E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëbohet nga Kosova për aktivitet të paligjshëm imami Kastriot Duka

PRISHTINË- Autoritetet e Kosovës e kanë arrestuar, e më pas e ka dëbuar në Shqipëri Kastriot Dukën, imamin e vetëshpallur të Marinës së Skenderajt. Lajmi bëhet publik nga radio Europa e Lirë. Një ditë më parë, nën dyshimet për aktivitete të paligjshme, Inspektorati Komunal i Skenderajt, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, e ka mbyllur xhaminë në Marinë.

Në një deklaratë për mediat, të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, thuhet se Dukës i është ndërprerë qëndrimi i përkohshëm në territorin e Republikës së Kosovës, pasi ai ka shkelur legjislacionin në fuqi, si dhe në disa raste ka cenuar rendin publik dhe kushtetues të Kosovës.

“Ekzistojnë arsye të besueshme dhe të vërtetuara edhe nga vetë zoti Duka në paraqitjet e tij publike, se qëllimi primar për të cilin ka kërkuar të qëndrojë në Republikën e Kosovës, është ndryshuar dhe ka orientim krejtësisht tjetër. Leje qëndrimi është lëshuar për zhvillimin e aktiviteteve humanitare, e jo të aktiviteteve të tjera, të cilat zoti Duka i ka ushtruar në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e MPB-së.

“Nisur nga këto fakte dhe në bazë të këtij vendimi, Policia e Kosovës, sot, me datën 3 mars 2010, ka arrestuar dhe dëbuar në Shqipëri z. Kastriot Duka, duke i ndaluar hyrjen në territorin e Republikës së Kosovës” - citon Europa e Lirë.

Javën e kaluar, Kuvendi Komunal i Skenderajt, nisur nga një peticion i nënshkruar nga 6 mijë qytetarë të këtij vendi, mori një vendim për mbylljen e përkohshme të xhamisë dhe largimin e z. Duka.

Xhamia në Marinë ishte e vetmja në Kosovë që nuk ishte nën juridiksionin e Bashkësisë Islame. Kastriot Duka në Marinë ka drejtuar edhe shoqatën humanitare “Rahma/Mercy”. Ndërsa, Policia e Kosovës ka njoftuar se në Skenderaj, sot është mbajtur një protestë, në shenjë të shprehjes së pakënaqësive për vendimin e mbylljes së përkohshme të xhamisë në fshatin Marinë. Sipas policisë, në protestën që ka zgjatur rreth 30 minuta, kanë marrë pjesë rreth 100 persona. Protesta ka përfunduar e qetë.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›