Debati për bojkotin, deputetët e PS-së në heshtje
Vëzhgimi
Një ditë pas Asamblesë Kombëtare, ligjvënësit socialistë refuzojnë të komentojnë mbi debatet e brendshme
Një ditë pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, ku u rikthyen dukshëm debatet mbi bojkotin e Parlamentit, situata në selinë rozë duket e qetë, edhe pse kjo është një çështje që ka turbulluar disi ujërat pas disa muajsh protestash. Ashtu si dy ditë më parë, kur u shënua kulmi i debatit me dyer të mbyllura, edhe një ditë më vonë, vështirë se pranohet hapur se në parti po diskutohet për mundësinë e djegies së mandateve të deputetëve socialistë. Letra e Kryetares së Kuvendit, edhe pse në reagimin zyrtar është antikushtetuese, ka sjellë interpretime e debate nga më të ndryshmet. Raporti mes atyre që janë kundër bojkotit dhe atyre që janë pro, mbetet po ai që ka qenë. Veçse këtë herë, kundërshtarët, ose deputetët e lëvizjes për mendimin ndryshe janë më se të bindur se ata që mendojnë se duhet thyer bojkoti janë shumë. Të kontaktuar me telefon se çfarë mendojnë mbi ekzistencën e dy mendimeve të kundërta, për ndryshimin e raportit mes mbështetësve të tyre, asnjë prej deputetëve nuk pranon të komentojë, duke ia lënë gjithçka debatit në një mbledhje të ardhshme të Asamblesë, siç është paralajmëruar tashmë. Bojkoti i Parlamentit hyn në muajin e pestë, ndërsa gjatë gjithë kësaj kohe socialistët kanë zhvilluar një sërë protestash në qytetet kryesore të vendit. Vendimi për bojkotin e Parlamentit u përmend për herë të parë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të muajit korrik, fill pas zgjedhjeve të 28 qershorit, duke u rikthyer në kongresin e fundit të muajit gusht. Gjithçka u zyrtarizua në një mbledhje Kryesie e më pas të grupit parlamentar, duke vendosur që të mos bënin as betimin. Mungesa e këtij akti formal ka sjellë një sërë debatesh të forta këto muaj, pasi mazhoranca ka paralajmëruar se do bëjë zëvendësimin në muajin mars, atëherë kur mbaron mandati i deputetëve aktualë. Situata në Shkodër risolli në vëmendje një mundësi që deputetët të hyjnë në Parlament dhe të bëjnë betimin, por dy ditë më parë, Rama përforcoi idenë se ligjvënësit socialistë nuk do ta thyejnë vendimin e muajit shtator. “I kanë vënë emrin e jashtëzakonshme një seancë që zhvillohet konform Kushtetutës, çdo të hënë të tretë të janarit, ku ne nuk kemi asnjë arsye pse të shkojmë, sepse emergjenca për të përballuar dallgën shkatërruese të krimit qeveritar ka kaluar dhe ka filluar faza ku duhet të përballohen shkatërrimet e bëra”, u shpreh Rama. Jo duke marr pjesë, vijoi ai, në farsën parlamentare të organizuar nga autorët e veprimtarisë kriminale që nxori Fierzën jashtë kontrollit. “Nuk është një motiv i ri për të futur opozitën në sallën e Parlamentit të kutive të mbyllura, por një arsye më shumë për të nxjerrë nga godina e qeverisë pushtetin e kutive të vjedhura. Përralla e djegies së mandateve është shpikur për të larguar vëmendjen nga zullumet e qeverisë së Saliut”, theksoi Rama.
#