De Biazi e nis nga e para, të gjithë janë në provë
Do të flas me të gjithë, sy më sy, për të kuptuar se si e shohin projektin për Brazil 2014
Është ndoshta trajneri më i veçantë që ka drejtuar ndonjëherë kombëtaren shqiptare. Duket sikur ka një jetë që jeton në Shqipëri dhe punon me futbollistët shqiptarë. Një aftësi e jashtëzakonshme për ti bërë për vetë njerëzit që e rrethojnë, qofshin pjesëtarë të kombëtares apo njerëz të medias.
Mjafton të nxjerrësh dy fjalë nga goja dhe ai e kupton se çfarë kërkon të thuash. Xhani De Biazit i kanë mjaftuar vetëm disa ditë stërvitje me futbollistët e superiores për ta kuptuar mentalitetin shqiptar, atë që pritet prej tij në eliminatoret e ardhshme.
- Mister, sa ju ka shërbyer ky grumbullim me futbollistë të superiores?
- Këto ditë më kanë shërbyer për të vlerësuar këta 23 lojtarë. Kishte shumë gatishmëri dhe më duhet ti përgëzoj. Kanë bërë një punë të mirë. Puna me ta më ka shërbyer për të krijuar një ide për nivelin e lojtarëve që luajnë në kampionatin shqiptar. Qysh ditën e parë që kam ardhur në Tiranë kam thënë se portat e kombëtares janë të hapura për të gjithë.
- Cila është perspektiva e lojtarëve të kampionatit shqiptar?
- Është ende herët të themi diçka, sepse më duhet ti përball me lojtarët që do të shkoj të shoh këtë fundjavë në kampionatet e Europës. Do të shohim sa më shumë ndeshje dhe do të bëjmë zgjedhjet. Ata që luajnë jashtë, janë lojtarë që duhen zbuluar. I kemi parë në ndeshjet e kombëtares dhe na duket sikur kemi vite që i njohim, por duhet të flasim me ta dhe të kuptojmë shumë gjëra.
- Mund të na thoni ndonjë emër që ju ka pëlqyer më shumë në këtë grumbullim?
- E prisja këtë pyetje. Është ndonjë që më ka pëlqyer më shumë se të tjerët, por po ta them tani, nuk ka kuptim. Kam parë disa lojtarë me perspektivë, por varet se si do të punojnë më tej.
- Cilët lojtarë do të shihni në Europë?
- Të gjithë lojtarët që bënin pjesë në grupin e mëparshëm dhe të tjerë. Edhe pse i kemi parë në DVD, duhet të flasim me ta për të kuptuar se si e shohin projektin për kualifikueset.
- Pse nuk planifikuat ndonjë miqësore gjatë grumbullimit?
- Sepse në këtë moment kishte më shumë kuptim që ti shikoja duke u stërvitur. Kisha nevojë të kuptoja se çfarë njohjesh kishin në nivelin tekniko-taktik.
- Meqë keni parë shumë DVD të kombëtares, çfarë i mungon lojës së saj?
- Është një pyetje së cilës i jam përgjigjur. Kam parë disa gjëra që më pëlqejnë shumë nga kombëtarja shqiptare. E para është përgjegjësia që ndiejnë dhe shpirti luftarak. Ky mund të jetë edhe një defekt, sepse na çon që të sulmojmë me shumë njerëz, por këto janë aspekte taktike që duhen korrigjuar.
- A do të ketë prurje të reja në miqësoren me Gjeorgjinë?
- Kam pak kohë për të bërë vlerësime. Do të nisemi nga ajo që ishte për të vijuar më pas me prurjet dhe ndërthurjet. Pas 10-15 ditësh do të shpallim listën.
- Kuzhe ka deklaruar që bëri gabim në fillim kur luajti me dy sulmues?
- Nuk e di, është ende shpejt për të folur. Nuk kam pasur ende mundësi për të kuptuar se te cilët lojtarë duhet të besoj dhe me çfarë sistemi loje. Na duhet diçka që na jep ekuilibër dhe mundësi për të kundërsulmuar.
- Mund të na jepni një vlerësim se deri ku mund të shkojë kjo kombëtare?
- Është një pyetje e bërë para kohe. Unë i kam parë në DVD futbollistët, por nuk kam folur me ta. Duhet të flas, të shihemi në sy për të parë se çfarë mund të marr prej tyre.
- A shqetësoheni nga fakti që sulmuesit e kombëtares po shënojnë shumë pak?
- Do të isha më pak i shqetësuar po të shënonin nga tre gola çdo javë. E rëndësishme për ne do të jetë të mos pësojmë. Mund të shënosh vetëm një gol dhe të fitosh duke mos pësuar. Varet nga mundësitë që do të kemi.
- Si e vlerësoni marrëdhënien me median shqiptare?
- Gazetarët janë të gjithë njësoj, si këtu dhe në vendet e tjera. Unë ju njoh dhe mendoj më mirë, sepse vitet e fundit kam bërë gazetarin. Ju dëgjoj juve dhe ju njoh, një diell na ngroh. Janë të njëjtat pyetje dhe unë jap të njëjtat përgjigje.
