Debatik Curri i mallkuar, dëmtohet sërish
Futbollisti i Gençlerbirligisë mund të mungojë në miqësoren e 29 shkurtit me Gjeorgjinë në Tbilisi
Mesfushorin kosovar të kombëtares, Debatik Currin, vazhdojnë ta përndjekë fati i keq. Pasi pësoi një dëmtim të rëndë në ligamentet e këmbës së djathtë në shtator të vitin 2010, i cili e la jashtë fushave të lojës për një kohë të gjatë, Curri u lëndua edhe në shtator të vitit të kaluar në ndeshjen ShqipëriFrancë (1-2), për tiu kthyer fushave të gjelbra disa javë më parë.
Sikur të mos mjaftonte ky fakt, Curri u detyrua të dilte para kohe nga fusha në ndeshjen Gençlerbirligi-Bursaspor 2-2, për javën e 22-të të superligës turke. Ishte minuta e 10-të, kur pas një dueli me një futbollist kundërshtar, Curri u detyrua të kërkonte ndërrim. Më keq se kaq ska ku të shkojë. Pata një duel më një futbollist kundërshtar teksa pësova një lëndim në këmbë.
Nga dhimbjet e mëdha u detyrova të kërkoja zëvendësim. Nuk e di se për sa kohë do të jem jashtë fushave të lojës dhe çfarë kam dëmtuar, – deklaroi dje Curri. Në ndeshjet e fundit me Gençlerbirligin Curri ka luajtur titullar, duke i shërbyer skuadrës në mesfushë dhe në mbrojtje. Nëse mund të bëjmë një analizë të përgjithshme, mbetem shumë i kënaqur me paraqitjet e mia.
Kam dhënë maksimumin në çdo ndeshje dhe për këtë jam vlerësuar edhe nga trajneri i ekipit që ka shumë besim tek unë, – tregoi më pas 27-vjeçari, i cili shpreson të shpallet kampion këtë sezon në Turqi. – Ndoshta nuk ju duket fort e besueshme, por në këtë edicion mund të kurorëzohemi me titullin e kampionit.
Jemi në garë për të zënë një vend në katershën e parë dhe, po e arritëm, do të luajmë në ndeshjet shtesë për titullin kampion. Ish-futbollisti i Vorskla Polltavës këtë sezon ka zhvilluar 14 ndeshje në kampionat, ndërkohë që ende nuk ka shënuar gol.
Kombëtarja është e pastër
Ditët e fundit, mediat greke kanë shkruar se kombëtarja e Shqipërisë vitin e kaluar ka manipuluar dy ndeshje miqësore. Fjala është për takimin ShqipëriMali i Zi (3-2), si dhe ArgjentinëShqipëri (4-0). Në sfidën me Malin e Zi ka luajtur edhe Debatik Curri, i cili shpreh indinjatën e tij për këto akuza: Nuk është e vërtetë se Shqipëria ka kurdisur ndonjë ndeshje. Këto janë fjalë të mediave.
27-vjeçari mbetet me shpresë se do të mund të grumbullohet për ndeshjen miqësore të 29 shkurtit ndaj Gjeorgjisë: Kam shumë dëshirë të luaj në atë takim, pasi është ndeshja e parë për trajnerin e ri. Megjithatë, një gjë e tillë varet nga shëndeti im.