Debati për hapjen e kutive, Kristo: Përgjigje brenda 2 muajve
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo shprehet për herë të parë se hapja e kutive të votimit do të kishte një përgjigje për 2 muaj, nëse do të kishte një kërkesë në Gjykatë. Kristo tha dje, se në rast të një kërkese të tillë për t'u shqyrtuar dhe marrë një vendim nga Gjykata Kushtetuese, ky organ ka detyrimin që të vihet në lëvizje për 2 muaj. Gjithsesi, ai shtoi se çdo çështje juridike ka kohën e vet, deri në dhënien e një vendimi përfundimtar. "çdo çështje kërkon kohën e vet dhe koha nuk mund të përcaktohet. Në Gjykatë Kushtetuese ka vetëm një detyrim nga pikëpamja juridike, çdo çështje që vjen ta vërë në lëvizje brenda 2 muajve" tha Kristo. Deklarata e kreut të Gjykatës Kushtetuese vjen në një kohë, kur nga Këshilli i Evropës është kërkuar që të merret një vendim nga kjo gjykatë për hapjen e kutive. Deri më sot, asnjëra palë nuk i është drejtuar gjykatës, pasi vetëm në këtë formë do të kishte mundësi që gjykata të merrte një vendim. Kristo foli dje edhe për emërimin e anëtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese dhe në atë të Lartë. Ai tha se 4 emërimet e reja në Gjykatën e Lartë duhet të bëhen sa më parë, pasi atje ka një volum të lartë pune. Ndërsa për 6 emërimet në Gjykatën Kushtetuese, Kristo tha se ligji parashikon që anëtari i vjetër të vijojë punën deri tek emërimi i ri. "Nuk besoj se ka ngërç kushtetues sepse Kushtetuta e ka parashikuar që mandati i gjyqtarit, pavarësisht se nga pikëpamja juridike deklarohet i përfunduar, ai vazhdon detyrën deri në zëvendësimin e tij nga pasardhësi. Nuk mund të krijohet ndonjë bllokim i gjykatës. Kryetari vazhdon formalisht të drejtojë mbledhjet derisa të zëvendësohet nga pasardhësi i tij", tha Kristo. Këto komente, kreu i Gjykatës Kushtetuese, i bëri në kushtet kur deri në fund të muajit maj do t'i përfundojë mandati 6 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa vet Kristos si kryetar, në fillim të muajit qershor. "Ka një problem. Unë respektoj vendimmarrjen e Presidentit të Republikës. Nuk është normale. Ajo është një gjykatë që ka një ngarkesë të jashtëzakonshme pune dhe ka nevojë urgjente, të domosdoshme të kompletohet. Kjo gjendje krijon vështirësi të mëdha në funksionimin e saj", tha më tej Kristo, për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Aktualisht, Presidenti Topi ndodhet në konsultim për gjetjen e 10 anëtarëve të rinj në sistemin e drejtësisë, përkatësisht 6 anëtarë në Gjykatë Kushtetuese dhe 4 anëtarë në Gjykatën e Lartë. Emërimi i tyre bëhet në Parlament me shumicë prej 71 votash.