E Shtunë, 31 Tetor 2026

Subashi: Problemet me kodet e kutive duhen hetuar

SHKRUAN: Habjon Hasani 20-06-2011 12:14

“Ky hetim duhet të shikojë se çfarë ndodh në tërësi me materialin zgjedhor. Që kjo shkelje e ligjit e komprometon vërtetësinë e kutisë së votimit apo jo?”

Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, shpjegoi dje në një intervistë për “Mapo”-n pretendimet e saj këto dy ditë për numërimin e votave. Subashi thotë se, në rastet e kutive ku ka pasur mungesë të Kodit të pestë, që është kodi i folesë ku hidhet vota, ka nevojë për hetim që të shihet a është prekur integriteti i votës së hedhur apo jo.

Zonja Subashi, keni bërë një sërë ndërhyrjesh gjatë procesit të rinumërimit të votave dy ditët e fundit në KQZ. Ku konsistojnë kryesisht ndërhyrjet tuaja, çfarë pretendoni ?

Ndërhyrjet që unë bëj në komision kryesisht kanë qenë në lidhje me parregullsitë dhe mospërputhjet në kodet që kanë kutitë.

Të gjitha këto kuti ku ju keni sinjalizuar problemet me kodet kanë vazhduar verifikimin dhe numërimin. Si do e zgjidhni ju këtë gjë?

Kjo nuk zgjidhet, të gjitha kutitë ku ne kemi pretenduar parregullsi në elementet e sigurisë janë marrë apriori me 4 votat e mazhorancës në KQZ si kuti të rregullta, pavarësisht pretendimeve tona. Unë kam kërkuar që ato kuti votimi që kanë problem me kodet, t’i nënshtrohen hetimit të plotë administrativ. Katër anëtarë të KQZ-së, me forcën e kartonit, e kanë penguar këtë gjë. Në thelb, prej nesh kjo është një procedurë e kontestuar dhe e parregullt, por e vetmja gjë që na thonë është: Ok, nëse është e parregullt, ankimoheni në Kolegj.

Ku konsiston ky hetim që pretendoni ju?

Ky hetim duhet të shikojë se çfarë ndodh në tërësi me materialin zgjedhor. Që kjo shkelje e ligjit e komprometon vërtetësinë e kutisë së votimit apo jo? Që kjo shkelje e ligjit a ka ndikim në kutinë e votimit apo jo? Qoftë edhe për një votë, duhet bërë kjo, sepse për pak vota po luhet. Pra, nuk është hetuar nëse këto shkelje me kodet e sigurisë dhe elemente të tjerë të parregullt kanë prekur ose jo integritetin e kutisë së votimit. Ky është problemi që unë kam për momentin, pasi kryetari i KQZ-së, pavarësisht konstatimeve dhe pretendimeve tona, jep urdhër të vazhdohet më tej.

Zonja Subashi, ju pretendoni një hetim, por me ç’metodologji do arrini të hetoni dhe të zbuloni ju se ku mbaron lapsusi i grupit të numëruesve në KZAZ-të përkatëse dhe ku fillojnë indiciet për trukim apo manipulim? Pra, në ç’mënyrë ndahet gabimi njerëzor gjatë një procesi të gjatë pune me evidencat që tregojnë manipulimin?

Kjo ndahet duke bërë këtë hetim që them unë. Që KQZ-ja atje ku ka problematika me kodet e kutive duhet t’i hetojë tërësisht. Çfarë pasqyron materiali zgjedhor që ka kutia brenda. Jo vetëm të na thonë shënoje ti dhe ankohu po deshe. Ky është principi që po përdoret. Nuk mund të futësh në tabelën e rezultateve vota, ndërsa në të njëjtën kohë nuk jemi siguruar për integritetin e kutive nga kanë dalë ato vota.

Ka patur probleme me atë që quhet kodi i pestë i kutisë. Ky kod është ekskluzivisht kodi i folesë ku hidhet fleta e votimit. Ndërkohë që me këtë kod kanë të bëjnë vetëm komisionerët e qendrës së votimit, ndërsa numëruesit në KZAZ nuk përdorin fare këtë kod, pasi kutinë e hapin bazuar te katër kodet e tjera. Në këto raste, si do operoni ju?

Ok. Ky është një shembull dhe rast shumë i mirë. Jemi para dy rasteve në këtë moment. Njëri rast është që procesverbali duhet të jetë në kutinë e votimit dhe për mua është e konfirmuar, është e rregullt. Por në momentin kur në tabelën e grupit të numërimit kodi nuk rakordon, por procesverbali i marrjes në dorëzim të KQZ-së e konfirmon, për mua, nuk është rast i hetuar.

Po vendimi i Kolegjit e bën detyrues këtë hetim që ju pretendoni?

Vendimi i kolegjit thotë: “Vlerëso votën e hedhur në kutinë e gabuar”. Vlerësimi i votës në një kuti votimi mund të bëhet vetëm kur garantohet integriteti i kutisë. Ky është parimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›