“Dëbora e shkrirë” në Mat prangos 4 vetë
BURREL - Katër persona, banorë të fshatrave Gurrë e Madhe dhe Kurdari në Rrethin e Matit janë ndaluar nga efektivët e komisariatit të policisë Burrel mesditën e djeshme. Policia lokale njoftoi se plani operacional "Dëbora e shkrirë" rezultoi i suksesshëm. Prej ditësh banorët e Gurrës ankoheshin se dy të rinj, jo vetëm i kishin shqetësuar me krisma armësh, por ndjeheshin të kërcënuar nga ata. Elton Disha dhe Ervin Kadiu, ngjiteshin mbi fshat për të gjuajtur me kallashnikov, por nuk mungonin rastet kur ata zbrisnin në fshat me armët që mbanin pa leje. Banorët e Gurrës kanë kërkuar ndihmën e policisë, duke e informuar atë se banorët i kishte pushtuar frika dhe paniku prej afro dy muajsh. Pas arrestimit të të rinjve, atyre u janë bllokuar në cilësinë e provës materiale 2 automatikë dhe pas kontrollit në banesë qindra fishekë që i mbanin pa leje. Po dje u prangosën dhe dy të kërkuar, Genc Kurtagja dhe Anesti Lifja, 38 dhe 33 vjeç, banorë të fshatit Kurdari. h.p