Ish-oficeri plagos gruan, qëllon ndaj forcave speciale

Rexhep Karaj ka plagosur bashkëshorten dhe më pas qëndroi 7 orë i ngujuar duke qëlluar dy herë policinë me automatik
POGRADEC - Një 75-vjeçar ka plagosur bashkëshorten e më pas ka qëndruar rreth 7 orë i rrethuar nga forcat speciale në banesën e tij.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.2 të qytetit të Pogradecit, në pallatet e ish-oficerëve ku Rexhep Karaj, pas një grindjeje banale, ka qëlluar me pistoletë në kokë gruan e tij 70-vjeçaren Fetije Karaj me të cilën kishte gati 50 vjet jetë bashkëshortore. Më pas ai i ka rezistuar rrethimit të policisë rreth 7 orë, duke qëlluar me armë ndaj uniformave blu e duke u vënë në pranga në orët e pasdites.
Ngjarja
Rreth orës 10:30 të mëngjesit të djeshëm në pallatin e ish-oficerëve, pronarja e lokalit në katin e parë të pallatit, Mimoza Hoxhallari, ka dëgjuar tre të shtëna pistolete dhe vetëm pas pak minutash ka parë fqinjën e saj 70-vjeçaren Fetije Karaj të dalë nga kati i dytë ku banonte të gjakosur në kokë.
Ajo e ka futur menjëherë në lokal fqinjën e plagosur dhe pasi i ka vendosur një garzë me raki në kokë për t`i ndalur hemorragjinë ka dalluar se ajo kishte një gërvishtje, ndërkohë që ka mësuar se Karaj ishte qëlluar me armë nga bashkëshorti, por plumbi i kishte kaluar shkarazi, duke mos i rrezikuar jetën. Gruaja ka lajmëruar policinë, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje.
Policë dhe inspektorë të krimeve, të drejtuar nga shefi i krimeve, Genti Ristollari, kanë rrethuar vendin, ndërkohë që kanë tentuar të hyjnë në banesën e Rexhep Karajt. Mësohet se gjatë transportimit për në spital, Fetija kishte deklaruar se i shoqi, ish-oficer, e kishte qëlluar me pistoletë, por që në shtëpi mbante edhe një armë automatike, kallashnikov.
Kronika e ngjarjes
Në orën 10:45 Fetije Karaj e plagosur në kokë çohet në spital dhe ishte jashtë rrezikut për jetën, pasi plumbi i kishte kaluar tangent me kokën pa dëmtime serioze. Fetija iu ka thënë policëve që "më vjen keq për burrin. Aman, mos e vrisni pavarësisht se më qëlloi".
Në orën 11:00 kanë mbërritur forcat speciale nga Korça. Zëvendësdrejtori i policisë dhe shefi i komisariatit të Pogradecit, Arben Çani, kanë drejtuar aksionin. Fillimisht Karajt i është bërë thirrje të vetëdorëzohej, por përgjigjja e tij ka qenë negative.
Në orën 13:15 vijnë nga Tirana me helikopter forca speciale të cilat filluan të negociojnë me 75-vjeçarin Rexhep Karaj. Përgjigjja ishte negative, teksa mësohet që negociatorëve t'u jetë thënë që të shkonin në shtëpi tek fëmijët e tyre se ishte gjynah të vdisnin aq të rinj.
Në orën 14:15, pas presionit që po i bënin forcat speciale se nëse nuk do ta hapte derën, ata do ta hapnin me zor, 75-vjeçari ka qëlluar me kallashnikov. Ka qenë një e shtënë e vetme nga ish-oficeri i tankeve për 30 vjet.
Në orën 15:30 Rexhep Karaj iu kërkon forcave speciale një koka-kola të ftohtë. Ata ia çojnë, por ai nuk e mori pasi duhej të hapte derën.
Në orën 15:40 mbërrijnë dy furgonë me forcat e Reneas nga Tirana, të cilët rrethuan vendin dhe vendosën një snajper përballë ballkonit të Rexhep Karajt. Rifillojnë negociatat, por Rexhep Karaj ngulmon duke i kërcënuar se do të linin fëmijët rrugëve nëse tentonin të futeshin forcërisht në shtëpinë e tij.
Në orën 15:50 Rexhep Karaj që ndiqte lëvizjet nga dritarja hap zjarr ndaj snajperit.
Në orën 15:55 rinisin negociatat, ndërkohë që forcat RENEA po përgatisnin planin e ndërhyrjes pas hapjes zjarr për herë të dytë nga Rexhep Karaj.
Nga ora 16 - 16:35 Rexhep Karaj qëndronte i heshtur pa iu përgjigjur thirrjeve.
Në orën 17:20 kur do të realizohej aksioni iu kërkua edhe një herë vetëdorëzimi.
Në orën 17:42 Karaj iu ka thënë negociatorëve që do të dorëzohej dhe në orën 17:45 ai ka hapur derën dhe ka dale. Më pas është marrë nga policia.
Fqinjët për familjen Karaj
Fqinjët u shprehën se Rexhepin e njohin si një burrë të urtë dhe shumë familjar. Ndonëse nuk kishin fëmijë Rexhepi kthehej nga puna dhe pothuajse qëndronte në shtëpi. Ai kishte qenë oficer karriere në një repart tankistësh. Prej tre muajsh ai ishte dobësuar shumë dhe nuk dilte nga shtëpia, e shikonin vetëm në ballkonin e katit të dytë ku ai banonte. Gruaja e tij Fetija ishte pastruese në Divizionin ushtarak. Dy ditët e fundit fqinjët kanë dëgjuar shumë zënka midis tyre, madje në një rast janë ndier edhe spektatorë.