Debati i panevojshëm për Arben Malajn
Pati një polemikë publike mes kryebashkiakut të Vlorës, dhe disa të zgjedhurve lokalë të Partisë Socialiste, dhe Arben Malajt. Të zgjedhurit e Vlorës deklaruan publikisht se vota për zoti Malaj është votë për Berishën dhe i bënë thirrje këtij të fundit të jepte dorëheqje nga kandidimi. Malaj e përdori këtë rast për të dëshmuar se ishte një socialist dhe kërkonte votat e së majtës, dhe së mandati i tij do ti bashkohej në të ardhmen socialistëve.
Nuk ka dyshim se vota për Arben Malajn është votë e çuar dëm si socialist dhe ndihmon Berishën. Unë po ashtu kam përjetimin tim politik që Arben Malaj prej vitit 2009 ka qenë në koherencë me Berishën në kontestimet e tij ndaj Partisë Socialiste, por dhe ndaj çdo elementi opozitar me Berishën. Ka pasur raste që ai, dhe njerëz të afërt të tij, kanë bashkëpunuar me Berishën me një plan të qartë, bile dhe për të dëmtuar medie kritike apo për ti nënshtruar ato në funksion të llogarive kundër opozitës. Për katër vite ai ka qenë një opozitar i shtirur, që i hollohet zëri kur duhet ta trashë atë dhe i trashet kur duhet të heshtë. Është nga të paktët njerëz që njoh në këtë vend, i cili në pamundësi që tu mbushë mendjen njerëzve për kulturën e vet, u thotë të gjithëve që është i shkolluar, a thua se nuk kuptohet se sa kulturë ka kur flet dhe shkruan.
Por ky është problem i tij. Problemi i Partisë Socialiste është se ka pranuar në parim, bile dhe një vit më parë, opozitarizimin e shtirur të tij dhe e ka rizgjedhur në kryesi të Partisë Socialiste, kur ai në fakt ishte një antisocialist më i bezdisshëm se Berisha. Dilemat e Edi Ramës për të qenë në rregull me publikun si gjoja i moderuar dhe tolerant ndaj zërave kritikë, bënë që Partia Socialiste ta pranonte sjelljen e tij politike formalisht. Në fund, 24 orët e fundit, bile kur lista duhet të bëhej publike, ai u përjashtua nga kandidimi me të gjitha ato arsye për të cilat ai nuk duhet të ishte në kryesi të asaj partie. Kështu dhe u prodhua një ngjarje e re, e panevojshme, dhe u prish një standard që vështirë të ndreqet më, lidhur me kuptimin e të bërit karrierë deri në kryesi të Partisë Socialiste, pa mundur dot të bëhesh as kandidat për deputet.
Problemi i dytë është kandidimi i tij. Kur një parti si Partia Socialiste vendos të mos kandidojë një person si Arben Malaj, për një mijë arsye që i di ajo dhe kryetari, ajo duhet të ketë parasysh së paku një arsye, që ky njeri nuk ka mbështetje elektorale. Unë besoj këtu se jo për faj të Arben Malajt, por për shkak të sistemit dhe kulturës sonë politike, Arben Malaj nuk merr vota në Vlorë dhe nuk bëhet deputet. Por natyrisht disa vota i merr. Ato janë votat e miqve dhe shokëve të tij dhe padyshim dhe vota socialistësh të zemëruar me Edi Ramën dhe kriteret e zgjedhjes së deputetëve. Këtu Partia Socialiste duhet të heshtë. Ajo duhet të pranojë çmimin e vendimeve të saj, qofshin këto dhe vendime të drejta. Për këtë arsye mendoj se Shpëtim Gjika dhe të zgjedhurit lokalë të Vlorës si socialistë kanë të drejtë të bëjnë thirrje të mos votohet Arben Malaj, por nuk kanë të drejtë ti thonë këtij të fundit jep dorëheqje dhe shko në shtëpi. E drejta për të konkurruar dhe për të reaguar në hapësirën e lirisë që ka mbetur në këtë vend, është e drejtë themelore dhe çdo llogari politike duhet të nisë duke pranuar këtë liri. Edhe llogaritë e Partisë Socialiste në Vlorë duhet të nisnin nga ideja që Arben Malaj është i parëndësishëm. Nëse është aq i rëndësishëm sa prish punë, nuk është as koha dhe as rruga e duhur ti thuash ik në shtëpi se na prish punë. E drejta e socialistëve është të konkurrojnë tashmë me Arben Malajn dhe jo ta ripërjashtojnë atë nga konkurrimi.
Për këtë arsye mendoj se ky debat publik me të, është në favor të Arben Malajt dhe i panevojshëm për Partinë Socialiste. Ajo është një parti që konkurron në një shoqëri të lirë dhe nuk mund tia ndalë askujt të drejtën të jetë konkurrent me të. Mënyra se si bëhet i parëndësishëm Arben Malaj nuk është ta bësh atë palë në fushatën elektorale. Mënyra se si zvogëlohet pesha e tij, nuk është as ajo që bën Pandeli Majko që i kujton se të afërmit e tij në Tiranë do votojnë Partinë Socialiste. Edhe kjo është një mënyrë që e bën atë të besueshëm si socialist i mërzitur.
Në një qark ku i pari i listës është kryeministri i ardhshëm, marrja kaq shumë dhe në mënyrë kaq urdhërore me një kritik të tij brenda partisë, rrezikon ta kthejë Qarkun e Vlorës në një asamble të zgjeruar të PS, ku mund të bëhet radiografia e krizës së drejtimit të partisë. Nuk jemi në vitin 1942, kur Enver Hoxha dërgoi Hysni Kapon në Vlorë të eliminonte grupin e Qorrit dhe Xhepit.
Lëreni Arben Malaj të konkurrojë dhe të provojë sa vota ka në Vlorë! Mos na e fshihni as fuqinë dhe as pafuqinë e tij!
Thirrja për të shkuar në shtëpi, është thirrja për kompromis, që në këtë rast është faktorizim i Malajt, ose demonstrim i një arrogance të frikshme, në një parti ku të rrahin e s’të lënë as të qash. Lëreni të provojë për të mirën tuaj sa kushtojnë gabimet tuaja, ose sa vlerë kanë pasur ato. Na jepni shans që kjo fushatë të paktën të ketë një bilanc, të ketë ndonjë gjë për të cilën mund të bëjmë llogari nesër! Është e tmerrshme që nga kjo betejë të mos humbasë askush. As Arben Malaj!
