Të përndjekurit, protestë ndaj Moisiut
adi shkembi
Të përndjekurit politikë reagojnë ashpër pas deklaratës së ish Presidentit, Alfred Moisiu, sipas të cilit Mehmet Shehu ka qenë kryeministri më i mirë i Shqipërisë. Mesditën e djeshme dhjetëra ish të përndjekur kanë protestuar përpara shtëpisë së ish kreut të shtetit në Tiranë, ku deklaruan se intervista e Moisiut i ka indinjuar. "Një deklaratë e tillë cenon rëndë kujtesën e popullit shqiptar dhe në mënyrë të veçantë të përndjekurve politikë, që i kanë hequr mbi kurrizin e tyre torturat dhe barbarizmat të ushtruara mbi ta, me urdhër të po këtij Mehmet Shehu, që ish presidenti i ynë, në mënyrë krejt absurde e ngreh në majat më të larta të kombit tonë", tha kryetari i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, Skënder Qëndro. Sipas tij, mbi ish kryeministrin Mehmet Shehu rëndojnë akuzat për vrasjen e 65 njerëzve në Lushnje, pushkatimin e mirditorëve në 1949 dhe dënimin e mijëra viktimave gjatë periudhës së regjimit, kur ai ka mbajtur postin e kreut të qeverisë. "Zoti Moisiu na e ngre këtë kriminel në postin e heroit. Turp për ty ish President. Një gjë e tillë na tregon se ju paskeni qenë një vegël e shërbimeve sekrete të ish sigurimit të shtetit. Këtë shërbim ju vazhdoni t'ia jepni këtij shërbimi të urryer. Do të ishim të gatshëm të justifikonim lajthitjen e Moisiut, se tani në pleqëri i ka marrë koka erë, por për fat të keq e kundërta është, gjithë jetën i ka shërbyer dhe ka ngrënë çorbën e prishur të komunizmit", theksoi më tej, kreu i shoqatës së të përndjekurve. Ata i kanë bërë thirrje ish kreut të shtetit të ndryshojë qëndrim lidhur me ngjarjet e periudhës komuniste. "I bëjmë thirrje zotit Moisiu! Hiqni dorë nga mentaliteti komunist i gjykimit të ngjarjeve! Shqipëria sot ka përqafuar sistemin demokratik dhe ky sistem nuk pranon hymnizimin e diktatorëve. Në të kundërt ju dhe adhuruesit tuaj do të përfundoni në koshin e plehrave të historisë shqiptare", theksuan më tej të përndjekurit politikë. Në të njëjtën kohë, Drejtori i Institutit të ish të përndjekurve politikë, Simon Miraka, e cilësoi si regres të demokracisë vlerësimin e bërë pak ditë më parë nga Moisiu gjatë një interviste për gazetarin Mentor Nazarko. Ish kreu i shtetit tha pak ditë më parë për figurën e Mehmet Shehut se "unë u kam thënë kryeministrave me të cilët kam bashkëpunuar dhe të tjerëve, se për mendimin tim, unë mund të jem i gabuar nuk e di, por këtë mendim e kam, që si organizator, si drejtues, qeveritar, unë nuk e di kur do t'i vijë një figurë e tillë. Nuk flas për anët e tjera, për anën kriminale e të tjera. Flas thjesht për anën organizative të tij dhe metodën e punës që kishte ky njeri".
Moisiu: S'mund të them që Mehmeti s’ka bërë krime
Ish Presidenti Alfred Moisiu reagoi mbrëmë ndaj protestës së ish të përndjekurve duke sqaruar se vlerësimi i tij për Mehmet Shehun ishte për anën menaxheriale të drejtimit të Qeverisë. Sipas tij pas kësaj proteste qëndron Kryeministri Berisha. "Të përndjekurit gjetën një shkak për kritikat që unë kam bërë. Fjalët e mia janë transferuar me qëllim të keq. Nuk e përzjeva Mehmetin me krimet, s'mund të them që Mehmeti s'ka bërë krime. Unë fola vetëm për anën teknike, si menaxher si drejtues i Qeverisë".