E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate ne parlament opozita Qeveria nderhyn te policia

Pozita dhe opozita janë përplasur në seancën e Kuvendit të Kosovës, ndërsa është diskutuar për sigurinë. Tri partitë opozitare, LDK, Vetëvendosja dhe AAK kanë kritikuar ashpër partinë e kryeministrit Hashim Thaçi për ndikim të madh mbi policinë e Kosovës dhe për ndëryrje policore ndaj kundërshtarëve politik.

Sipas opozitës kjo është përpjekje për të instaluar një shtet policor. Partitë opozitare kanë shprehur shqetësimin e tyre për mungesën e vullnetit të qeverisë për të shtrirë autoritetin e saj edhe në veriun, që konsiderohet si oazë e krimit dhe korrupsionit në Kosovë.

“Kosova rrezikohet, siguria e Kosovës rrezikohet nga Serbia dhe strukturat e saj ilegale të cilat për çdo ditë janë aktivisht të involvuara në krime kundër shqiptarëve dhe krime kundër Kosovës. Kjo siguri e brishtë në Kosovë, konsiderojmë që është e mundësuar nga Qeveria e Kosovës për shkak të mungesës së vullnetit politik  të saj për të vepruar  kundër strukturave paralele të Serbisë”- tha Visar Ymeri, kryetar i grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

Qeveria ka hedhur poshtë akuzat për politizim të policisë, ndërsa ka pranuar publikisht se në veri nuk sundon rendi dhe ligji.

“Në kuptimin e kufijve të jashtëm Kosova është vendi më i sigurt në rajon, në kuptimin e brendshëm e pjesës veriore të Kosovës, e që është prizmi i dytë, ai është një vend që nuk dominon rendi dhe ligji. Është një vend ku është një oazë e ku mund dhe ka kontrabandë dhe një oazë ku kriminelët mund ta gjejnë vetën më të lirë”-tha Hajredin Kuçi, Ministër i Drejtësisë.

Partitë opozitare kanë kërkuar nga qeveria që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të vendosur rend dhe ligj në veri. LDK e ka quajtur politik arrestimin e gjashtë zyrtarëve të bashkisë së Prishtinës, ndërsa ka kërkuar nga ministri i brenshëm Bajram Rexhepi, prezent në seancë që të hetojë kolegët e tij partiak për pasurim brenda natës.

Vetëvendosja ka përmendur fenomenin e ushtruesve të detyrës në pozitat kryesore të policisë, ku vetëm në rajonin e Mitrovicës ka numëruar mbi gjashtë pozita që janë me U.D, që sipas kësaj lëvizje janë treguesit më të mirë për shantazhin që PDK po ushtron mbi policinë e vendit.

Ndërsa ministri i Brenshëm, Bajram Rexhepi ka thënë se nuk shqetësohet nëse brenda policisë ka zyrtarë që më herët kanë punuar në SHIK, me rëndësi ai ka thënë se është që ata të kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›