E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëbora, bllokohen zonat në veri të vendit

Reshjet e dëborës të rëna ditët e fundit vijojnë të krijojnë probleme në disa komuna në veri të vendit.
Probleme kryesisht po hasen ne qarqet e Dibrës, Kukësit dhe Shkodrës.
Gjithëashtu probleme po hasen edhe në Qarkun e Korçës.
Reshjet e dëborës dhe ngricat po krijojnë probleme në lëvizjen e mjeteve, ndërsa disa komuna kryesisht në veri lindje rezultojnë të bllokuara.
Në qarkun e Dibrës probleme po hasen në rrethet e Peshkopisë, Matit dhe Bulqizës.
Në Peshkopi, rezultojnë disa komuna të bllokuara, ndërsa trashësia e dëborës arrin rreth 20 centimetra.
Të bllokuara janë komunat Lurë, Kalaja e Dodës dhe Kastriot.
Në Bulqizë, rezultojnë të bllokuara komunat Selishtë, Zerqan dhe Krastë.
Ndërkaq që në orët e para të mëngjesit në qytetin e Burrelit dhe disa komuna përrreth mungon energjia elektrike.
Mësohet se shkak për ndërprerjen është bërë një defekt në nënstacionin e Komsisë.
Ndërsa komuna Macukull në rrethin e Matit rezulton e bllokuar nga dita e dielë. Lëvizja drejt qendrës së komunës është e pamundur.
Rrugët nacionale janë të gjitha të kalueshme.
Në Kukës, probleme ka në Zapod, Arren dhe Grykëcaj.
Probleme vijojnë të hasen edhe Pukë dhe Tropojë. Komuna e Iballës në Pukë vijon të jetë e bllokuar. Trashësia e dëborës atje arrin në mbi 1 metër.
Ndërkaq, në Tropojë probleme po hasen nga reshjet e dëborës.
Kështu mësohet se fshati Valbonë është prej 4 ditësh pa energji elektrike, ndërsa probleme hasen edhe në rrugën që lidh këtë fshat me qendrën e rrethit.
Probleme hasen edhe në disa fshatra të Komunës Lekbibaj.
Ndërkaq akset Qafë Mali- Pukë dhe Tamarë- Vermosh janë të kalueshëm me zinxhirë.
Vështirësi po hasen edhe në Malësinë e Dukagjinit. Dëbora atje arrin në deri 1 metër, ndërsa Qafa e Bërdolecit rezulton e bllokuar.
Ndërkaq në orët e para të mëngjesit probleme u hasën edhe në Qafën e Llogarasë. Në këtë pikë u lejua vetëm lëvizja e automjeteve me zinxhirë.
Vështirësi hasen edhe në lëvizjen e mjeteve në disa akse në qarkun e Korçës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›