E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëbora bllokon sërish rrugët dhe izolon zonat malore


Në qarkun e Kukësit reshjet e borës bien me intensitet shumë të lartë, ndërkohë që në qytet trashësia ka arritur deri në 70 cm. Në akset Kukës - Qafë Shllak dhe Kukës - Krumë qarkullohet me zinxhirë. Në akset Kukës - Morinë (doganë) dhe Kukës - Draj Reç (deri në 5 kilometrat e fundit) qarkullohet pa zinxhirë, ndërsa segmenti në vazhdim, deri në Draj Reç, është i bllokuar. Aktualisht janë të izoluar komunat e Zapodit, Shishtavecit, Topojanit, Grykë Cajës, Kalisit, Bushtricës, Malziut, Surrojit dhe Arrnit.

Në Tropojë vazhdon të ketë reshje të dendura bore. Në akset Bajram Curri - Sopot, Bajram Curri - Ura Fierzë, Plepa - Qafë Prush (doganë) dhe Sopot - Ura Bujan, qarkullohet me zinxhirë.

Në komunën Ostren të Bulqizës u shfaq të shtunën një rast emergjence me një fëmijë të sëmurë me temperaturë. Familjarët e qarkulluan në borë me fëmijën në krahë, derisa mbërritën në rrugë të hapur dhe me makinë mbërritën në spitalin rajonal të Bulqizës.

Në qarkun e Shkodrës, aksi Ura e Kirit - Qafë Laç - Qelë kalohet me  zinxhirë.  Ndërsa në aksin Qafë Laç - Karme - Koman  është e bllokuar pjesa Karme - Koman.  Rrugët e Shkodrës janë të kalueshme me zinxhirë.

Në rrethin e Pukës, aksi Pukë - Fushë Arrëz është i kalueshëm me zinxhirë.  Në aksin Qafë Mali - Qafë Shllak është e bllokuar pjesa nga  Lajthiza në Qafë Shllak.

Në qarkun e Korçës, aksi Qafë Thanë - Pogradec - Qafë Plloçë është i kalueshëm normalisht, kurse Qafë Plloçë - Korçë pjesërisht me zinxhirë. Akse problematike janë Sovjan - Petrushë dhe Pose - Zëmblak, ku qarkullimi kryhet me vështirësi pasi fryn erë e fortë dhe ka reshje dëbore. Aksi Korçë - Voskopojë  është i kalueshëm me zinxhirë, ndërsa Boboshticë - Dardhë është i bllokuar në kilometrin 10. Në këtë qark prej disa ditësh vijojnë të mbeten të bllokuara disa prej komunave, ndërsa dita e shtunë ka zgjeruar edhe më tej izolimin e tyre. Sipas Shtabit të Emergjencave Civile pranë Prefekturës së Korçës, komuna e Çlirimit në rrethin e Kolonjës dhe e Lekasit në rrethin e Korçës, të cilat u izoluan disa ditë më parë, vijojnë të mbeten të bllokuara pa asnjë mundësi qarkullimi për automjetet dhe njerëzit. Natën e së shtunës u bllokua edhe komuna e Trebinjës në rrethin e Pogradecit dhe komuna e Liqenasit në rrethin e Korçës.

Në Dibër, aksi rrugor Ura e Skurajve - Shkopet është i kalueshëm pa zinxhirë, ndërsa Qafë Buall - Shkopet kalohet me  zinxhirë. Akset Peshkopi - Bulqizë,  Qafë Buall - Krastë dhe Peshkopi - Muhurr - Qafë Draj janë të bllokuar. Po punohet në mënyrë intensive për zhbllokimin e tyre, sepse ka rënë shumë dëborë.

Në Elbasan, aksi kryesor Qafë Kërrabë (km 29) - Elbasan - Librazhd - Përrenjas - Qafë Thanë është i kalueshëm pa probleme. Aksi  Librazhd - Stëblevë  është i kalueshëm  deri në Fushë Studë, ku trashësia e borës ka arritur deri në 30 cm. Në kilometrin 8 rruga është e bllokuar dhe në pjesën tjetër  kalohet me vështirësi. Në aksin Labinot - Labinot Mal ka rënë rreth 30 cm borë dhe 6-7 kilometra janë të zëna.

Në Durrës, Berat, Fier dhe Gjirokastër nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve.
/Start/E.B/

                                                                                             2012-02-11 23:56
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›