Rama: Berisha i bën karshillëk Bashkisë së Tiranës
Reagon Kryeministria: “Bashkia që ka përfituar më shumë ndihma si asnjëherë më parë”
TIRANË- Në cilësinë e kreut të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama i është përgjigjur deklaratave të mbajtura ndaj tij nga kryeministri Sali Berisha dy ditë më parë në Shijak. Pikërisht në përfundim të rikonstruksionit të vazhdimit të rrugës “Sami Frashëri”, që kalon poshtë digës së Liqenit Artificial dhe paralel me të, Rama u shpreh: “Dëgjoj Kryeministrin që hakërrehet në Parlament si i forti i mëhallës, pastaj turret e u merr gërshërët e inaugurimeve nga dora kryetarëve të komunave për t’i bërë karshillëkun e vet qesharak Bashkisë së Tiranës, me rrugë fshati që s’i ka bërë as vetë. Nuk e fsheh dot më dështimin e plotë të politikës së tij të vjetër, të cilën shqiptarët do ta dënojnë përfundimisht me votë, duke çliruar Shqipërinë nga kthetrat e së shkuarës, për ta kthyer në model të suksesit dhe të së ardhmes, ashtu si Tirana europiane që ne po transformojmë çdo ditë“. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Berishës, i cili në mungesë ka nxjerrë zëdhënësen Juela Meçani për t’u kundërpërgjigjur. “Bashkia që ka përfituar më shumë nga ndihma e Sali Berishës, si asnjëherë më parë në historinë e saj, është Bashkia e Tiranës, së cilës, përveç grandeve të kushtëzuara e të pakushtëzuara, kryeministri Berisha, me ndërhyrjen e tij personale, i siguroi mbi 150 milionë dollarë të tjera, kredi këto të mbuluara nga qeveria. Ndër to, 110 milionë dollarë për kanalizimet e Tiranës, 30 milionë dollarë për Unazën e Madhe të Tiranës, 10 milionë dollarë për Plehrat e Sharrës dhe 10 milionë dollarë për Sheshin “Skënderbeu”,- tha ajo.