E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debati për historinë, Kristo Frashëri: Si e njoha Qemal Stafën

TIRANË- Duhet ta keni vënë re se si historian nuk kam marrë pjesë në çështjet politike, ekonomike e shoqërore të ditës. Këto janë çështje me të cilat merren zakonisht analistët e ditës. Kam ndërhyrë dhe do të ndërhyj, kur bëhen debate mbi çështje që tashmë kanë hyrë në histori. Kur them që kanë hyrë në histori, e kam fjalën për ngjarje që kanë që kanë ndodhur jo më pak se 40-50 vjet më parë. Një nga këto çështje për të cilat po flitet kohët e fundit është dhe vlerësimi historik i Qemal Stafës, i cili ka rënë dëshmor, në luftë me milicinë kuislinge të Mustafa Krujës, më 5 maj 1942.

Historia e Shqipërisë shquhet ashtu si edhe historitë e vendeve të tjera, për faktin se i nderon, i respekton heronjtë apo dëshmorët e saj që kanë dhënë jetën për lirinë, pavarësinë dhe përparimin e atdheut. Madje në çdo ngjarje të rëndësishme historike, nga radhët e dëshmorëve njëri prej tyre shquhet mbi të tjerët dhe shndërrohet në simbol të ngjarjes. Ndonjëri mund të thotë se kombi nuk ka nevojë për simbole apo për mite sepse simbolet apo mitet janë, sipas tyre, kulte që nuk pajtohen me ecurinë e qytetërimit modern.

Me sa di unë, kjo pikëpamje nuk ka gjetur miratimin e përgjithshëm. Edhe brezat e sotëm kanë nevojë për simbole të cilët me shembullin e tyre i frymëzojmë ata të duan atdheun dhe t’i shërbejnë atij po të jetë nevoja edhe me jetën. Mjafton të sjellim këtu disa shembuj. Lidhja Shqiptare e Prizrenit midis dëshmorëve të shumtë që dhanë jetën për çështjen e shenjtë të atdheut, njëri prej tyre historia e ka ngritur në piedestalin e heroit. Është Mic Sokoli i cili më 20 prill 1881, u hodh në sulm kundër baterisë së ushtrisë osmane në Slivovë (Kosovë) dhe me këtë veprim heroik dha jetën për të mos vdekur kurrë. Dua të kujtoj gjithashtu, Petro Nini Luarasin, i cili dha jetën e vet më 17 gusht të vitit 1911, jo në fushën e luftës por në betejën e shenjtë për shkollën shqipe. 

Më tej, më 11 qershor 1920 dha jetën Selam Musai, një trim i rrallë, i cili në sulmet që fshatarët labë ndërmorën “me gunë përmbi tela” kundër ushtrisë italiane. Simbolizon heroizmin e Luftës së Vlorës. Vijmë më në fund në ditën tragjike të 7 prillit 1939. Atë ditë u vranë mjaft djem trima shqiptarë në Durrës, Vlorë, Shëngjin në luftë për të mbrojtur Atdheun nga legjionet fashiste italiane. Më i shquari prej tyre ishte kapiteni i xhandarmërisë zogiste Mujo Ulqinaku. Të gjithë këta heronj tashmë janë kthyer në simbole. Secili prej tyre përfaqëson heroizmin dhe atdhedashurinë e popullit shqiptar në momente të caktuar historike. Askush nuk ka pyetur dhe nuk pyet se çfarë bindje politike kanë pasur këta heronj të pavdekshëm. Askush nuk do t’ia dijë nëse këta qenë të djathtë apo të majtë, monarkistë apo republikanë, intelektualë apo fshatarë, veriorë apo jugorë. Një fjalë e urtë kineze thotë: “Nuk ka rëndësi nëse macja është e bardhë apo e zezë, mjafton që të hajë minjtë”. Nuk ka pra rëndësi nëse dëshmori është i djathtë si Mujo Ulqinaku, apo i majtë si Qemal Stafa, mjafton që të luftojë okupatorin. Të gjithë ata që bien në luftë janë dëshmorë. Megjithatë ka midis tyre heronj si Qemal Stafa që ndriçojnë më tepër se të tjerët.
(Shkrimi i plotë sot në Gazeta Shqiptare) 
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›