Debati në Kuvend, pakti, konflikt i ngrirë me Serbinë

Thaçi e Ashton
Ashton: Marrëveshja historike, Thaçi u tregua një lider vizionar.
Kuvendi i Kosovës ka debatuar dje përfshirjen e Rezolutës 1244 në fusnotën e Kosovës që do të paraqitet në takimet rajonale, e cila kundërshtohet ashpër nga opozita. Sipas deputetëve të partive opozitare, kjo fusnotë e dobëson Kosovën, pasi ringjall rezolutën 1244, e cila nuk e njeh pavarësinë e vendit. Ndërsa partitë e koalicionit të shumicës, edhe pse janë shprehur se përmbajtja e fusnotës nuk është më e mira që mundej për vendin, thonë se marrëveshja ishte e detyrueshme, në mënyrë që Kosova të bëhej pjesë e mekanizmave ndërkombëtarë. Ndërkohë që deputetë të PDK-së së Thaçit mohuan çdo zë se marrëveshja e fundit cenon shtetësinë e sovranitetin e Kosovës. Nga radhët e LDK-së së Isa Mustafës në opozitë u kërkua diskutimi i detajuar i kësaj marrëveshjeje,për shkak të rëndësisë së madhe që ajo ka. Ndërsa Lëvizja i cilësoi dje në Kuvend kompromiset e fundit që bëri qeveria e Kosovës, si alarmante dhe në kurriz të pavarësisë. Edhe AAK nuk e ka mbështetur marrëveshjen, duke e konsideruar atë pasojë të keqqeverisjes së vendit. Deputetët e Vetëvendosjes thanë se zëvendësimi i shtetësisë me statusin e fusnotës, e çon vendin drejt një konflikti të ngrirë me Serbinë dhe drejt nevojës për negociata të tjera për ta ndryshuar gjendjen. Ndërkohë Kryeministri Hashim Thaçi dje në Bruksel ka takuar kryediplomaten europiane, Katerin Ashton, e cila e ka vlerësuar këtë marrëveshje si historike. Ashton ka vlerësuar kontributin e Kryeministrit kosovar, duke çuar lart vizionin dhe lidershipin e tij. Kjo marrëveshje do të thotë se Kosova do të marrë pjesë dhe do të flasë vetë për veten e saj në më shumë se 35 forume të ndryshme rajonale. Kosova po ashtu do të jetë në gjendje të nënshkruajë vetë marrëveshje. UNMIK-u tashmë ka deklaruar se do ti lërë këto të drejta për Kosovën, citon REL fjalët e Ashton para gazetarëve në Bruksel. Ndërsa komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fyle, tha se nisja e studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të Bashkimit Europian me Kosovën është një hap i rëndësishëm përpara i Kosovës, në raport me BE-në.
Pa kufij
Kreu i ekipit negociator me Kosovën, Borislav Stefanoviç, ka deklaruar se caktimi i datës së fillimit të negociatave me BE-në nuk është i lidhur me çështjen e statusit të Kosovës. Stefanoviç ka thënë se Serbia çështjen e statusit e ka zgjidhur me Kushtetutën e vet, kështu që askush nuk do të kërkojë ndryshimin e pozicionit tonë shtetëror e kombëtar e këtë as që do ta pranonim. Sipas tij, vija ndërmjet Kosovës e Serbisë do të jetë e karakterit administrativ dhe nuk do të ketë kurrfarë simbolesh të kufirit shtetëror, por kontrolli duhet të ekzistojë, është shprehur Stefanoviç.