E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ministrat hapën llogari jashtë shtetit”

Ministrat e kabinetit qeveritar kanë llogari bankare jashtë vendit. 

ADI SHKEMBI

Deklarata vjen nga deputeti i Partisë Socialiste, Vangjel Tavo, i cili thotë se dy prej tyre janë parë të hapin llogari bankare në Itali dhe dy të tjerë në Qipro. Duke folur në seancën e djeshme në Parlament, deputeti i opozitës u shpreh se: "kur Kryeministri erdhi në sallë, unë mendova se erdhi për të më dhënë përgjigje për pyetjet, që unë i drejtova se mos dinte gjë, se ku ishin dy prej ministrave të kabinetit të vet në dt. 19 prill të 2007-ës, ditën e enjte, ora 11:20? Ishin në Romë dhe pikërisht në Banka di Roma, njëri duke hapur llogari bankare në emër të bashkëshortes dhe tjetri duke hapur dy llogari, një në emër të gruas dhe një tjetër në emër të djalit të tij". Më tej akoma, sipas deputetit të PS-së edhe dy ministra të tjerë, por pa u përmendur emrat, kanë llogari bankare në Qipro. "E pyeta Kryeministrin gjithashtu, se mos dinte gjë për dy llogari të tjera bankare të hapura në Qipro, në Bankën Arabe, nga dy ministra të tjerë të kabinetit të tij, në shifër shumë më të madhe se llogaritë e dy ministrave të lartpërmendur në Bankën e  Italisë. Z. Kryeministër, këto llogari janë hapur respektivisht më 11 qershor 2007, ditë të hënë dhe në 05 shtator 2007, ditën e mërkurë, në Larnaka". Sipas deputetit të PS-së, Kryeministri Berisha mund të verifikojë këto fakte mbi llogaritë bankare të ministrave të tij, ndërkohë Tavo shton se, kryeministri është shumë i informuar për një llogari të një prej ministrave të tij në Roterdam të Holandës. "Isha i bindur që Kryeministri do të thoshte që këto janë shpifje, apo që nuk di gjë. Unë i kërkova atij, që ta verifikojë këtë informacion. E nëse për rastet e lartpërmendura, Kryeministri nuk dinte gjë, ai nuk mund të thoshte të njëjtën gjë dhe për një llogari tjetër në Roterdam të Holandës, pasi jam i bindur që këtë fakt e di shumë mirë, ndonëse shifrën jo", përfundoi Tavo.

Topi: Të hetohen pasuritë jashtë shtetit
Lidhur me hetimin e pasurive jashtë shtetit ka folur edhe Presidenti Bamir Topi. "Shumë gjëra i marrim vesh edhe nëpërmjet bisedave të përditshme e natyrshëm, edhe nëpërmjet një bisede në kafene. Ka ardhur momenti që Shqipëria dhe institucionet e saj, institucioni juaj, të bëhen pjesë shumë e rëndësishme e një infrastrukture kontrolli me partnerët ndërkombëtarë, qoftë edhe për të hequr ato dyshime, që në mjaft raste ekzistojnë dhe ne i dëgjojmë, që një pjesë e pasurive, qoftë e zyrtarëve të cilët janë të detyruar t'i deklarojnë, por edhe të një pjese tjetër, që nuk konsiderohen zyrtarë të administratës, një pjesë e pasurive të tyre mund të jenë edhe jashtë Shqipërisë. Pra, të jemi realistë, gjërat t'i trajtojmë ashtu siç duhen trajtuar", tha Topi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›