenë deri më sot, ndryshimin e rezultatit në tavolinë, duke përdorur shumicën e thjeshtë në një trupë politike të njëanshme që administron zgjedhjet. Ajo që u mezi duk, tërheq alarmin për krijimin e një skeme perfekte të ndërtimit të trupave elektorale fiktive, me ndikim në rezultatin përfundimtar të çdo gare elektorale. Financuar mjaftueshëm nga paratë e krimit e korrupsionit. Dhe kjo shpërtheu mu në kryeqytetin e këtij vendi. Në Kushtetutë thuhet se “Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta….”. Zgjedhjet e 8 majit dëshmuan se ky premtim kushtetues ka rënë. Premtimet kushtetuese të gjithëpranuara kanë rregulluar bashkëjetesën tonë deri më sot. Rënia e tyre për një pjesë të shoqërisë, në rastin konkret për më shumë se gjysmën, e fut vendin në spiralen e rrezikshme të një konflikti social që dërrmon demokracinë. Ky është problemi i madh me të cilin PS duhet të përballet! Mandati i Tiranës nuk negociohet! Beteja për Tiranën nuk është betejë për pushtetin personal të Edi Ramës, por betejë për të zhbërë një skemë kriminale të vjedhjes së zgjedhjeve dhe shpëtimin e zgjedhjeve si instrument demokratik.

Ka dy rrugë

Rrugë institucionale-reforma të thella të sistemit politik dhe të administrimit të zgjedhjeve. Kërkon pjesëmarrje dhe iniciativë. Prej dy vitesh, PS nuk ka bërë jetë parlamentare normale. Rrethanat e imponuara nga Sali Berisha kanë bërë që të jetë kështu. Berisha e ka përdorur këtë për të bërë atë që do. Por dhe si alibinë e tij shpëtuese përballë çdo institucioni ndërkombëtar, tek i cili Berisha na tregon si parti jashtë sistemi. Caku është kaluar, aq sa PS shihet sot si një parti që ikën dhe jo si një parti në betejë. Kjo është serioze dhe kërkon një vendimmarrje të re të trupës parlamentare, për angazhimin, rolin, detyrat, administrimin e përdorimin e pakicës bllokuese si kusht për reformat jetike të demokracisë, pjesëmarrjen në institucionet kushtetuese. Ndaj, unë propozoj kthimin e menjëhershëm të deputetëve të PS në Kuvend, me një qëllim të përbashkët, me një strategji konkrete, me një alternativë popullore të përballjes me të keqen Berisha atje.

Rrugë jashtëinstitucionale-të përballjes me forma demokratike, të ashpra, të protestës për të imponuar garancitë kushtetuese e demokratike të lirisë. Njerëzit duhen thirrur në demonstratë dhe duhen udhëhequr në të. Në çdo rast, dhe jo vetëm, kur nevoja jonë politike e do këtë! Rasti është tani, kur menjëherë pas vjedhjes së zgjedhjeve, Sali Berisha ka ndërmarrë shpronësimin më të madh në historinë e këtij vendi, që prek një shumicë dërrmuese qytetarësh; tani, kur prona e shërbimi publik, duke nisur nga toka e uji, po zhvaten nga shteti për të pronësuar një grusht politikanësh e biznesmenë të tyre; tani, kur çmimet e mallrave e shërbimeve varfërojnë çdo familje, por janë pagesa për bizneset e politikanë të Qeverisë që ata i privatizuan më parë; tani, kur paratë e shqiptarëve po kthehen në letra borxhi që do ta groposë këtë vend; tani, kur paratë e taksave vidhen si mënyrë jetese e çdo ofiqari të kësaj Qeverie. Opozitarizmi duhet të bartë vullnetin e popullit! Beteja duhet të vazhdojë në Kuvend dhe në sheshe, por mbi të gjitha përballë me Sali Berishën. Të dyja rrugët nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, duhen ndërthurur e përdorur menjëherë. Forca aritmetike e numrave që po përdoret për të dhunuar e zhbërë lirinë dhe të drejtat e qytetarëve, duhet të përballet në Kuvend, në sheshe e rrugë, me fuqinë e re demokratike të pas 8 majit, të një populli të lirë. Ndaj unë propozoj ditën e buxhetit të ri të qeverisë, si ditën e demonstratës popullore kundër hajdutëve të qeverisë, mu aty, para e rreth e rrotull Kuvendit.

Dy mandatet, ku dhe si duhen përdorur

Kur vota popullore të jep një besim si ai që PS mori më 8 maj, fuqia e besimit duhet të udhëheqë betejën politike për demokracinë, përmirësimin e përfaqësimit dhe alternativës, qeverisjen e mirë e të përgjegjshme. Kjo është përgjegjshmëri. Ajo që po jetojmë si krizë e rëndë e demokracisë, kërkon përdorimin e mandateve të 8 majit në Kuvendin e Shqipërisë, në PS, në Pushtetin Vendor. Kuvendin e Shqipërisë, në një analizë të gjerë, janë një sërë premtimesh kushtetuese që qeverisja e Sali Berishës i ka rrëzuar, nisur nga ai për votën e lirë. Ndërkohë, një sërë garantesh dhe barrierash kushtetuese, ngritur si element kontrolli ndaj sulmit qeveritar mbi Kushtetutën, janë rrëzuar në një akt të qortueshëm bipartisan tre vite më parë, provuar qartësisht si i dëmshëm në tre vitet që vijuan. Premtimet kushtetuese nuk janë mbrojtur, qeveritë dhe partitë i kanë kompromentuar për nevoja politike. Tani është koha për një reformë të Kushtetutës! Ndaj, mandatet e 8 majit duhen përdorur për:

Reformë të Kushtetutës

Ndërhyrja që u krye tre vite më parë në Kushtetutë, i ka shërbyer krizës dhe ka forcuar pozitat politike të keqbërësve të Sistemit. Reforma duhet të zgjidhë krizën. Të garantojë liritë dhe të drejtat, demokracinë si sistemin që kemi zgjedhur për të rregulluar jetën tonë; të rikthejë balancën, kontrollin mes pushteteve; të garantojë mbrojtjen e Sistemit nga goditjet prej politikanëve që kërkojnë pushtet përtej kufijve kushtetues; të rikthejë mundësitë që sistemi të vetëmbrohet dhe kthehet në integritet, përmes kufijve që ndalin në kohë veprimin antikushtetues të politikaneve që keqdrejtojnë shumica të thjeshta e antidemokratike. Reforma duhet t’i paraprijë Shqipërisë së 100 viteve që vijnë, t’u tregojë e japë të ardhmen shqiptarëve të rinj. Të bartë premtime të reja kushtetuese që transformojnë Shqipërinë që kemi, tregojnë e garantojnë lirinë si model zhvillimi, perspektivën e saj politike, ekonomike, sociale, pronësore, teknologjike, energjetike, mjedisore, kulturore etj., të sigurisë dhe drejtësisë, përmbushin aspiratat e saj në raport me shqiptarët fqinjë dhe Europën demokratike.

Reformë të Sistemit Politik-sistemit zgjedhor e të administrimit të zgjedhjeve.

Ajo që ka ndodhur nga 2009 e deri më sot, është dëshmi se Sistemi që ne modeluam është lehtësisht i keqpërdorur brenda partive në krijim të kuorumeve klienteliste e të bindura, por edhe lehtësisht i manipulueshëm në zgjedhje çfarëdo, në krijim të shumicave të pavërteta, apolitike por interesash, produkt i manipulimit zgjedhor. Një Dushk edhe më i madh se ai që ishte. Kjo ka sjellë krizën. Reforma duhet t’i japë fund krizës; të garantojë “votën e lirë e të barabartë” si thelbin ku bazohet qeverisja kushtetuese; të garantojë, nga “listimi i zgjedhësve” deri në “leximin e votës”, në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe transparente parimin “një qytetar, një votë”; të modernizojë votimin dhe administrimin e votimit për ta bërë të vërtetë, transparent, të shpejtë, të pamanipulueshëm dhe larg ndikimit të vullnetit keqbërës të cilitdo administrator.

Reformë të Sistemit të Drejtësisë

Ne dështuam në 8 vite të ndërtojmë një sistem drejtësie të pavarur, funksional e efiçent, të mbrojtur e mirëpaguar, transparent e të pakorruptuar. Është Berisha që po e përdor tani, duke instaluar kulturën e padrejtësisë e të pandëshkueshmërisë në vend, shqiptarët dhe ne mes tyre që po e vuajmë. Reforma duhet ta zhbëjë këtë sistem; të ndërtojë e garantojë pavarësinë institucionale të trupës gjyqësore; ta nxjerrë nga çdo lloj varësie prej pushtetit të individit politik dhe votës së tij; ta përtërijë me një gjeneratë të re profesionistësh dinjitarë; ta pastrojë me vendosmëri nga anëtarë të korruptuar apo të nënshtruar ndaj korrupsionit politik dhe vendimmarrjes së tij; ta mbështesë me mjetet e domosdoshme për t’i dhënë funksionalitet dhe dinjitet drejtësisë, si garante e sistemit demokratik, lirive dhe të drejtave të qytetareve.

Reformë Administrative dhe të Sistemit të Gjendjes Civile

Kaosi i krijuar me dhe pa ligj në lëvizjen e shtetasve, por dhe falimenti ekonomik i dhjetëra njësive vendore, janë sot të dukshëm. Reforma duhet t’i japë fund kaosit; të mundësojë një ndarje të re administrative të Shqipërisë, që ka në thelb bashkimin për t’u qeverisur më mirë, shtuar e përdorur më mirë burimet ekonomike dhe aksesin e njerëzve në to, si burim mirëqënieje; regjistrim të plotë, ligjor dhe transparent të cilitdo qytetar, familje, pronë, biznesi etj; rregulla të reja të lëvizjes, qëndrimit dhe banimit, ndryshimit të tyre, duke vendosur përfundimisht standarde të patjetërsueshme qytetërimi dhe shmangur e ndëshkuar standardet kriminale për qëllime politike, elektorale, të fshehjes se një krimi penal apo fiskal. Ndaj, unë propozoj, një grup të gjerë të reformës Kushtetuese, të shtuar me kontribute kombëtare të kësaj fushe, investime tona të menjëhershme në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, apo edhe në shoqërinë civile.

Për Partinë Socialiste

Zgjedhjet e 8 majit dëshmuan se Partia Socialiste është sot organizata politike më e madhe në vend. Numri i votave që materializon besimin për të vjen në rritje, ashtu si njësitë administrative që ajo do të qeverisë. Ka një debat publik, në të cilin, Pushteti shihet i arritshëm prej manovrave numerike. Materializuar kjo prej koalicioneve gjithfarësh. Mendoj që nuk është kështu. Ky vend ka nevojë për "lidership moral" dhe ne nuk mund t’ia mohojmë këtë. Me anë tjetër, besoj që jemi në dilemë. Duhet t’i japim përgjigje pyetjes: Si e duam ne PS?; por edhe pyetjes: Kë do të përfaqësojmë? Më shumë shqiptarë kanë zgjedhur PS, duke projektuar një parti më të madhe, të majtë, moderne. Kur ndodh kjo, duhet që partia të hapë dyert, të zmadhohet duke mirëpritur njerëz të zakonshëm, grupe sociale, grupe profesionale, grupe interesash, tani edhe gjenerata të reja që duan të lidhin të ardhmen me të. Njëherësh duhet të hapet për të pritur ide, projekte, programe që ideojnë të ardhme të përbashkët. Një shumësi e tillë njerëzish, interesash e idesh, nuk kërkon vetëm një parti, por ndërton dhe imponon një “mënyrë jetese”! Pra, PS duhet të jetë më shumë se organizatë, duhet të jetë “mënyrë jetese”. Model lirie e zhvillimi, model organizimi e bashkëjetese, model komunikimi dhe debati, model rregullash dhe bashkimi, model moral interesash dhe karriere, model nderi dhe transparence. Për cilindo, qytetar, familje, grupim shoqëror e social, grupim interesash ekonomike e financiare, që sheh te e majta mundësi për të. Një model i tillë kërkon shumë dashuri, solidaritet e bashkim pozitiv. Një model i tillë mbështetet mbi lirinë, por edhe mbi rregullat që mbrojnë lirinë dhe vet organizatën. Ndaj mandati politik i 8 majit duhet përdorur në PS për: 1) Një program të ri të PS. Kujtoj me keqardhje-për të tretën herë- që ne, partia më e madhe në vend, kemi gati dy vite pa program themelor të Partisë. Tani nuk ka më kohë. Programi duhet t’i japë përgjigje pyetjeve: kë do përfaqësojmë? Si do e përfaqësojmë? Një program që shpall si vlerat tona, vlerat më të mira të së majtës europiane. Së pari; lirinë politike dhe lirinë e shprehjes. Së dyti, lehtësitë ekonomike për të hequr kufizimet ndaj qytetarëve në përdorimin e burimeve ekonomike për të prodhuar e tregtuar dhe shënuar punësimin, si e drejtë themelore e qytetarit. Së treti, pronën- publike e private; për të garantuar pronën, të drejtat pronësore si mundësi ekonomike për vetë familjen e tij; mbrojtjen e zhvillimin e pronës publike, si e mirë e të gjithëve e jo si mundësi qeveritare për ta plaçkitur. Së katërti, sistemin fiskal, për ta çuar barrën e taksave tek ai që përfiton më shumë nga përdorimi i burimeve ekonomike kombëtare publike, vënë në dispozicion. Së pesti, fshatin dhe zhvillimin bujqësor, për të garantuar pronësinë mbi tokën, krijimin e tregut të punës, pra punonjësve të bujqësisë me kontratë; kushte këto për futjen e kapitalit në bujqësi. Së gjashti, arsimin e shëndetësinë dy elementet themelorë të mundësive shoqërore, duke krijuar mundësi për shëndet të mirë dhe pjesëmarrje në punësim e shoqëri. Së shtati, sipërmarrjen duke marrë pozicionin e qartë si një parti që krijon mundësi, me rregulla ligjore, të drejta e të barabarta, të taksimit e konkurrencës, ndarjes së kontratave qeveritare, pasurisë apo lejeve e koncesioneve publike. Reformë Lirie. Liria dhe abuzimi me të- si në kahun e kufizimit dhe në kahun e keqpërdorimit është problemi më i madh sot i organizatave politike. Kjo është arsyeja përse liria duhet institucionalizuar, garantuar si e drejtë e paprekshme, mbrojtur nga keqpërdorimi prej interesave individuale. Liria duhet: të karakterizojë bërjen pjesë; të garantojë marrjen pjesë; të bëjë të domosdoshëm komunikimin mes të ngjashmeve e të ndryshmeve; të ligjërojë propozimin, idenë, projektin, programin; të udhëheqë debatin; të bëjë përfshirëse vendimmarrjen; të bëjë të drejtë konkurrimin; të ndershëm votimin; të detyrueshëm aksionin. Reformë të Rregullave.

Rregullat bëjnë të mundur bashkëjetesën në organizatë. Ato vendosin kufijtë për lirinë e gjithsecilit nga fillimi-bërja pjesë deri në fund, dalja jashtë. Ato nuk duhet të tërhiqen, të kompromentohen dhe për to duhet të ekzistojë ai që kërkon llogari. Rregullat po kundërshtohen nisur nga pozitat e liridashësit, aq sa sot rregullat dhe organizata shihen njësoj si pengesë për karrierën vetjake. E kur kjo paranojë funksionon, tradhtia bëhet zgjidhja efikase. Tradhtia është kthyer në sistem brenda PS dhe një mundësi për abuzimet elektorale. Rregullat duhet: të garantojnë bërjen pjesë; të bëjnë të domosdoshme marrjen pjesë; të vendosin daljen jashtë kur bashkëjetesa sulmohet apo tradhtohet; të ligjërojnë propozimin, idenë, projektin, programin si kontribut të matshëm; të vendosë debatin si normë brenda partie; të zgjerojë në përfshirje vendimmarrjen; të pranojë si legjitime të drejtën për karrierë, në bazë të së cilës qëndron merita e ndërtuar në fushë betejë; të bëjnë të drejtë konkurimin; të bëjnë të ndershëm votimin; në fund, të bëjnë të detyrueshëm aksionin. Reformë të Institucioneve. Ajo që po i ndodh shtetit, institucioneve të tij, po shpërndahet si infeksion në çdo organizatë, më shumë në çdo organizatë politike. Fuqia politike e individit drejtues tejkalon çdo rregull, del mbi çdo institucion. Kjo po i zhbën institucionet dhe kjo po dobëson deri në paralizë funksionalitetin e çdo organizate. Po ndodh që organizata vihet në lëvizje vetëm kur lëviz individi drejtues, punon vetëm kur punon ai, merr vendime vetëm kur vendos ai për to. Në fakt koha ka treguar se individët kanë kufijtë e tyre politik e biologjik, institucionet duhet të mbeten. Institucionet duhet: të grumbullojnë fuqinë e përbashkët të individëve të organizatës; të garantojnë rregullat e përbashkëta-veçmas ato të komunikimit, propozimit, debatit, karrierës, konkurrimit; të administrojnë pjesëmarrjen në vendimmarrje dhe detyrojë zbatimin e tij; të kufizojnë në mandate drejtuesit por edhe përfaqësuesit, veçmas ata administrativë. Reformë të strukturës organizative dhe funksionimit. Hapja e organizatës në funksion të krijimit të hapësirave të reja për cilindo që beson në të, bën të domosdoshme shtrirjen e saj sa më shumë në territor. Një shtrirje kapilare deri në njësinë më të vogël ku grumbullohen e jetojnë qytetarë është jetike. Struktura duhet të funksionojë. Funksionaliteti i saj duhet të burojë nga institucionet, të programohet, orientohet e organizohet prej tyre. Puna, si produkt i funksionalitetit të jetë e matshme. Struktura funksionale duhet: të sigurojë mbulimin kapilar të territorit; të orientojë fuqinë politike, të rinisë në terren konkret; të garantojë përfshirjen e gruas në gjysmën e saj; të kapitalizojë interesat profesionale dhe mendimin e kualifikuar të anëtarëve; të programojë punën konkrete dhe të matshme; të ndërtojë punën në ekip si elementin kyç të suksesit. Ndaj, unë propozoj, ngritjen e menjëhershme të grupit që do të hartojë programin e ri të PS. Nisjen e një analize në çdo qendër votimi, me bazë rezultatet e zgjedhjeve të 8 Majit që përfshin këdo, Kryesinë, Asamblenë deri në organizatën më të vogël, me produkt rivitalizimin institucional të PS.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›