Atdhe Nuhiu, një talent për kuqezinjtë
Talenti më i ri që mund të jetë pjesë e kombëtares kuqezi në të ardhmen, quhet Atdhe Nuhiu, dhe është vetëm 19 vjeç. Ai aktivizohet në kampionatin austriak me ekipin e superligës, Austria Karnten, ku edhe pse luan si zëvendësues, ka shënuar dy gola këtë sezon. Nuhiu ka spikatur me lojën e tij në sulm, ndërkohë që nuk i ka shpëtuar syrit të koleksionuesve të Austrisë. Gjiganti Nuhiu, 1.97 cm i gjatë, ka luajtur së fundi dy ndeshje miqësore me ekipin të rinjve të Austrisë, kundër Gjermanisë. I riu ka arritur t'u shënojë gol këtyre të fundit, ndërkohë që trajneri i Shpresës austriake e kërkon me ngulm. Megjithatë, e veçanta është se në mediat vendëse vetë Nuhiu ka deklaruar se dëshiron të luajë me kombëtaren e Shqipërisë. Madje, ai ka thënë se për hir të saj, do të refuzonte edhe një ftesë të kombëtares A të Austrisë.