E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fernando Gentilini i derguari i ri i BE-se ne Kosove

Diplomati italian Fernando Gentilini do të jetë i dërguari i BE-së në Kosovë për tre muajt e ardhshëm. Lajmin e bëri të ditur e ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme, Catherine Ashton. Gentilini aktualisht punon si këshilltar i Ashtonit në Bruksel dhe është i përfshirë në ndërmjetësimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

BE planifikon të forcojë pozicionin e saj në Prishtinë duke pasur një përfaqësues të vetëm në vend të përfaqësueve të veçantë për shtetet anëtare dhe për ekzekutivin e BE-së, Komisionin. Një i dërguar i ri i posaçëm pritet të zgjidhet më vonë gjatë këtij viti, ndërkohë që mandati i përfaqësuesve të shteteve anëtare të BE-së përfundoi në 30 prill.

Emërimi i diplomatit italian, që pritej para Pashkëve, u vonua për shkak të mosmarrëveshjeve të shteteve anëtare rreth statusit të marrëdhënieve të BE-së me Kosovën. Vetëm 22 nga 27 vendet anëtare të BE-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke bërë të vështirë për BE-në të ketë një linjë të përbashkët në këtë çështje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›