E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate në Kuvend për kthimin e kompensimin e pronës

Ligji për kthimin e kompensimin e pronës është shoqëruar me debate në seancën e sotme plenare. Në fjalën e tij deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj ka theksuar se ky ligj do t`i japë zgjidhje të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me pronën.

“Projektligji është pa ngjyrime politike, i diktuar nga nevojat dhe kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë, i tejkalon sensibilitetet politike të majta e të djathta e duhet të marrë edhe votën morale të maxhorancës e opozitës” theksoi Alibeaj.
 

Ndërsa ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu ka dhënë mbështetjen e tij për projektligjin pasi sipas tij janë marrë parasysh edhe tre amendamentet e propozuara prej tij.  Sipas tij e drejta e pronës për vite me radhë është trajtuar ndesh me interesin e pronarëve të ligjshëm. Ai ka shtuar se ka nevojë për një debat të gjerë të Agjencisë së Kthimit e Kompensimit për të parë a është e mjaftueshme infrastruktura, personeli e kualifikimi i atyre që do të merren me këtë çështje.
 

Ndërsa deputeti i PS-së Erjon Braçe ka theksuar se ligji për kthimin dhe kompesimin e pronës është ligji që ka ndryshuar më shumë brenda një mandate qeverisës.

“Është e pamundur për të gjetur një ligj tjetër që të ketë ndryshuar më shumë brenda një mandati qeverisës dhe sa paradoksi është i jashtëzakonshëm. Afati i ri që vendoset për një dosje shkon deri në vitin 2014 dhe që nga viti 1990 deri më 2014 unë numëroj 24 vjet për të shqyrtuar një çështje pronësie dhe për të shqyrtuar një dosje” theksoi Braçe.
 

Sipas tij është e papranueshme ajo e shtyrjes së kthimit të përgjigjes për pronës ndërsa shtoi se një nga konfliktet e paraqitura është caktimi I çmimit të tokës nga qeveria.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›