Rama: Bashkimi i opozitarëve e bën fitoren të sigurt
Lideri i opozitës, Edi Rama e sheh fitoren e Partisë Socialiste tek bashkimi i popullit opozitar për të ndryshuar gjendjen. Promovon “Kurbanin” në Burrel
Pak kohë pasi ka përjashtuar një aleancë të mundshme me LSI-në e Ilir Metës, kreu i opozitës, Edi Rama e sheh fitoren e Partisë Socialiste tek bashkimi i popullit opozitar. Nga Burreli, ku ndodhej dje për promovimin e librit “Kurbani”, Rama ka kërkuar bashkimin e opozitarëve rreth bindjes së ndryshimit të gjendjes së krijuar në vend. “Kur socialistët, progresistët, opozitarët në tërësi pa dallim, bashkohen në bindjen që duhet të ndryshojë gjendja, nuk ka asnjë metër katror Shqipëria ku nuk fiton Partia Socialiste. Është plotësisht e sigurt”, - u tha Rama matjanëve të mbledhur për promovimin e librit të tij. Në fjalën e tij, lideri i opozitës tha se dalja nga gjendja e varfërisë, papunësisë apo dëshpërimi gri i shoqërisë, për të cilat akuzoi qeverinë, kërkon bashkim. “Duhet me patjetër të dalim nga llogoret ku qëndrojmë të ndarë. E këtu flas për qytetarët, nuk flas për politikën”, - shtoi ai. Rama ka folur përpara qytetarëve të Burrelit për varfërinë e aspiratave, çka sipas tij ekziston në qeverisjen e vendit. “Varfëria e aspiratave është gjeneratori i të gjithë varfërive të tjera. Dramatike është se kjo varfëri aspiratash është kthyer në sistem propagande, ku shqiptarëve u thuhet përditë se duhet të jetojnë të lumtur sepse janë të lirë, ndërkohë që shqiptarët lirinë e fituan 20 vjet më parë. Por, sot kanë nevojë të dinë se si përmes lirisë mund të jetohet më mirë, jo në një kohë të papërcaktuar shumë e shumë vite më pas, por sot këtu në vendin e tyre”, -tha Rama. Ai ka shtuar se qeveria gënjen publikun dhe vjedhja është kthyer në normalitet. Në fund të bashkëbisedimit me matjanët, Rama ka vazhduar ritualin e firmosjes së librave “Kurban”.