Debati, kriset pakti PD-PS për hapjen e kutive të votimit

Komisioni i Reformës Zgjedhore
Rikthehet konflikti i paszgjedhjeve të 2009. Neni që bllokon reformën zgjedhore. Replikat mes Gjiknurit e Rusmalit.
Zbardhet debati i plotë në Komisionin e Reformës.
Rusmali: Tani po kërkoni të prishni zgjedhjet me ligj. Gjiknuri: Ti po hedh në erë konsensusin.
Hapja e kutive të votimit në rastet kur ka ankimim krisin paktin mes PD-së dhe PS-së për reformën zgjedhore. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit, deputetët e dy partive kanë pasur qëndrime të ndryshme sa i përket një pike të nenit 116, ku parashikohen rastet se kur hapen kutitë e votimit. Partia Demokratike kërkoi që kutitë e votimit të hapen në të gjitha rastet kur ka ankim dhe provat gjenden në kuti. Nga ana e saj PS-ja shprehet se përveç këtij rasti, kutitë e votimit duhet të hapen edhe në rastet kur ka mospërputhje të numrit të fletëve të votimit të gjetura në kuti me numrin e votuesve që kanë marrë pjesë në zgjedhje, apo edhe në rastin kur zgjedhjet janë zhvilluar pa përdorur pajisjen elektronike të kontrollit të kartave të identitetit. Bashkëkryetari demokrat i reformës zgjedhore, Ilir Rusmali, tha se këto propozime të opozitës tentojnë vetëm të prishin zgjedhjet. Kutia hapet për të kërkuar provën, jo për ti thënë mirëdita. Instrumente për të prishur zgjedhjet, në qoftë se nuk ju pëlqen rezultati. Po kujdesesh që neni 116 të të japë ty në dorë të gjitha instrumentet ligjore për të prishur zgjedhjet për 4 vjet në qoftë se nuk të pëlqen rezultati. Këtë sta pranoj kurrë. Ke tentuar ti prishësh pa ligj, tani do ti prishësh me ligj. Do ti prishësh. Nuk jemi këtu për të prishur zgjedhjet, por për ti ndërtuar ato, u shpreh Rusmali. Nga ana e tij, bashkëkryetari socialist, Damian Gjiknuri, u shpreh se kutitë do të hapen vetëm në ato raste kur ka interes për to. A nuk përbën shkak për ankim kur kemi mospërputhje të fletëve të votimit? A nuk është parregullsi kjo sipas praktikës botërore? E ke edhe sot këtë parregullsi, sepse ta konstaton KZAZ-ja. A nuk përbën shkak ajo që kemi rënë dakord se, kur nuk përdoret pajisja e numërimit…? Unë nuk e hap kot nëse nuk kam ankesë, e hap vetëm kur kam interes. Për çfarë provash bëhet fjalë? Për kutitë. Mbledhja e djeshme ka qenë më e nxehta e këtyre pesë muajve të Komisionit. Pas insistimit të maxhorancës për të ndryshuar nenin 116, Gjinkuri e akuzoi Rusmalin se po hedh në erë konsensusin. Varianti i kompromisit është ai që kemi sjellë në Komision dhe e kemi pranuar të dy. Një variant kompromisi ka, por ju bëjeni si të doni. Po e hedh në erë dhe do të jesh ti përgjegjës, tha deputeti i PS-së. Ndërsa Rusmali u përgjigj duke thënë se nuk më tremb ti mua me këto gjëra, sepse këto janë gjëra të atyre njerëzve që dalin në gëmushë me çifte në dorë dhe rrinë në pritë. Të të vijë zor.
Debati në Komisionin e Reformës Zgjedhore
Ilir Rusmali Kalojmë te neni 116. Kam unë diçka këtu. Pika 2 e në vazhdim përcakton një procedurë. Sipas shpjegimeve që dha edhe zoti Gjiknuri, kjo procedurë vihet në funksionim kur në kutinë e fletëve të votimit nuk ndodhet procesverbali i mbylljes. Kjo do të thotë që për të operuar në vazhdim me numërimin e fletëve të votimit duhet të gjendet procesverbali i mbylljes. Do të thotë që duhet të hapet kutia e materialeve të votimit, sepse procesverbali i mbylljes mund të jetë aty. Dakord, origjinali ose kopja e tij mund të ndodhet në kutinë e materialeve të votimit. Në qoftë se ky është vizioni juaj, unë dua që në pikën 2 të thuhet: Në rast se nuk gjendet, procesverbali kërkohet te…
Të thuhet: Hapet kutia e materialeve të votimit. Gjendet procesverbali, merret dhe hidhen të dhënat atje ku duhet. Pastaj kutia mbyllet dhe transferohet. Kemi edhe një opsion tjetër, i cili nuk është këtu te pika 2, por duhet të jetë. Në rast se hapet kutia e materialeve të votimit dhe nuk gjendet procesverbali, ju keni thënë: …që të mund të procedohet me numërimin e votave, duhet të prodhohet procesverbali. Por, që të mund të prodhohet procesverbali, një grup njerëzish duhet të bëjnë punën që komisioni i qendrës së votimit duhet të bënte në mbyllje të procesit. A mund ta marrim nenin përkatës siç është dhe ta vendosim te Komisioni i qendrës së votimit? Pra, a jeni dakord që këta njerëz duhet të bëjnë punën e komisionit të qendrës së votimit?
Damian Gjiknuri Ka procedurë tjetër.
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Në KQV ka një pajisje që nxjerr të dhënat. Nga do ta nxjerrë atë të dhënë? Aty ka veprime të tjera. Aty ka vendimmarrje që kur është hapur qendra e votimit.
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Ti për çdo gjë ke dyshime. Së pari, është marrë dhe është reflektuar neni aktual i verifikimit të materialeve zgjedhore. Ne kemi thënë se çfarë bëhet kur nuk e ke. I nxjerr fletët dhe shikon sa njerëz kanë hedhur firmat. Kjo është pjesëmarrja, sepse ai nuk e ka pajisjen brenda që të…
Ilir Rusmali Çfarë thotë neni për KQV-në, për mbylljen e procesit të votimit?
Në qoftë se ti nuk i bën dot kështu siç i ke, ta bëjmë që ti bëjë. Në qoftë se nuk i bën dot, edhe në qoftë se ne e bëjmë që ti bëjë, atëherë gjejmë një zgjidhje tjetër, por jo këtë tënden, sepse është shumë e keqe. Është dinake, e shëmtuar dhe është pas shpine.
Zoti Bylykbashi, a mund ta zgjidhim çështjen?
Damian Gjiknuri Së pari duhen kontrolluar të gjitha çfarë ka materiali brenda, sepse kur kutia vjen, ka një arsye. Ajo është kuti me një mangësi. Këta njerëz po bëjnë një verifikim të punës, sepse nuk e kanë kryer të tjerët. Çfarë bëjnë? E para, kontrollojnë. Kështu e ka edhe Kodi aktual. Unë nuk kam pse të ndryshoj Kodin aktual, pse nuk të pëlqen ty.
Ilir Rusmali – Është histori e çuditshme kjo e jotja.
Damian Gjiknuri – Të lutem, më lër ta mbaroj!
Ilir Rusmali – Do të bëjë punën që nuk e ka bërë KQV-ja, themi: Zbaton procedurat. Sa ishte neni? Kryen, përsërit procedurat e nenit 113.
Damian Gjiknuri – Jo përsërit, por kryen verifikim.
Ilir Rusmali – Jo, je inkoherent te kjo. Nuk e bën dot verifikimin.
Damian Gjiknuri – Ky e bën. Pse nuk e bën dot?
Ilir Rusmali – Verifikimi bëhet me procedura ankimore.
Damian Gjiknuri – Jo.
Ilir Rusmali – Je inkoherent dhe i paligjshëm.
Damian Gjiknuri – Jo, zotëri. Kjo është edhe naive ta thuash. Ti do të shtosh artificialisht edhe ankesat.
Ilir Rusmali – Unë i qëndroj naivitetit tim. Kam vetëm një variant kompromisi: Grupi i numërimit përsërit procedurat për mbylljen e procesit për hartimin e procesverbalit, sipas nenit për KQV-në. Asnjë fjalë të vetme më shumë.
Damian Gjiknuri – Nëse do ti bllokosh gjërat, e ke veton. Dalim përpara publikut dhe thuaj pse nuk do.
Ilir Rusmali – Dal unë përpara publikut.
(Debat në Komision.)
Opinioni im është ky.
Unë jam i vendosur, për të prodhuar dokumentin, përsërit procedurën. Përpara publikut dal unë, nuk ka problem. Naivitetin tim e justifikoj unë përpara publikut. Unë nuk kam opsion tjetër.
Formula ime e kompromisit, zoti Bylykbashi, është: Grupi i numërimit zbaton procedurat sipas nenit për mbylljen e procesit sipas nenit … të KQV-së dhe harton dokumentin.
Damian Gjiknuri – Unë nuk e pranoj këtë. Ti nuk jep asnjë arsye serioze për këtë