Kuvendi pritet të miratojë ligjin për hetimet e EULEX-it

Kuvendi pritet të miratojë sot projektligjin e përgatitur nga qeveria për të lejuar prokurorët e EULEX-it të hetojnë edhe në territorin shqiptar mbi akuzat për trafik organesh të serbëve të bëra në raportin e ish-senatorit zviceran Dick Marty.
Gjithashtu Kuvendit pritet të miratojë sot edhe Projektligji i amenduar “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane” si dhe Projektligji i ndryshuar “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, shqyrtimi i të cilit në Komisionin e Ligjeve ka çelur debate të shumta.
Projektligjet në rendin e ditës të seancës së Kuvendit:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare.
2. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë, për ndihmë të ndërsjellë në rast të fatkeqësive dhe aksidenteve të mëdha”.
3. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë, për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit”.
4. Projektligji “Për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me task forcën hetimore speciale të EULEX-it”.
5. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9232, datë 13.5.2004 “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane” të ndryshuar”.
6. Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” të ndryshuar”.
7. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare për vitin 2011”.
8. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (60’).