E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate në kuvend për disa ndryshime në ligjin “Për kthimin dhe kompesimin e pronave”

Kuvendi debatoi sot mbi disa ndryshime në ligjin "për kthimin dhe kompensimin e pronave". Sipas kryetarit të komisionit parlamentar të Ekonomisë, Edmond Spaho, p/ligji merr shkas nga kërkesat e ish-pronarëve, që edhe ajo pjesë e tokës që ndodhet nën juridiksionin e ndërmarrjeve të përbashkëta, të krijuara gjatë viteve '90, të mund të përdoren për procesin e kthimit dhe kompensimit të pronës. "Sipas ligjit ka një situatë të ngrirë juridike për rreth 100 ndërmarrje, 22 prej tyre i takojnë sektorëve të Ministrisë së Rregullimit të Territorit të asaj periudhe, rreth 21 ndërmarrje janë të  Ministrisë së Energjitikës, 22 Ministrisë së Bujqësisë etj", tha  Spaho. Ai shtoi se "toka e marrë në dispozicion prej tyre me kontrata qiraje në atë periudhë, është shumë më e madhe se sa nevojat reale të tyre". Deputeti i PD-së Bujar Leskaj tha se "me ndryshimet e propozuara nuk kemi vetëm rregullimin e marrëdhënieve me shoqëritë tregtare të krijuara në fillim të viteve '90, por kemi dhe një iniciativë ligjore, nisur nga kërkesat e ish-pronarëve, e cila ofron një zgjidhje që nuk të çon drejt konflikteve gjyqësore". Sipas deputetit Leskaj "ndryshimet e propozuara rregullojnë të drejtën kushtetuese të ish-pronarëve për të marrë në zotërim ish-pronat apo për të marrë kompensim financiar për to. Ndryshimi për rreth 100 shoqëri të tilla të krijuara në Shqipëri është një përpjekje shtysë për aktivizimin e plotë të këtyre kapitaleve". Ndërsa përfaqësuesi i opozitës, deputeti i PS-së, Pandeli Majko duke kundërshtuar draftin e Qeverisë tha se p/ligji është nga fillimi deri në fund një shkelje kushtetuese. "Maxhoranca me këtë ligj po prek një shtresë, e cila e ka votuar atë. Keni sjellë një p/ligj për të shpronësuar pronarët me interes të qiramarrësit. Nuk është e shkruar në Kushtetutë që prona mund të fitohet nëpërmjet qiramarrjes. Ata pronarë të vjetër kanë sot një moment për të reflektuar. Në asnjë mënyrë ne si parlament nuk kemi të drejtë t'i heqim të drejtën legjitime pronarit të vjetër në interes të qiramarrësit", tha deputeti Majko.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›