Shalsi: Qytetarët folën, KQZ po manipulon turpshëm rezultatin
Nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së, Eduard Shalsi, deklaroi dje se Kryeministri i vendit Sali Berisha po kërkon me çdo kusht të ndryshojë rezultatin e Tiranës
TIRANË Procedura që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po ndjek për numërimin e fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara po denoncohet nga Partia Socialiste jo vetëm në KQZ, por edhe zyrtarisht përmes deklarimeve zyrtare nga selia rozë. Nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së, Eduard Shalsi, ka deklaruar dje se Kryeministri i vendit ka hapur një kapitull të turpshëm për zgjedhjet në një kohë që prej datës 14 maj, sipas tij, qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë panë se kush ishte fituesi i Bashkisë së Tiranës. “Gjatë gjithë kësaj kohe, kemi qenë dëshmitarë të përpjekjeve të paskrupullta të Sali Berishës, për të ndryshuar me çdo kusht rezultatin e Tiranës, duke tentuar kësisoj të deformojë vullnetin e qytetarëve të Tiranës. Duke përdorur çdo mjet antidemokratik dhe antiligjor, për të bërë fituesin humbës dhe humbësin fitues, Sali Berisha vazhdon të manipulojë në mënyrë të trashë dhe të paturpshme procesin dhe kutitë ku gjenden fletët e votimit. Dje pamë një tjetër shfaqje të shëmtuar të KQZ-së, që vazhdon edhe sot: Pamë urdhra që nuk mbështeten aspak në procedurat e përcaktuara në ligj, kuti që hapeshin, me numra kodesh sigurie që nuk përputheshin me ato të shënuara në procesverbale, fletë votimi që gjendeshin jashtë zarfeve të mbyllura”, - tha dje Shalsi. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist shtoi se me këtë procedurë, që po ndiqet, KQZ-ja nuk po jep shembullin e një institucioni serioz dhe dinjitoz. “Duke mos qenë i aftë të fitojë, por duke mos pasur as kurajën për të pranuar humbje, Sali Berisha e ka çuar vendin drejt një shtegu të rrezikshëm, koston e të cilit do ta paguajnë të gjithë shqiptarët.
Kjo shfaqe, sa e paimagjinueshme aq dhe e paprinciptë, duhet të marrë fund një herë e mirë. Qytetarët folën, votat e tyre u numëruan në sy të milionave shqiptarëve, Saliu humbi. Kjo është e vërteta e patjetërsueshme e zgjedhjeve të 8 Majit në Tiranë”, - tha Shalsi.