Hapësirat e gjelbra, lulishtet mbulohen nga betoni dhe pllakat
Në qytetin e Durrësit po tkurren dukshëm lulishtet dhe hapësirat e gjelbra, të cilat po ia lënë vendin betonit dhe pllakave. Në shumë prej lulishteve dhe zonave të gjelbra, në qytetin me mbi 206 mijë banorë, tashmë nuk ka asnjë metër katror hapësirë jeshile, sepse ajo është zëvendësuar me pllaka të llojeve të ndryshme, apo është shtruar me beton. Në tre pika të rëndësishme, që njiheshin si lulishte prej shumë vitesh, tashmë Bashkia e Durrësit ka ndryshuar rrënjësisht projektet e dikurshme, me projekte të reja, të cilat kanë eliminuar në masë të madhe hapësirën e gjelbër. Kështu zona në hyrje të Durrësit, e cila ka qenë e njohur për një sipërfaqe të madhe, tashmë është betonizuar dhe mbuluar me pllaka të trasha prej guri të zi. Hapësira e gjelbër është zvogëluar ndjeshëm, pasi projekti për rehabilitimin e kësaj zone, me vlerë rreth 2 milionë dollarë, duket se i ka dhënë prioritet vetëm ndërtimit të sipërfaqeve të shtruara me pllaka guri të zi dhe zonave të tjera të shtruara me beton. Të njëjtin fat ka pësuar edhe lulishtja pranë mbikalimit te treni, e cila është vazhdim i lulishtes, që nis nga hyrja e Durrësit, por që në këtë zonë tashmë është prishur edhe mozaiku i krijuar nga skulptori Qazim Kërtusha. E njëjta situatë gjendet edhe te lulishtja “1 Maji”, aty ku ka qenë busti i Azem Hajdarit. Projekti i ri, për rehabilitimin e kësaj lulishteje, e ka zvogëluar ndjeshëm sipërfaqen e gjelbër, duke lënë në këmbë vetëm disa prej palmave të dikurshme. Nga ana tjetër, sipërfaqja e pazënë me beton, që përdorej për mbjelljen e luleve të llojeve të ndryshme, tashmë është betonizuar, ose është shtruar me pllaka mermeri apo gurë të rrumbullakët. Pjesa tjetër e lulishtes “1 Maji”, në drejtim nga veriperëndimi, dihet se është zënë nga një ndërtim në sipërfaqe mjaft të madhe. Duke ecur në drejtim të qendrës së qytetit, bie në sy projekti në fazën e parë të tij, për rivitalizimin e sheshit “Liria”. Asnjë metër katror gjelbërim nuk u la në këtë vend, ndërkohë që, sipas këtij projekti, shkulja e pemëve u zëvendësua me ndërtimin e shkallëve dhe një godine të ngushtë si tunel, paralel me trotuarin, midis xhamisë dhe sheshit para bashkisë. Duhet theksuar se tre vjet më parë, Bashkia e Durrësit nisi një aksion me moton “Një jetë, një pemë”, duke mbjellë shumë lloje pemësh në rrugë kryesore dhe dytësore të qytetit. Sipas të dhënave nga vetë Bashkia e Durrësit, në vitin 2009, janë mbjellë 1100 pemë të llojeve të ndryshme, ndërsa për vitin 2010, plani ka qenë që të mbilleshin edhe 1300 pemë të tjera të llojeve bli, rrap, kumbull e kuqe, panjë etj. Në shumë zona të ndryshme të qytetit, bashkia ka investuar në rikonstruksione kuartallesh, hapësirat e brendshme midis disa pallateve, të cilat janë shtruar me asfalt. Në këto kuartalle bie në sy se shumë pak sipërfaqe është lënë pa u shtruar me asfalt, apo beton. Problemeve të mësipërme i shtohet edhe rreziku që ka përfshirë prej kohësh jetëgjatësinë e palmave, që janë mbjellë gjatë viteve të ndryshme. Palmat e llojit “Fenix” janë prekur nga një sëmundje e pashërueshme, e cila ka detyruar ndërmarrjen e gjelbërimit pranë bashkisë, që të shkulë shumë prej këtyre palmave në shëtitoren “Taulantia”.
Aleks Kalemasi