E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate në Kuvend për privatizimin e truallit shtetëror

Për opozitën, qeveria nuk e ka përmbushur kthimin dhe kompensimin e pronave, ashtu sikurse e ka kërkuar Komisioni Evropian në 12 rekomandimet e tij.

Deputetja Arta Dade, u shpreh se ky akt nuk është realizuar nga qeveria shqiptare, duke shënuar një rast të paprecedentë në historinë e një vendi. Në progres raportin e vitit 2011, theksoi më tej Dade, kërkohet të përgatitet, miratohet dhe zbatohet një strategji kombëtare dhe plani i veprimit për të drejtat e pronësisë, duke bërë konsultime të gjera me grupet e interesit dhe duke marrë parasysh praktikën gjyqësore të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut.

"Kjo nismë duhet të përfshijë proceset e kthimit, kompensimit dhe legalizimit të pronës. Ky prioritet kyç sikurse konsiderohet në progres raportin e 2011-ës vazhdon të mbetet i neglizhuar nga qeveria dhe strukturat përgjegjëse, madje amendamentet për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim dhe taksën mbi të drejtën e përdorimit të tij, thellojnë më tej shqetësimin e BE-së dhe vërtetojnë se qeveria s'ka vullnet politik për t'i dhënë zgjidhje çështjes së të drejtave të pronësisë", tha Dade.

 Pas Dades, reagoi deputeti demokrat, Sherefedin Shehu, i cili vuri në dukje se përbaltja e reformave të qeverisë për kthimin dhe kompensimin e pronës, është filozofia politike e opozitës. "Po shfrytëzohet ky rast për të hedhur baltë mbi qeverinë dhe reformat e ndërmarra. Diskutimet politike nuk janë në funksion të zgjidhjes së çështjes", theksoi Shehu. Sipas tij, me këto amandamente do të zgjidhet çështja e kthimit dhe kompensimit të pronës, "Ky amandament nuk i heq pronën pronarit dhe ish pronarit dhe as nuk i jep pronën atij që nuk i takon", tha Shehu. Në bazë të ndryshimeve të propozuara, të gjithë ata që zotërojnë një objekt shtetëror, të përfituar nga privatizimet e viteve '90, mund të privatizojnë edhe truallin. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-03-15 12:53
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›