Dëbora bllokon akset rrugore në qarkun e Korçës

Temperaturat e ulëta dhe rreshjet e shumta të dëborës kanë sjellë probleme në disa akse rrugore në qarkun e Korçës. Termometri në disa zona të këtij qarku regjistroi minus 10 gradë celcius, ndërsa në Sheqeras termometri shënoi minus 15 gradë celcius.
Sipas burimeve zyrtare mësohet se aksi Korçë-Ersekë është ndër më të vështirët për qarkullimin e automjeteve në ndërsa në Qafën e Qarrit trashësia e borës ka kaluar të 35 cm. Lëvizja në këtë segment rrugor mund të bëhet vetëm me zinxhirë ndërsa e njëjta situatë paraqitet edhe segmentet rrugore Korçë-Kapshticë, Korçë-Pogradec dhe Pogradec-Qafë Thanë ku qarkullimi i atuomjeteve bëhet vetëm me zinxhirë.
Disi më e rënduar paraqitet gjendja në zonat më të thella malore të qarkut të Korçës. Më shumë se 25 fshatra të këtij qarku janë totalisht të izoluar. Bëhet fjalë për fshatrat e komunës së Vithkuqit dhe konkretisht Orgocka, Grabocka, Panariti, Shtulla, Shtika, fshatrat e komunës së Novoselës në Ersekë, ato të të komunës së Mirasit në rrethin e Devollit si dhe fshatrat Vidohovë, Fitore, Çeta etj.
Gjithashtu të njëjtat informacione për fshatrat të izoluara nga trashësia e madhe e dëborës vijnë edhe për zonën malore të Mokrës në rrethin e Pogradecit. Sipas informacioneve qarkullimi i automjeteve në segmentet që lidhin Korçën me zonat turistike të Dardhës dhe Voskopjës bëhet vetëm me zinxhirë.