Debati Rama-Fevziu: Barazim në pjesën e parë, fitore e Ramës në të dytën
Intervista që dha mbrëmë Edi Rama në emisionin Opinion të Blendi Fevziut, që në fillim të saj, u kthye në një debat të mirfilltë mes të dyve. Fevziu, në vend që të rrinte në rolin e intervistuesit, bëri rolin e debatuesit, duke sjellë kundërargumente, shpesh të gjata, pas çdo argumenti të Ramës. Dhe ky i fundit e pranoi me kënaqësi këtë kthesë që mori intervista, duke i thënë Fevziut se ai përfaqësonte në studio klanin e kryeministrit (një lojë fjalësh kjo dhe me emrin e stacionit televiziv ku po bëhej biseda).
Në pjesën e parë të debatit, Fevziu, i armatosur me shumë e shumë inserte (si rrallë në ndonjë debat televiziv shqiptar), e vuri në siklet Ramën, kur i kërkoi shpjegime për zbutjen e tij të kohëve të fundit me Ilir Metën. Sidoqoftë, Rama e përballoi sulmin e furishëm të Fevziut pa pësuar ndonjë gol në pjesën e parë (po përdorim këtu një metaforë nga sporti shumë i dashur për shqiptarët futbolli).
Në pjesën e dytë të debatit, loja u fut në rrjedhën që i vinte për shtat Ramës u debatua për situatën ekonomike të Shqipërisë dhe programin e PS-së. Këtu Rama, si rrallë më parë në emisione televizive, foli me shumë shifra konkrete dhe gjithë pasion për problemet e shqiptarëve të thjeshtë në qytet e në fshat, duke e bërë Fevziun të mbrohej me shprehjen unë nuk jam ekspert, por ftoj ekspertët e PS-së të debatojnë në këtë studio me ata të PD-së.
E.Zaloshnja