LSI: Ilir Meta do të ishte një kandidat i mirë për president
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, ka konfirmuar zërat që fliten prej kohësh, për një kandidim të mundshëm të Ilir Metës si president i ardhshëm.
Gjatë një konference për shtyp të mbajtur gjatë ditës së sotme për reformën zgjedhore, Luan Rama ka thënë se Meta do të ishte një kandidat i mirë për president.
I pyetur nga gazetarët nëse Ilir Meta mund të jetë një emër i mirë për kandidat për president, Luan Rama është përgjigjur: Pse jo. Ligji dhe kushtetuta parashikon kriteret se kush mund të jetë kandidat dhe LSI-ja nuk e përjashton veten që të kontribuojë në të mirë të realizimit të zgjedhjes së një presidenti konsesual, pastaj çështja e emrit do të përzgjidhet nga forumet theksoi Rama.
Sipas tij, zgjedhja e kryetarit të shtetit nuk është sfidë individësh por sfidë e klasës politike të vendit përballë interesave europiane të Shqipërisë. Është sfida e shprehjes së nivelit të pjekurisë politike përballë interesave europiane shtoi Luan Rama.
Ai, duke u mbështetur në deklaratën e Ben Blushit për një bashkim të PS-së me LSI-në, ka thënë se është dakord dhe se dy partitë duhet të bashkëpunojmë për presidentin e ri.