Debatohet për trashëgiminë kulturore
Me rastin e Ditës Botërore të Trashëgimisë Kulturore, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Ambasadën italiane në Prishtinë, të hënën mbajti tryezën “Konservimi i integruar”.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi tha se konservimi i integruar është një instrument bashkëkohor i ruajtjes së trashëgimisë kulturore, përtej konceptit tradicional fizik, duke e synuar integrim-vendosjen e trashëgimisë në bërthamën e zhvillimit të qyteteve apo fshatrave përmes planifikimit të qëndrueshëm.
Ministri Krasniqi premtoi transparencë të plotë ndaj qytetarit në proceset që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar në përmirësimin e menaxhimit dhe intervenimit në fushën e trashëgimisë kulturore, duke ngritur kapacitetet vendore, profesionale dhe menaxhuese. Ne e admirojmë dhe e shohim si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin dhe bashkërendimin me organizatat joqeveritare dhe organizatat tjera ndërkombëtare që veprojnë në sferën e trashëgimisë kulturore, me qellim të rritjes së efikasitetit të përgjithshëm në këtë fushë dhe arritjen e qëllimeve të përbashkëta”, tha ndër të tjera ministri Krasniqi.
Ambasadori italian në Kosovë, Mishel Gifoni tha se realizimi i këtij projekti është një hap i mirë në rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane.
Në këtë tryezë diskutimi ka pasur ide të ndryshme për dokumentin e paraqitur. Janë marrë rekomandime që më pas do të inkorporohen në Strategjinë që do të hartohet për “Konservimin e integruar”.