E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusët dhe turqit,"të çmendur" për Debatik Currin

Dy mbrojtësit kuqezinj të Vorsklla Polltavës në Ukrainë kërkohen nga disa ekipe dhe mund të largohen në janar

Ecuria e shkëlqyer e ekipit ukrainas Vorskla Polltava u dedikohet pa dyshim dy futbollistëve të kombëtares, Armend Dallku dhe Debatik Curri. Revista prestigjioze e Ukrainës, "Football", ka bërë një rezyme të dy kuqezinjve, të cilët janë ndër lojtarët më të kërkuar të klubeve me emër, qoftë në Rusi, gjithashtu dhe në Europën Perëndimore. "Sapo hapet tregu, emrat e Dallkut dhe Currit janë më të përmendurit,"- shkruante "Football". Vlera e dy kuqezinjve është rritur shumë, por Debatik Curri mbetet në "pole-position", si lojtari më i shtrenjtë i Vorsklës. Ndërkohë, përveç përshkrimit të dyshes kuqezi, revista flet edhe për futbollistin lezhjan, Robert Grizha, i cili gjithashtu ka kontratë me ekipin ukrainas, por që aktualisht është huazuar te Besa. Tashmë që janari është afër dhe merkatoja do të hapet, "ethet" e trajnerit Nikolai Pavlov kanë nisur, pasi Curri dhe Dallku mund ta lënë Vorsklën.

DEBATIK CURRI - Eshtë kandidati i parë për t'u larguar nga skuadra në janar. Për 24-vjeçarin Curri nuk është viti i parë që përflitet të largohet. Rregullisht për legjionarin shqiptar janë interesuar disa klube të njohura. Bëhet fjalë për ekipe elitare në Rusi dhe në vende të Europës Lindore. Menjëherë pas fillimit të kampionatit, trajneri Pavlov, duke e quajtur të larguar xhevahirin e tij, ka hedhur sytë për një lojtar, i cili mund ta zëvendësojë si duhet Currin. Ndërkohë, futbollisti është nën kontratë me Vorsklën deri në janar të vitit 2011. Vetë "Debi" (kështu e thërrasin në Polltavë) ndihet mirë te Vorskla, por duke qenë lojtar i kombëtares shqiptare, ambiciet e tij janë të luajë me skuadrat e Moskës, në Serinë A, apo në Turqi, me Gallatasarian ose Beshiktashin. Nga këto të fundit nuk kanë munguar ofertat dhe Curri e pëlqen shumë si opsion për të vazhduar karrierën. Si kandidat numër një për t'u larguar, Curri është edhe lojtari më i shtrenjtë i klubit ukrainas.

ARMEND DALLKU - Përveç Currit, edhe mbrojtësi tjetër kuqezi, Armend Dallku, është ndër më të përmendurit në listën e atyre që mund të largohen që në janar. Dallku, 25 vjeç (6 muaj më i madh se Curri) luan mbrojtës i djathtë dhe është titullar në kombëtaren shqiptare. Ashtu si Curri, kontrata e Armendit me Vorsklën përfundon më 31 dhjetor të vitit 2011. Për mbrojtësin më parë janë interesuar skuadra si Livorno në Itali apo Sendërlendi në Angli. Transferimi i Dallkut është më se i mundshëm dhe gjithashtu trajneri Pavlov po vëzhgon për zëvendësuesin e tij. Por gjithsesi, për lojtarin pozicioni te Vorskla është shumë i mirë dhe ai e ka shprehur disa herë këtë fakt. Megjithatë, sinjalet e fundit nga ekipe të kampionatit rus, natyrisht që do ta tundojnë shqiptarin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›