Disiplina "fal" dhunën në futboll
Komisioni i Disiplinës ka marrë dje masa "të rrepta" ndaj dhunës në stadiumet tona duke i dënuar fushat problematike me të njëjtin kut matës: dy ndeshje jashtë fushe dhe një pa tifozë. Si Lushnja, ashtu edhe Burreli apo Pogradeci, dje mund të kenë marrë frymë qetësisht, pasi ndërsa "viktimat" prisnin të çdëmtoheshin, disiplinori është mjaftuar vetëm të dënojë "agresorin", ndërsa për palën tjetër e ka bërë njërin sy qorr dhe njërin vesh shurdh. Mesa duket anëtarët e Komisionit të Disiplinës e kanë pasur shumë të kollajtë për t'i vënë të gjithë në një kandar dhe kanë kërkuar të ruajnë "balancat" meqënëse fushat që dënoheshin ishin tre dhe nuk kanë marrë parasysh faktin se mes të dëmtuarve ka pasur edhe viktima me trauma. Përsa i përket pjesës tjetër të vendimeve, FSHF do të arkëtojë disa miliona lekë nga gjobat e vëna. Disiplinori, kësaj anashkaloi një rast për t'i dhënë një mësim të mirë dhunës dhe për t'u shkëputur një herë e përgjithmonë me të.
Në mbledhjen e djeshme, komisioni i disiplinës, pasi u njoh me dokumentacionin e paraqitur nga sektori i garave, pamjet filmike, relacionin e inspektorëve të disiplinës, si dhe duke dëgjuar palët, mori vendimet. Ja vendimet kryesore:
- Ekipi i Lushnjës për hedhje të sendeve të forta në fushë, që ka sjellë si pasojë dëmtimin e lojtarit kundërshtar, dënohet me
2 (dy) ndeshje pezullim të fushës dhe 1 (një) ndeshje tjetër pa praninë e shikuesve, gjithashtu edhe me 100.000 lekë gjobë.
- Mospranimin e ankesës së klubit "Apolonia" për ndeshjen me ekipin e Lushnjës, si të pabazuar në rregullore.
- Lojtari i Apolonisë, Uashington Xhunior, për goditje me shkelm të
kundërshtarit, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet dhe 100.000 lekë gjobë.
- Ekipi i Pogradecit për hedhje të sendeve të forta në fushë, që ka sjellë si pasojë dëmtimin e lojtarit kundërshtar, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim të fushës dhe 1 (një) ndeshje tjetër pa praninë e shikuesve. Gjithashtu edhe 100.000 lekë gjobë.
- Klubi "Burreli" për hedhje të fishekzjarreve në fushë, me pasojë dëmtimin e lojtarit kundërshtar, por pa pasoja për shëndetin, dënohet me zhvillimin e 2 (dy) ndeshjeve pa praninë e shikuesve.
- Lojtari i Luftëtarit, Nertil Stoja, për goditje me grusht të kundërshtarit, e mbetur në tentativë, dënohet me 2 (dy) ndeshje
pezullim dhe 30.000 lekë gjobë.
- Lojtari i Tepelenës, R.Sula, për ofendim të arbitrit, dënohet 2 (dy) ndeshje pezullim dhe 5000 lekë gjobë.
- Lojtari i Egnatias, Klevis Murati, për ofendim të arbitrit, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim dhe 5000 lekë gjobë.