Turqinë e lëshon durimi

Sulmet artilierike turke filluan të mërkurën, si përgjigje ndaj granatave minahedhëse të shkrepura nga territori i Sirisë mbi qytetin kufitar turk Akcakale, si pasojë e të cilave humbën jetën pesë shtetas turq.
Granatat ishin shkrepur nga zona siriane Tel Abjad, në të cilën janë pozicionuar forcat luajale të presidentit Bashar al-Assad.
Gjatë valës së parë të sulmeve artilierike turke janë vrarë disa ushtarë sirianë, njoftuan burime brenda Sirisë.
Përndryshe, për sulmet siriane Turqia menjëherë ka njoftuar edhe Këshillin e Sigurimit të OKB. Në një letër drejtuar sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki-moon, Ankaraja zyrtare nënvizon se sulmet siriane “paraqesin një akt agresioni të Sirisë ndaj Turqisë”, andaj nga OKB kërkohet që kundër Damaskut të ndërmarr masat e nevojshme, të cilat do të siguronin mbrojtjen e integritetit territorial të Turqisë dhe të jetëve të shtetasve të saj.
Paralelisht, shefi i diplomacisë së Rusisë, Sergey Lavrov, i ka bërë thirrje Damaskut që të premtojë publikisht se nuk do të lejojë vazhdimin e sulmeve të armatosura brenda kufirit turk. Lavrov po ashtu ka nënvizuar që Siria dhe Turqia duhet të krijojnë një kanal të qëndrueshëm të komunikimit, me qëllim të zgjidhjes së konflikteve ndërkufitare. Sipas tij, Damasku tashmë ka njoftuar Moskën për incidentin, të cilin e ka cilësuar si “një rast të tragjik dhe të paqëllimshëm”.
Nga ana tjetër, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Victoria Nuland, i ka bërë thirrje Rusisë që “shfrytëzojë ndikimin e vetë tek regjimi i Assad” për qetësimin e situatës, derisa ka nënvizuar se Washingtoni do të vazhdojë të bashkëpunojë me Moskën në kërkim të një zgjidhjeje të krizës siriane.
Damasku zyrtar ndërkohë ka shprehur ngushëllimet e tij për shtetasit e vrarë turq, dhe ka porositur se incidenti i ndodhur ka nisur të hetohet nga autoritetet ushtarake. Ministri sirian i Informimit, Omran al-Zoubi, ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje, dhe ka theksuar se vendi i tij respekton integritetin territorial të të gjitha shteteve fqinje.
NATO dhe BE paralajmërojnë Damaskun
Ndryshe, me kërkesë të Turqisë, të mërkurën mbrëma në Bruksel është mbajtur një mbledhje urgjente e ambasadorëve të NATO’s.
“Bombardimi paraqet arsye për një shqetësim maksimal të të gjitha vendeve anëtare, të cilat e dënojnë një veprim të tillë. Aleanca jonë qëndron fuqishëm prapa Turqisë, dhe kërkon ndërprerjen e menjëhershme dhe urgjente të lëvizjeve agresive kundër aleates sonë, dhe i bënë thirrje regjimit sirian që të ndërpres shkeljen e qartë të ligjeve ndërkombëtare”, thuhet në kumtesën e lëshuar pas mbledhjes së vendeve anëtare të NATO’s, e cila u mbajt në përputhje me nenin 4 të Kartës së NATO’s, i cili iu bënë thirrje vendeve anëtare që të konsultohen mes vete në rastin kur ndonjëri prej vendeve anëtare konsideron se i është cenuar integritetit territorial dhe pavarësia politike.
Të enjten ndërkaq ka reaguar edhe shefja e BE’së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, e cila ka dënuar Sirinë për sulme që rezultuan me vrasjen e civilëve turq në Turqi. Gjithashtu, Ashton ka kërkuar edhe vetëpërmbajtje nga Ankaraja, pas sulmeve hakmarrëse ndaj Sirisë.
"E dënoj ashpër sulmin e djeshëm artilierik të forcave siriane ndaj qytetit kufitar turk Akcakale, si pasojë e të cilit u vranë pesë dhe u plagosën shumë persona të tjerë”, theksoi Ashton. “Ju bëjë thirrje të dyja palëve për vetëpërmbajtje” shtoi ajo.
Hakmarrja e imponuar turke
“Në pajtim me rregullat e veprimit, forcat tona të armatosura, të cilat ndodhen në zonën kufitare, i janë kundërpërgjigjur sulmit të neveritshëm me zjarr artilierik ndaj vendeve të përcaktuara me radar brenda territorit të Sirisë”, deklaroi të mërkurën mbrëma kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
“Turqia kurrë më nuk do të lë pa përgjigje asnjë provokim që vjen nga regjimi sirian kundër sigurisë tonë kombëtare”, shtoi ai.
Që nga fillimi i kryengritjes 18-mujore kundër regjimit sirian të presidentit Bashar al-Assad, ky është eskalimi më i madh i tensioneve ndërkufitare mes dy vendeve.
Ndërkohë, Qeveria e Turqisë të enjten mori dritën e gjelbër të Parlamentit për ndërmarrjen e operacioneve tjera ushtarake brenda territorit të Sirisë. Në fakt, Parlamenti i Turqisë autorizoi të gjitha operacionet ushtarake turke matanë kufirit me Sirinë. Sipas agjencisë shtetërore e lajmeve, Anatolya, vendimi i miratuar nga parlamenti autorizon qeverinë që për një vit të dërgojë forca në Siri, ose që të vazhdojë me bombardime ajrore në Siri.
Sipas raporteve të fundit jozyrtare, forcat tokësore turke kanë nisur të pozicionohet përreth kufirit me Sirinë.
Një shpërthim eventual i konfliktit të armatosur mes dy shteteve mund të ketë efekte të paparashikueshme për rajonin e Lindjes së Afërt dhe të Mesme.
Raporti i forcave ushtarake
1. Turqia (të dhënat e vitit 2011)
Numri i ushtarëve:
Ushtarë aktivë: 612,900
Ushtarë aktivë rezervë: 429,000
Forcat tokësore
4,246 tanke; autmojete të blinduara 6,592; artileri mobile 1,838; armatime vetëlëvizëse 1,419; radarë për lokalizimin e mortajave 559; mortaja 7,574; armatim antitank 47,546; armatim kundërajror 5,547; automjete logjistike
24,906.
Forcat ajrore
Aeroplanë luftarakë 1,940; helikopterë 874; aeroporte në dispozicion 99.
Forcat detare
Anije luftarake 265; porte dhe terminale 8; bartëse aeroplanësh 0;
destrojerë 0; nëndetëse 16; fregata 19; anije patrullimi 108; anije minahedhëse luftarake 20; anije luftarake amfibe 55.
2. Siria (të dhënat e vitit 2011)
Numri i ushtarëve:
Ushtarë aktivë: 304,000
Ushtarë aktivë rezervë: 450,500
Forcat tokësore
4,950 tanke; automjete të blinduara 6,610; artileri mobile 2,160; armatime vetëlëvizëse 486; radarë për lokalizimin e mortajave 1,200; mortaja 1,510; armatim antitank 8,490; armatim kundërajror 3,310; automjete logjistike
8,000.
Forcat ajrore
Aeroplanë luftarakë 830; helikopterë 208; aeroporte në dispozicion 104.
Forcat detare
Anije luftarake 19; Porte dhe terminale 3; bartëse aeroplanësh 0; destrojerë 0; nëndetëse 0; fregata 2; anije patrullimi 10; anije minahedhëse luftarake 4; anije luftarake amfibe 3.