E Shtunë, 31 Tetor 2026

FRESSH, Rama dy anë medaljeje: Majko i pastër, Meta i pisët

TIRANË- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, i ka kushtuar editorialin e radhës 20 vjetorit të krijimit të FRESSH-it. Editoriali publikohet një ditë para 20-vjetorit të krijimit të Forumit Rinor Eurosocialis, për të cilin Rama shkruan se asnjë organizatë rinore në Shqipëri s'e ka pasur në këta 20 vjet as historinë dhe as impaktin e FRESSH-it në jetën politike shqiptare.

Duke u ndalur në dy protagonistët e këtij forumi, Pandeli Majko dhe Ilir Meta, Rama shkruan se ata mishëruan për një kohë të gjatë suksesin si edhe të dy anët e medaljes së atij suksesi.

“I dha shoqërisë mundësinë të shohë përtej perdes së hekurt të paragjykimeve të rënda që PS-ja mbarte nga e shkuara në misionin e saj historik të vendosjes në ekuilibër të demokracisë së sapoardhur që imponoi komunisti Sali Berisha në krye të PD-së. Pandeli Majko dhe Ilir Meta, dy protagonistët e padiskutueshëm të jetës politike të rinisë socialiste mishëruan për një kohë të gjatë suksesin si edhe të dy anët e medaljes së atij suksesi. Anën e pastër dhe atë të pistë të vetë politikës, të cilat sot në distancën që na mundëson koha janë lehtësisht të lexueshme. Madje si për të lehtësuar ende më shumë këtë lexim, njëri, Pandeli Majko, gjendet në këto momente në New York në pritje të një emërimi në rangjet më të larta të Kombeve të Bashkuara, tjetri, Ilir Meta, pret në shtëpi vendimin e gjykatës pas kërkesës së prokurorisë për disa vite burg si pasojë e një skandali të bujshëm korrupsioni botërisht të njoftuar në mediat e mbarë planetit”,- shkruan Rama.

Rama nënvizon se tashmë Forumi Rinos Socialist për shkak të zhvillimeve të fundit në vend nuk mund të jetë ai që ishte, ndaj sipas Ramës, projektuesit e rinj të riorganizimit thonë RE:FRESSH.
“Projekti është shumë i mirë pikërisht sepse niset nga shoqëria siç është sot e nga interesat e sotme të gjeneratës më të re, duke synuar t'i kundërvihet deformimit të frikshëm të përfshirjes së rinisë në betejën politike vetëm përmes favoreve e parasë. Që janë dy këmbët mbi të cilat ecën prej kohësh organizimi rinor i PD-së apo LSI-së në funksion të qëllimeve ngushtësisht elektorale”,- shkruan Rama.

Sipas liderit të opozitës ky projekt u drejtohet vlerave morale e shoqërore, të traditës më të mirë e të vullnetarizmit politik të mbarëbotshëm në ditët e sotme kudo ku demokracia funksionon.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›