E Diel, 1 Nëntor 2026

Familjarët e pacientëve,në spital vetëm me orar



zirina llambro

Jo më familjarë që hyjnë e dalin nga dhomat e të sëmurëve si t'u teket. As radhë pacientësh që duan të vizitohen e presin para dhomave të mjekëve. Urdhri i ri, i lëshuar nga Drejtoria e QSUT, ka për qëllim vënien e rregullit në spitalin më të madh në vend, i cili momentalisht është si han me katër porta. Kreu i QSU, Ilir Dashi, ka deklaruar se me anë të tij do të rritet siguria në ambientet spitalore. "Më këtë Urdhër parashikojmë të ndalojmë trafikun e madh të familjarëve, të cilët shpesh herë zaptojnë pavijonet, dhomat e të sëmurëve. Këta persona do të lejohen të futen tek i sëmuri me orare të përcaktuara", tha Dashi. Duke pasur parasysh numrin e madh të personave të cilët qarkullojnë në pavijone, drejtoria ka urdhëruar shërbimet të ndërtojnë planin e qarkullimit të pacientëve dhe familjarëve, sipas orareve të përcaktuara. Urdhri i ri është afishuar në të gjitha hyrjet e pavijoneve. Familjarët duhet të zbatojnë oraret e caktuara për vizita. Përkatësisht, ata do të mund të futen në dhomën e pacientëve çdo ditë, nga ora 17:00 deri në 19:00 dhe ditën e diel me një orar paradite, nga ora 10:00 deri në 12:00. "Do të jetë policia private, e cila nuk do të lejojë qarkullimin e vizitorëve jashtë këtyre orareve, ndërkohë që familjarët e kanë të afishuar Urdhrin në derën e çdo pavijoni", pohoi Drejtori i QSUT-së. Urdhri parashikon të lejohen jashtë këtyre orareve personat që kanë leje-hyrje, të firmosur nga drejtuesi i Shërbimit dhe kryeinfermieri. Pajisja me leje-hyrje për qëndrimin jashtë orareve të vizitorëve vlen edhe për rastet kur familjarët lejohen të qëndrojnë gjatë gjithë 24-orëshit, si prindërit e fëmijëve të shtruar, por jo më shumë se një familjar i autorizuar. "Një tjetër masë shumë e rëndësishme që ne kemi parashikuar të marrim është moslejimi i kryerjes së vizitave dhe konsultave ambulatore në ambientet spitalore me shtretër, si nga shefat e shërbimeve, ashtu edhe nga personeli", pohoi Dashi. Sipas tij, konsultat ambulatore do të kryhen vetëm në vendet dhe oraret e përcaktuara, ashtu siç i parashikon Sistemi i Referimit. Për zbatimin e këtij Urdhri është bërë edhe mbyllja e 6 portave në godinat e spitaleve të ndryshme, në mënyrë që policia private të ketë mundësi të kontrollojë hyrje-daljet e vizitorëve. Nuk dihet si do ta presin qytetarët e mësuar të hyjnë sa herë të duan në spital, Urdhrin e ri. Me të pritet t'i jepet fund kaosit të përditshëm në QSUT.

Oraret e vizitave

• çdo ditë nga ora 17:00 deri në 19:00

• Ditën e diel nga ora 10:00 deri në 12:00.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›