E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate në KQZ për kutitë; Listat mbyllen për 50 vite

Mbledhjea u shoqërua me debate dhe më pas dy anëtarët të ardhur nga radhët e opozitës kanë braktisur mbledhjen. Subashi, e vlerësoi pr/vendimin, si të paligjshëm.

"Nuk mund ta firmos këtë akt, pasi në të bëhet fjalë për një operacion pune, i cili nuk ishte parashikuar në vendimin që morët me 4 vota 'Për menaxhimin e materialeve zgjedhore', më 29 dhjetor. Bazuar në nenin 20 të kodit zgjedhor, pika 1, germa b, si dhe në pikën tre të tij, ne kemi detyrimin: kryetari dhe nënkryetari, të nxjerrim urdhra në zbatim të vendimeve të KQZ-së. Por, vendimi i 29 dhjetorit nuk e parashikonte se çfarë do të ndodhte me listën e zgjedhësve", tha Subashi, para anëtarëve të tjerë të komisionit.

Ajo akuzoi kreun e KQZ-së, se ka shmangur udhëzimin e 30 marsit 2006, i cili parashikon se çfarë ndodh me listën e zgjedhësve, pas hapjes së kutive të votimit. "Udhëzimi nr. 1 i 30 marsit 2006 parashikon që në dokumentet që i shkojnë Arkivit Qendror të Shtetit është dhe lista e zgjedhësve, por akti që u mor më 29 dhjetor e shmangu qëllimisht këtë udhëzim. Këto akte që merr KQZ janë akte nul, që nuk prodhojnë efekte", tha Subashi. Pas kësaj, reagoi edhe kreu i KQZ-së, Arben Ristani, i cili tha se vendimi i marrë më 29 dhjetor është konform ligjeve në fuqi.

"Udhëzimi i 2006-s e ka humbur efektin e tij, pasi më pas ka dalë ligji "Për mbrojtjen e të dhënave personale" dhe lista e zgjedhësve përmban të dhëna personale që kanë një trajtim të veçantë dhe që patjetër KQZ duhet ta marrë parasysh. Kjo është arsyeja që me urdhrin që doli ishte parashikuar po i njëjti sistem qarkullimi i dokumentacionit. Pra nga KQZ lista do të shkojë në Arkivin e Shtetit, por në këtë rast do të futet vetëm në një dosje të vetme", sqaroi Ristani.

Gjatë mbledhjes së sotme, me 4 vota pro u miratua pr/vendimi për "administrimin e listës së zgjedhësve që ndodhet në kutinë e materialeve zgjedhore, të cilat janë përdorur në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 28.06.2009".

Sipas këtij vendimi listat do të arkivohen me zarf të mbyllur, që do të thotë se ato mund të hapen pas gjysmë shekulli. Të paktën kështu e parashikon ligji për dokumentet “sekrete”. 

Prej më shumë se një viti, politika shqiptare është marrë me çështjen e kutive, ndërkohë që në fund të dhjetorit të vitit të shkuar, KQZ-ja vendosi me katër vota pro që kutitë e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009 të zbrazeshin. /Saimir Lleshi/Start

                                                                                             2011-01-07 14:55
  [ 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›